AGJENSIA E LEGALIZIMIT, URBANIZIMIT DHE INTEGRIMIT TE ZONAVE/NDERTIMEVE INFORMALE

 Deklaratë Shtypi

17.06.2016

200 familje nga 3 njësi administrative kanë marrë sot lejen e legalizimit. Pas shumë vitesh zvarritje, sot kanë mundur të bëjnë legjitime banesën e tyre.

Në një aktivitetet të organizuar nga Drejtoria e ALUIZNI-t për ndarjen e lejeve të legalizimit mori pjesë ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame, deputetët e zonës Xhemal Qefalia dhe Artan Gaçi.

EB-9

Lame tha se në Bërzhitë në 8 vite nuk është dhënë asnëj leje legalizimi. “Kjo zonë është nga ato zona që kanë vuajtur më shumë, nëse në qytet merrnin ndonjë lek për të ecur me legalizimet, në komuna nuk është bërë asnjë. Këtu nisi çdo gjë nga e para nga punonjësit tanë. Nga 2005 deri tani nuk është dhënë asnjë leje, sot jepet grupi i parë i legalizimeve”, – tha Lame.

Lame tha se procesi i legalizmit po bllokohet për dy arsye në disa zona. Të parat që radhiti ishin planet e miratuara nga bashkia. “Planet në shumë zona, mirëfillti rurale, kanë parashikuar ndërtime të larta që kanë bllokuar legalizimin, mbetet detyrë e jona që së bashku me bashkinë Tiranës dhe me administratorët e njësive që ta zgjidhim”, tha Lame.

Një tjetër problem që pengon në përshpejtimin e procesit mbetet hipoteka. “Problem për komunat mbetet hipoteka, një problem i trashëguar prej 10-15 vjetësh. Me gjithë punën e bërë deri më sot, mbetet ende shumë punë”, tha Lame.

Ndërsa ministrja Eglantina Gjermeni tha se pas përfundimit dhe miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor ritmi i legalizimeve do të jetë më i shpejtë “Lajmi i mirë për të 67,044 qytetarët e bashkisë Tiranë, të cilët kanë plotësuar dhe dorëzuar formularët e vetëdeklarimit për legalizim të objekteve që disponojnë pranë ALUIZNI-t është se me përfundimin dhe miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, hartimi i të cilit po financohet nga qeveria, ritmi i legalizimeve do të jetë më i shpejtë”, u shpreh ministrja Gjermeni.

Vetëm në dy vite, në të gjithë Bashkinë Tiranë janë legalizuar mbi 9,587 krahasuar me katër mije objekte të legalizuara në vitet 2005 – 2013.