VENDIM Nr . 1180 PËR PËRCAKTIMIN E VLERËS SË TARIFËS SË SHËRBIMIT PËR LEGALIZIM DHE MBLEDHJEN E ADMINISTRIMIN E TË ARDHURAVE TË PROCESIT TE LEGALIZIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 32, të ligjit nr.9482, datë 03.04.2006, ”Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1.Tarifa e shërbimit për legalizimin e objekteve pa leje, shtesave informale në ndërtime me leje përbëhet nga:

1.1      Tarifa e shërbimit për përditësim, e cila është në vlerën 4 000 (katër mijë) lekë, për çdo kat të objektit pa leje/shtesës informale në ndërtime me leje.

1.2      Tarifa e shërbimit për hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor, me vlerë 6 000 (gjashte mijë) leke për çdo objekt pa leje/shtesë informale në ndërtim me leje.

1.3       Të ardhurat e mbledhura nga tarifa e shërbimit për përditësim dhe për hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor, do të përdoren nga ALUIZNI dhe do të destinohen respektivisht, për përditësimin në terren të gjendjes ndërtimore dhe mbulimin e shpenzimeve për hartimin e dokumentacionit administrativ për legalizimin e objekteve pa leje/shtesave informale në ndërtime me leje”.

1.4      Subjektet që përfitojnë legalizimin e objekteve informale, do të shlyejnë brenda 10 ditësh nga data e njoftimit me shkrim mbi pagesat, vlerat e përcaktuara në pikën 1.1 dhe 1.2 të këtij vendimi, në llogarinë e hapur për këtë qëllim”.

2.   Subjektet që kanë vetëdeklaruar në muajin e 3-të (16 Shtator-15 Tetor 2006) dhe të 4-t (16 Tetor-29 Nëntor 2006) të periudhës së vetëdeklarimit, së bashku me tarifën e shërbimit, do të shlyejnë dhe sanksionet e parashikuara për këtë qëllim, për llogari të njësisë së qeverisjes vendore, duke iu referuar kohës së vetëdeklarimit dhe natyrës së ndërtimit informal ( vilë, shtesë familjare, shtesë komerciale ), të parashikuara në nenin 8 të ligjit “Për legalizimin urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

3.   Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t në përputhje me të dhënat ndërtimore të dokumentacionit teknik ( gen-plan, planimetri ) kryen llogaritjen e vlerёs sё taksёs sё ndikimit nё infrastrukturё për çdo objekt informal, publikon listёn emёrore tё subjekteve taksë-pagues dhe i pajis ata me formularin e pagesës.

 

               3.1.   Taksa e ndikimit në infrastrukturë llogaritet duke ju referuar kostos mesatare vjetore tё ndёrtimit tё banesave pёr m², publikuar nga Enti Kombёtar i Banesave, nё kohёn e llogaritjes, në përputhje me pikën 2 të nenit 14 të ligjit nr.9416, datë 20.05.2005, “Për procedurat e privatizimit të banesave, të ndërtuara ose të blera me fonde shtetërore nga Enti Kombëtar i Banesave”.

 

               3.2.   Pёr objektet me leje me shtesa informale në ndërtim, pёrqindja e taksёs vendore tё ndikimit nё infrastrukturё do tё aplikohet mbi vlerёn e investimit tё shtesës informale.

 

               3.3.   Taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet brenda 30 ditëve, nga data e pajisjes me formularin e pagesës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, pёr llogari tё njёsisё sё qeverisjes vendore, ku ndodhet ndërtimi informal. Fondi i krijuar nga pagesa e kësaj takse, do të përdoret për financimin e studimeve urbanistike, realizimin e tyre dhe përmirësimin e infrastrukturës së territoreve, që legalizohen.

 

4.   Pagesa për parcelën ndërtimore mbi të cilën është ngritur objekti informal/shtesa informale në ndërtime me leje, llogaritet nga ALUIZNI sipas neneve 19, 20, 21 e 22 të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006, ”Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

 

               4.1.   Për objektet informale, me funksion banimi, kur sipërfaqja e parcelës ndërtimore është e një madhësie të ndërmjetme nga sipërfaqet e përcaktuara në nenet 19, 20, 21 e 22, pagesa për të, do të jetë shuma e vlerёs mё tё vogёl nё lekё, plus vlerёn shtesë që del nga llogaritja me interpolim për sipërfaqen shtesё.

 

               4.2.   Kur objekti informal ka funksion social – ekonomik, vlera në lekë e parcelës ndërtimore llogaritet duke u bazuar në çmimin e tregut për m², nё momentin e kalimit tё pronёsisё.

 

               4.3.   Për objektet informale me funksion të përzier ( për banim dhe funksion social – ekonomik), për të llogaritur vlerën e parcelës ndërtimore do të aplikohet dhe koeficienti i shfrytëzimit të ndërtesës në legalizim i përcaktuar me vendimin nr.870, datë 27.12.2006 të Këshillit të Ministrave, “Për koeficientin e shfrytëzimit të ndërtesës në legalizim, me destinacion social-ekonomik”, sipas formulës: Vlera shtesë = Sip.social-ekonomike x Çmimi për m² i parcelës x(1 ± K).

 

               4.4.   Pagesa e parcelës ndërtimore, për objektet informale me destinacion social-ekonomik dhe shtesat informale në ndërtime me leje, do të bëhet vetëm në lekë, në vlerë të plotë monetare.

4.5. Për objektet informale, me destinacion banimi apo të përzier (banim dhe social- ekonomik), pagesa e vlerës së parcelës mund të bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare, dhe/ose me bono privatizimi.

Në rastin kur pagesa kryhet me bono privatizimi, ajo duhet të paraprihet nga depozitimi i kërkesës me shkrim, të poseduesit të ndërtimit informal, pranë drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t, ku të përcaktohet përqindja e pagesës me bono privatizimi.

 

4.6.   Për shlyerjen e pagesës së parcelës ndërtimore, subjektet mund të përfitojnë nga skema e kreditimit bankar.

 

5.   Sanksionet për subjektet dhe / ose shoqëritë ndërtuese që kanë kryer shtesa anësore ose shtesa në kate, për qëllim kalimi pronësie ose qiradhënieje, llogariten nga ALUIZNI, në përputhje me përcaktimet dhe përqindjet e përcaktuara në nenin 43 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

Për shtesat informale (anësore apo në lartësi), të ngritura në territore (zona) ku nuk ka çmim minimal fiskal, të përcaktuar në përputhje me pikën 2 të nenit 43 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, çmimi minimal fiskal do të llogaritet si mesatare aritmetike e çmimit të zonave me të cilat ky territor (zonë) kufizohet.

5.1.      Likuidimi i penaliteteve do të bëhet për llogari të njësive të qeverisjes vendore brenda 30 ditëve nga pajisja me formularin e penaliteteve për legalizimin e shtesave informale të subjektit ndërtues.

5.2.      Për subjektet dhe/ose shoqëritë ndërtuese të cilat kanë paguar sanksione të mëparshme për shkelje të lejes së ndërtimit, nga vlera totale e sanksioneve do të zbritet vlera e paguar më parë.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, botohet në “Fletoren Zyrtare” dhe i shtrin efektet e tij nga data 1 mars 2008.