-𝐋𝐞𝐠𝐚𝐥𝐢𝐳𝐢𝐨𝐡𝐞𝐧 𝐩𝐚𝐥𝐥𝐚𝐭𝐞 𝐧𝐞 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐢𝐧𝐚𝐭
-𝐒𝐮𝐛𝐣𝐞𝐤𝐭𝐞𝐭 𝐦𝐞 𝐬𝐡𝐤𝐞𝐥𝐣𝐞 𝐧𝐮𝐤 𝐝𝐨 𝐭𝐞 𝐦𝐚𝐫𝐫𝐢𝐧 𝐦𝐞 𝐥𝐞𝐣𝐞 𝐭𝐞 𝐫𝐞𝐣𝐚
Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame ishte në Lagjen e Kombinatit në Tiranë, për të vijuar procesin e legalizimit të pallateve të braktisura nga ndërtuesit. Bëhet fjalë për një kompleks banimi me rreth 65 njësi apartamente dhe njësi shërbimi, dyqane.
Në rastin konkret, bëhet fjalë për pallate të ndërtuara me leje në vitet 2014-2017, por që e kanë shkelur lejen dhe subjekti ndërtues nuk e ka ndjekur më procesin. Tashmë banorët janë organizuar vetë për të ndjekur procedurat e legalizimit.
Lame gjatë takimit është ndalur edhe tek Vendimi i Qeverisë për sekuestrimin e ndërtimeve apo kateve pa leje. “Qëllimi i këtij Vendimi është që të mos penalizojë qytetarët që kanë blerë në këto pallate dhe fakti i sotëm që ne po vazhdojmë legalizimin e pallateve e braktisura nga ndërtuesi, është një shembull që tregon një ndarje të qartë mes hallit të qytetarëve që kanë blerë një apartament apo njësi shërbimi dhe qejfit të tyre që kanë shkelur lejet dhe që duhet të paguajnë për shkeljet që kanë bërë”.
Statistikisht i bie që, afërsisht 3 në çdo 4 pallate të ndërtuara me leje përgjatë 25 vjetëve të fundit, të regjistrohen jo përmes rrugës normale, por përmes procesit të legalizimit.
Arsyet e kësaj janë të shumta, që nga shkelja e lejes nga ndërtuesit, braktisja e ndërtimit, falimentimi i subjekteve ndërtuese, konfliktet e gjithëfarllojshme midis ndërtuesve, pronarëve të trojeve dhe blerësve, abuzimet e Bashkive në dhënien e lejeve të ndërtimit firmave fantazëm, etj.
Gjithashtu Lame theksoi se së fundmi me Bashkinë Tiranë po rifreskohet marveshja e lidhur para disa vjetësh, sipas së cilës Bashkia nuk do të mundësojë subjekteve marrjen e lejeve të reja të ndërtimit, nëse rezultojnë të kenë të pambyllura procedura të mëparshme për ndërtime të mëparshme.
Ky bashkëpunim me Bashkinë shpresohet të nxisë procesin e legalizimit të këtyre pallateve në favor të banorëve blerës të apartamenteve.
Post Views: 816