ALUIZNI zhvillon analizën e punës për vitin 2014

20150126_130833

Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) zhvilloi sot më dt.26 janar.2015 analizën e punës së këtij institucioni për vitin 2014. I pranishëm në këtë analizë ishte dhe zv.ministri i Ministrisë së Zhvillimit Urban, z.Gjon Radovani.

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, z.Artan Lame, e cilësoi 2014-ën një vit pune rezultativ pasi premtimi i vendosur për të dhënë aq leje sa dha PD-ja në 8 vjet po arrihet në më pak se një vit, ndërsa synohet avancimi i këtij premtimi me zgjidhjen e problemit të çdo qytetari që beson tek ky proces.

Në fjalën e tij të hapjes Lame tha se “ky vit, që nuk mund të quhet tamam një vit pune, pasi ekipi ynë ka nisur nga puna në mars-prill 2014, ka qenë një vit i vështirë me problematika të jashtëzakonshme”. Lame theksoi se kur flitet për vështirësi fjala është konkretisht për një rinisje nga e para për shumë punë, siç ishte përditësimi në terren. “Kur bëmë llogaritjet e para ishin 40-50 mijë objekte të përgatitura dhe ne menduam se do të donin vetëm një rregullim, por kur mbaroi skedimi i situatës së brendshme patëm një firo të madhe, nga 50 mijë përfunduam në 300 objekte, pjesa tjetër duheshin bërë përditësimi në terren nga e para pasi ishin bërë përciptas”.

I vetmi sektor që mund të quajmë se kishte një bazë të qëndrueshme ishte sektori i hartografisë me fotografimet e vitit 2007,  dhe vetdeklarimet e mbledhura nga qytetarët, por dhe aty me probleme të mëdha.  “Kur nisëm punën kuptuam se dhe kjo pjesë, pra e vetdeklarimeve të mbledhura, kishte problematika të panumërta, dosjet ishin pa numër identifikimi personal, por vetëm me numrin e protokollit të rrethit nga vinin dhe kjo bëri që të bëheshin nga fillimi të gjitha materialet”, tha Lame.

E përkthyer në shifra puna e ALUIZNI-t në afro një vit e krahasuar me 8 vjet pune gjatë qeverisjes së shkuar sipas drejtorit Lame përmblidhet në; “293 mijë vetdeklarime të trashëguara dhe vetëm 21 mijë leje legalizimi të dhëna që e çon numrin e dosjeve të trashëguara në 272 mijë, shifër që mund të shkojë ndoshta në 340 apo 350 mijë me mbylljen e afatit të vetdeklarimeve në fund të janarit, pasi deri më tani numërohen rreth 80 mijë vetdeklarime të reja. Ndërsa sa i përket përditësimeve në terren nëse do të krahasoheshin dy kohët, janë 42 mijë objekte të përditësuara deri në vitin 2013, ndërsa nga 2013 deri në fund të vitit 2014 janë 64 mijë objekte të tjera të përditësura, ndërkohë që dhe ato që janë bërë më parë do të rivlerësohen pasi gjatë kësaj kohe kanë bërë shtesa e ndryshime. Në total i gjithë numri i lejeve të dhëna nga viti 2006 deri në fund të vitit 2014, 41 përqind e lejeve i takon periudhës Mars-Dhjetor 2014 , në total deri në muajin dhjetor 15.331 mijë leje legalizimi, ndërkohë që procesi vazhdon me shpërndarjen e lejeve në të gjitha qarqet. Ndryshe nga koha e shkuar ku lejet e dhëna në masën 80 për qind të tyre ishin për hotele, apo biznese të tjera duke e deformuar logjikën e ligjit për legalizimevet, gjatë kësaj kohe 90 për qind e lejeve janë dhënë për banesat”.

Lame theksoi se “një numërim përfundimtar për vetdeklarimet në total do të bëhet pas datës 31 janar që është dhe afati i fundit për vetdeklarimet e ndërtimeve pa leje, ndërkohë që Lame theksoi se “nuk ka më shteg për legalizime pas kësaj date”.

Drejtori i ALUIZNI-t bëri dhe një tablo të punës së bërë në qarqe, duke theksuar se pavarësisht vështirësive që kanë në numrin e pakët të punonjësve dhe të zyrave, drejtoritë rajonale kanë arritur të tejkalojnë në më pak se një vit punën e bërë në 8 vjet nga qeveria e mëparshme.

Për sa i përket pjesës së buxhetit të kësaj Agjencie, Lame, theksoi se kjo drejtori është përballur dhe me një problem që e ka denoncuar që në fillim, borxhin e akumuluar nga qeverisja e shkuar për mospagesën e sigurimeve shoqërore të punonjësve, borxh që shkonte në 1 milionë dollarë, i cili po paguhet nga buxheti i agjencisë. Ndërkohë që një pjesë e madhe e të ardhurave që kjo agjenci mbledh prej arkëtimeve të pagesave të faturave për parcelën ndërtimore i shkojnë fondit për kompensimin e ish-pronarëve. Gjatë vitit që shkoi (deri në nëntor 2014) janë transferuar në fondin e kompensimit të pronarëve 251.814.000 lekë nga të ardhurat e arkëtuara nga pagesat e parcelës ndërtimore të objekteve pa leje.   “Me këtë ritëm parashikojmë që të trefishojmë fondin e parashikuar për AKKP-në duke kontribuar ndjeshëm në zbutjen e faturës që ka qeveria për kompensimin e kësaj kadegorie”, tha Lame.

Zv.Ministri z.Gjon Radovani gjatë fjalës së tij tha se ishte i vetëdijshëm që ekipi drejtues i ALUIZNI-t kishin marrë në dorë një punë me problematika të mëdha, për të mos thënë nga pika zero, pasi sipas tij “ka pasur një paradoks të madh, ndërkohë që kishte nisur procesi i legalizimeve, lejoheshin ndërtimet pa leje. Duhej që fillimisht të ndalohej procesi i ndërtimeve pa leje që të vazhdonte legalizimi i tyre”. Radovani shtoi se “është meritë e zotit Lame dhe ekipit të tij që në një kohë shumë të shkurtër e ka kthyer një barakë në një intitucion funksional” duke premtuar më tej se do të propozonte ministrisë që të shtojë investimet për kushtet e punës për zyrat rajonale të ALUIZNI-t në mënyrë që të përballojnë fluksin e punës.