Mbyllet procesi i legalizimit në Njësinë Administrative Zall-Herr

DREJTORIA E PËRGJITHSHME

Dt. 17.10.2019

Sot, Drejtoria Rurale 1 ka shpërndarë 131 certifikatat e fundit në Njësinë Administrative Zall-Herr, duke mbyllur kështu procesin e legalizimit dhe hipotekimit në këtë zonë. Në këtë komunë kanë mbetur dhe një numër banesash të pa legalizuar, pasi nuk plotësojnë kushtet e kualifikimit. 1310 është numri i vetdeklarimeve në këtë njësi administrative.

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame theksoi në fjalën e tij, se priten ndryshime të tjera ligjore për të vijuar edhe me këto objekte që deri tani nuk mund të legalizohen.

Zall Herri është një njësi administrative që ka pasur 1310 ndërtime pa leje, shenjë e qartë që juve ju ka ngrënë duart për punë dhe keni bërë goxha punë, sepse 1310 shtëpi nuk janë pak. Nga ana tjetër kuptohet dhe për drejtorinë ishte një punë kolosale përfundimi i këtij procesi. Me këto 131 leje që jepen sot përmbyllet ky proces në Njësinë Administrative Zall- Herr. Ka qenë një punë e madhe, mbeten edhe një numër i vogël, por sidoqoftë i rëndësishëm, që nuk legalizohen dot për shkak të ndërtimi jashtë afatit, ose për shkak të vendit të ndërtimit që mund të bie buzë rrugës, buzë lumit, pra në vende ku ligji e ndalon legalizimin.

Doja të jepja një lajm të mirë, jo për juve sepse ju e mbyllet procesin, por për ata që nuk e kanë legalizuar ende, pikërisht se ka probleme. Jemi duke bashkepunuar me Kuvendin dhe Qeverinë për të bërë ndryshimet, përshtatjen me ligjin që po përgatitet për të gjetur një mënyrë të trajtimit të objekteve që nuk mund të legalizohen sot për sot, për shkak të problematikave që kanë. Para një jave ishim në Venezia për dy gjëra: një për Presidentin dhe një për ligjin e pronave, që është pikerisht ky ligj që është në Kuvend për të bërë përshtatjet dhe ndryshimet e nevojshme”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame.

Drejtoresha e Tirana Rurale 1, Risena Xhaja ka falenderuar të gjithë banorët që përfituan nga ky proces. “Sigurisht që kjo është detyra jonë, por ne nuk mund të vazhdojmë dot punën pa pasur një bashkëpunim me ju”. Deputeti i zonës Xhemal Qefalia ka falenderuar gjithë stafin për punën kolosale që u bë për të mbyllur këtë njësi administrative, ndërsa theksoi se do të shihet ligji për të legalizuar edhe objektet që deri sot nuk mund të legalizohen.

Sfida e re për Kadastrën Shqiptare është regjistrimi i tokave bujqësore në të gjithë vendin.