PREZANTIMI I AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS DHE I DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË SAJ

Tiranë, më 06.04.2019

Njoftim për shtyp

Zëvendëskryeministri Erion Braçe prezanton drejtorin e Agjencisë Shtetërore së Kadastrës Artan Lame.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës do t’i japë një formë të re trajtimit të çështjeve të pronësisë në vend. Në ceremoninë e prezantimit të kreut të Agjencisë së Kadastrës, Artan Lame, zëvendëskryeministri Erion Braçe tha se, “nevoja për të rregulluar problematikën e akumuluar ndër vite dhe vizioni i qeverisë në këtë drejtim, u materializuan në krijimin e këtij institucionit të ri, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Ky institucion është i domosdoshëm për harmonizimin e proceseve të ndryshme, të cilat deri dje kryheshin nga institucione të ndryshme dhe nuk perceptoheshin në shërbim të një funksioni të vetëm, pra në shërbim të pronës”. 

Ndër të tjera, z. Braçe theksoi: “Dua të bëj apel edhe për agjencitë e tjera, apel edhe banorëve, kërkoni shërbim, mos paguani asgjë që nesër mund t’u kthehet në të kundërt, vepër penale. Bëj apel edhe për nëpunësit edhe për ata që mendojnë se mund ta blejnë shërbimin mes parave, do ta luftojmë korrupsionin”.

Kreu i ASHK, Artan Lame e interpretoi prezencën e zëvendëskryeministrit Erion Braçe si angazhim të qeverisë shqiptare që projekti i Kadastrës të jetë po aq i suksesshëm sa ai i legalizimeve.

Sipas tij, tre do të jenë prioritetet e kësaj reforme.

– reformë thelbësore në hartografi;

– reformë thelbësore në sisteme shërbimi;

– dhe reformë thelbësore në burime njerëzore.

Këshillimi i Ministrave ngarkoi zotin Artan Lame me detyrën e drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. ALUIZNI dhe ZRPP do të funksionojnë tashmë si një institucioni i vetëm nën emrin Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Kjo agjenci do të jetë institucioni përgjegjës për administrimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, si dhe për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë. Qytetarët do të marrin shërbim më të mirë brenda një kohe më të shkurtër si dhe do të ulet barra burokratike e dokumenteve që kërkohen nga institucionet shtetërore.