𝐏𝐄𝐑𝐅𝐔𝐍𝐃𝐎𝐍 𝐏𝐑𝐎𝐂𝐄𝐒𝐈 𝐈 𝐋𝐄𝐆𝐀𝐋𝐈𝐙𝐈𝐌𝐈𝐓 𝐍𝐄 𝐋𝐀𝐍𝐀𝐁𝐑𝐄𝐆𝐀𝐒, 𝐓𝐈𝐑𝐀𝐍𝐄

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame, i shoqëruar nga drejtoresha Rajonale Tirana-Rurale, Risena Xhaja, ishin sot në Lanabregas të Tiranës për të përmbyllur procesin e legalizimit në këtë zonë kadastrale.

Kësaj rradhe Kadastra Shqiptare përdori një metodikë të re në procesin e punës, duke e fokusuar vëmendjen për rreth 1 muaj në këtë zonë edhe përmes mbajtjes së një zyre të lëvizshme në territor gjatë gjithë kësaj periudhe. Kjo u bë me qëllim që e gjithë zona të perpunohet në mënyrë shteruese dhe, nga ana tjetër, për të ndihmuar dhe asistuar qytetarët në të gjitha problematikat e tyre në çështjet e pronësisë. 
Kjo eksperiencë e re dha rezultatet e veta të mira dhe në vijim do të zgjerohet më tej jo vetëm në Tiranë, por edhe në zona të tjera të vendit.

Në rastin e Lanabregasit u mbyll procesi i legalizimeve për rreth 410 objekte, ndërsa ajo që mbeti problem për këtë zonë është prania e rreth 45 objekteve pa leje të identifikuara në terren nga ana e punonjësve të kadastrës, por që rezultojnë të mos kenë kryer vetëdeklarimin asnjëherë. Në këtë çështje, drejtori Lame u shpreh para banorëve që vetëdeklarimi është hapi i parë dhe i vetëm që kërkohet nga banori për të shprehur vullnetin dhe dëshirën e tij për legalizimin dhe pa të cilin nuk mund të vijohet asnjë hap i mëtejshëm.

Pjesë e procesit të djeshëm në Lanabregas ishte edhe legalizimi i një pallati të ndërtuar që në vitin 2009 dhe braktisur nga subjekti ndërtues EMED Construction, pallat i cili ishte tërësisht i banuar. Nga procesi i legalizimit të tij përfituan 42 familje, banore të tij.

Megjithëse gjatë viteve të fundit në zonën e Dajtit dhe Qesarakës janë legalizuar rreth 75 pallate të braktisura nga ndërtuesit, ka ende shumë pallate që vuajnë këtë fenomen shoqërues të tranzicionit shqiptar.
Nga momenti i përfundimit të procesit të legalizimit, qytetarët janë të ftuar të aplikojnë në portalin e-Albania për të marrë në rrugë elektronike certifikatën e pronësisë.

Ju sugjerojmë të lexoni edhe: