VENDIM Nr.332 PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË PËRGJITHSHME MBI RUAJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E INFORMACIONIT HARTOGRAFIK TË PËRFTUAR NGA FOTOGRAFIMI AJROR, DIXHITAL, I TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe pikës 3 të nenit 4 të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave,

 

VENDOSI:

 

  1. Institucionet shtetërore për ruajtjen, administrimin dhe shpërndarjen e informacionit hartografik kanë përgjegjësitë dhe zbatojnë detyrimet dhe rregullat e përcaktuara në këtë vendim.
  2. Produkti fotogrametrik (ortofoto dhe harta vektoriale) përbën bazën zyrtare të informacionit hartografik të territorit të Republikës së Shqipërisë dhe do të shërbejë për :
    1. funksionimin e sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
    2. funksionimin e sistemit kombëtar të adresave;
    3. funksionimin e sistemit të regjistrimit të popullsisë;

ç.   kryerjen e studimeve urbane në të gjithë territorin e vendit;

  1. zbatimin e projekteve të ndryshme me interes publik;

dh. zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga ligji nr. 8402, dt. 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar.

  1. Kopjet origjinale të produktit fotogrametrik, i cili përcakton gjendjen ekzistuese për çdo pjesë të territorit, sipas datës kur është kryer fotografimi dhe sipas të dhënave teknike të parashikuara në kontratën e lidhur për këtë qëllim, të depozitohen pranë:
    1. Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave / Ndërtimeve Informale, për t’u përdorur për shërbimet përkatëse për këtë produkt dhe për përgatitjen e hartave në shkallët 1 : 500 deri në 1 : 5000, në funksion të procesit të legalizimit dhe urbanizimit.
    2. Arkivës shtetërore të Këshillit të Ministrave.
  2. ALUIZNI është autoriteti përgjegjës për shpërndarjen e produktit fotogrametrik, nga një kopje në formatin elektronik, brenda një muaji nga marrja në dorëzim e tij, në institucionet e mëposhtëme:
    1. Ministrinë e Brendshme;
    2. Ministrinë e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit;
    3. Ministrinë e Drejtësisë;
    4. Ministrisë së Mbrojtjes;
    5. Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës;
    6. Ministrisë së Financave;
    7. Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;
    8. Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve;
    9. Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave;
    10. Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta;
    11. Ministrisë së Shëndetësisë;
    12. Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës;
    13. Ministrisë së Jashtme;
    14. Ministrisë së Integrimit;
    15. Institutit të Statistikës;
    16. Institutit Gjeografik Ushtarak;
    17. Arkivit Qendror Teknik;
  3. Ministria e Brendshme është autoriteti përgjegjës që me mbështetjen e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, do të kryejë dublikimin, riprodhimin dhe legalizimin e kopjeve të pjesshme të produktit fotogrametrik, sipas njësive të veçanta të qeverisjes vendore dhe shpërndarjen e tij për secilën njësi, brenda dy muajve nga marrja në dorëzim nga ALUIZNI.
  4. Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit është autoriteti përgjegjës për dublikimin, riprodhimin dhe legalizimin e kopjeve të produktit fotogrametrik, në favor të subjekteve të interesuara, publike apo private. Brenda 45 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit paraqet, për miratim, planveprimin për plotësimin me burime, njerëzore dhe financiare, për ofrimin e këtyre shërbimeve.
  5. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, brenda një muaji nga miratimi i planveprimit të përcaktuar në pikën 6, nxjerr udhëzimin përkatës për mënyrën dhe tarifën e dublikimit,të riprodhimit dhe legalizimit të pjesshëm për çdo njësi të produktit fotogrametrik, për subjektet e interesuara, publike apo private.
  6. Institucionet që sipas pikës 4, të këtij vendimi, do të përfitojnë kopje të produktit fotgrametrik, të nxjerrin brenda tre muajve, rregulloret përkatëse për ruajtjen dhe/ose përdorimin e këtij produkti.
  7. Agjencitë dhe institucionet, hartografike, gjeodezike e projektuese, shtetërore ose private, janë të detyruara, që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të hartojnë dhe miratojnë strategjitë për zbatimin, në sistemin e tyre, të produktit fotogrametrik, të përftuar nga fotografimi ajror, dixhital, i territorit të Republikës së Shqipërisë për korrigjimin e informacionit gjeografik, që disponojnë.
  8. Institucionet përgjegjëse për përpunimin e informacionit gjeografik të përftuar nga fotografimi ajror, dixhital, i territorit të Republikës së Shqipërisë, të kryejnë përpunimin, në përputhje me direktivën 2007/2/ të Parlamentit Europian dhe të Këshillit të Europës, për infrastrukturën e informacionit hapësinor.
  9. Prodhimi i informacionit gjeografik dhe i hartave topografike, në shkallë të mëdha, kryhet, duke përdorur si referencë gjeodezike të pozicionit global, “Projection Transverse Mercator Zonal (Tmz)” me λ = 20 dhe atë “Europian Terrestrial Reference System 1989 (ETRS89)”, në përputhje me rekomandimet e EUREF – EC. Institucionet përgjegjëse, ngarkohen për llogaritjen dhe publikimin zyrtar të koeficientëve të transformimit të sistemeve gjeodezike.
  10. Institucionet shtetërore, nuk mund të kryejnë procedura prokurimi, me fonde publike apo të donatorëve, për krijimin e produkteve hartografike të një standarti më të ulët se produkti fotogrametrik i përftuar nga fotografimi ajror, dixhital, i territorit të Republikës së Shqipërisë.
  11. Ngarkohet ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

 

 

KRYEMINISTRI

SALI BERISHA

VENDIM Nr. 258 PËR REGJISTRIMIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME, TË LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, si dhe të nenit 29 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, dhe të neneve 24 e 56, të ligjit nr.7843, datë 13.7.1994, “Për rregjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave,

 

VENDOSI :

 

I.          Të përgjithshme

1.   Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) fillon zbatimin e procedurave të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme (objektit dhe parcelës ndërtimore), brenda një afati 10 ditor pas pajisjes së dosjes së objektit pa leje, me lejen e legalizimit.

 

  1. Procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara, kryhen nga ALUIZNI, në përputhje me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, aktet nënligjore në zbatim të tij, si dhe metodikën e regjistrimit që zbatohet nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

 

2.1        Zyra vendore e rregjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP), brenda një periudhe prej 30 ditore, sipas kërkesës së  drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t, dërgon një informacion të hollësishëm, me numrat e zonës kadastrale dhe të pasurive, si dhe dokumentacionin përkatës hartografik, në funksion të regjistrimit të objekteve, të përfshira në proces legalizimi, për çdo zonë informale/bllokbanim informal/ndërtim informal të veçuar.

 

  1. ZVRPP-ja, pasqyron ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, brenda një periudhe prej 30 ditësh, nga:

 

a)                  miratimi i vendimeve të KRRT-së dhe/ose KRRTRSH-së, sipas neneve 10 e 11, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”;

b)                  hyrja në fuqi e vendimeve të Këshillit të Ministrave, për mënyrën e administrimit të territorit, për secilën prej zonave/vendbanimeve informale, sipas pikës 3, të nenit 45, të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”

 

II.         Dokumentacioni i nevojshëm për kryerjen e procedurave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara.

1.   Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, për kryerjen e procedurave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara, shfrytëzon bazën e të dhënave, si dhe:

 

a)      Dokumentacionin ligjor-administrativ, lejen e legalizimit të ndërtimit pa leje;

b)      Dokumentacioni teknik:

  • genplanin e objektit, të hartuar si hartë treguese, miratuar nga drejtoria rajonale e ALUIZNI-t;
  • planimetrnë për çdo kat;

 

2.         ALUIZNI plotëson dokumentacionin tekniko-ligjor, të nevojshëm për procedurat përkatëse për regjistrimin fillestar të objektit pa leje, të pajisur me leje legalizimi, si dhe regjistrin e parcelave ndërtimore, sipas të dhënave në kartelën e pasurisë të paluajtshme, në përputhje me listën e emrave të pronarëve të objekteve pa leje, që përfshihen në zonën informale/bllokbanimin informal/ndërtimet informale të veçuara, të grupuara në bazë të zonës kadastrale, ku ndodhen, sipas modelit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

III.        Procedurat për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, të legalizuara

 

1.         Plotësimi i kartelës së pasurisë së paluajtshme, të legalizuar.

 

1.1        ALUIZNI plotëson kartelën e pasurisë së paluajtshme, të legalizuar, sipas formatit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

1.2    Plotësimi i rubrikave, të përfshira në kartelën e pasurisë së paluajtshme, të legalizuar, bëhet në përputhje me :

 

a)         të dhënat e  lejes së legalizimit të objektit pa leje;

b)         genplanin e objektit, të hartuar si hartë treguese, miratuar nga drejtoria rajonale e ALUIZNI-t;

c)         hartën treguese të regjistrimit, ku evidentohen kufijtë e pasurisë për secilin objekt që gjendet në zonën e pasqyruar në të;

ç)         menyrën e renditjes (Vol_) dhe (Fq_), si dhe numrat e referencës së dokumentit arkivor për zonën kadastrale përkatëse, të përcaktuar nga ZVRPP, menjëherë pas paraqitjes së kërkesës nga  drejtoria rajonale e ALUIZNI-t.

 

1.2.1 Plotësimi i Rubrikave D e E, të kartelës së pasurive të paluajtshme, kryhet nga drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, në përputhje me të dhënat që ka ZVRPP-ja, e cila është e detyruar, që brenda një afati prej 15 ditësh nga paraqitja e kërkesës, të japë informacion të plotë, me të gjitha përshkrimet e nevojshme, për plotësimin e këtyre rubrikave.

 

1.2.2  Në formatin e kësaj kartele, që është në përputhje të plotë me formatin e kartelës së pasurisë së paluajtshme, të miratuar me vendimin nr. 519, datë 7.11.1994, të Këshillit të Ministrave, është shtuar seksioni F, për miratimin nga ALUIZNI, të të dhënave për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme, të legalizuar.

 

1.2.3    Çdo volum përmban 250 faqe. Për rastet e ndërtimeve informale të veçuara, volumi do të plotësohet sipas numrit të objekteve të pajisura me leje legalizimi.

 

1.3       Kartelat e pasurive  të paluajtshme, të legalizuara, do të plotësohen në format manual dhe dixhital. Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, administron dhe ruan në përputhje me udhëzimet e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, formatin dixhital të kartelës.

 

2.         Plotësimi i regjistrit të parcelave ndërtimore

 

2.1    Regjistri i parcelave ndërtimore do të plotësohet në format manual  dhe dixhital, në përputhje me përcaktimet e bëra në vendimin nr.437, datë 28.06.2006, të Këshillit të Ministrave.

 

2.2    Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, administron dhe ruan, në përputhje me udhëzimet e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, formatin dixhital dhe shkresor, të këtij regjistri.

 

3.         Plotësimi i bazës të së dhënave

 

3.1    Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, duke shfrytëzuar informacionin e regjistruar gjatë etapave të mëparshme të procesit të legalizimit, bën plotësimin e mëtejshëm të bazës së të dhënave, në format manual dhe dixhital, si dhe krijon bazën e të dhënave të pasurisë, sipas treguesve të kartelës së pasurisë të paluajtshme dhe regjistrit të parcelave ndërtimore.

 

3.2    Në përfundim të plotësimit të bazës të së dhënave, drejtoria rajonale kryen procedurat përkatëse të verifikimit të saktësisë të të dhënave të plotësuara.

 

3.3    Zyra Qendrore e ALUIZNI-t, duke shfrytëzuar informacionin e administruar gjatë të gjithë procesit, nga drejtorite rajonale, krijon dhe administron bazën e të dhënave, në shkallë vendi.

 

3.3.1Të dhënat e kartelës së pasurisë së paluajtshme, genplani i objektit, i hartuar si hartë treguese, dhe planimetria strukturohen në një program unifikues të informatizimit të të dhënave, si pjesë integrale e bazës së përgjithshme të të dhënave.

 

4.         Publikimi i të dhënave për regjistrimin fillestar të objekteve, të pajisura me leje legalizimi

 

4.1    Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t publikon, në nje vënd të dukshem, në zonën kadastrale,  për një afat 15 ditor, dokumentet e mëposhtme:

 

a)            regjistrin e parcelave ndërtimore;

b)            hartën treguese të regjistrimit (HTR), të përditësuar.

 

4.2    kur resultojnë pasaktësi në hartën treguese të pasurive ekzistuese, të regjistruara, ose mbivendosje me pasuritë e legalizuara, ALUIZNI njofton ZVRPP-në, e cila, në përputhje me nenin 17, të ligjit nr.7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, bën korrigjimet e nevojshme në HTR-në përkatëse.

 

5.         Miratimi i kartelës së pasurisë së paluajtshme, të legalizuar.

 

5.1    në kartelën e pasurisë së paluajtshme, të legalizuar, regjistrohet data e përfundimit afatit të publikimit të dokumenteve, të përcaktuara në pikën 4.1, të kapitullit III.

 

5.2    Kartela e pasurisë së paluajtshme, të legalizuar, nënshkruhet nga nëpunësi përgjegjës për plotësimin e saj dhe miratohet nga drejtori i drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t.

 

6.         Dorëzimi i dokumentacionit përkatës të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara, në ZVRPP.

 

6.1    Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t, në funksion të përmbylljes së procedurave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara,  dorëzon në ZVRPP, për cdo objekt, të gjithë informacionin e regjistruar në format dixhital, në bazën e të dhënave, si dhe dokumentacionin e mëposhtëm manual, për çdo objekt:

 

a)         Lejen e legalizimit të objektit;

b)         Genplanin e objektit, të hartuar si hartë treguese, miratuar nga drejtoria rajonale e ALUIZNI-t;

c)                  Planimetrinë për çdo kat;

ç)         Volumet e kartelave sipas përcaktimeve të këtij vendimi;

d)         Regjistrin e parcelave ndërtimore;

dh)       HTR-në e përditësuar;

 

7.         Ligjërimi nga ZVRPP-ja, i regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara.

 

7.1       ZVRPP-ja, brenda një periudhe prej 15-ditësh nga marrja në dorëzim e dokumentacionit të përcaktuar në pikën 6.1, të këtij vendimi, verifikon saktësinë e të dhënave të kartelës së pasurisë së paluajtshme, të legalizuar, dhe kryen procedurat për ligjërimin e regjistrimit fillestar për ndërtimet pa leje, të pajisura me leje legalizimi, në zbatim të nenit 26, të ligjit nr.7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”,  të ndryshuar.

 

IV. Të fundit

 

1.         Brenda nje periudhe prej 30 ditesh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ALUIZNI dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi, për bashkërendimin efektiv të veprimatrisë së tyre, në funksion të mbarëvajtjes së procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje, si dhe regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara.

 

2.         Ngarkohet Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ALUIZNI dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA

VENDIM Nr. 870 PËR KOEFICIENTIN E SHFRYTËZIMIT TË NDËRTESËS NË LEGALIZIM, ME DESTINACION SOCIAL-EKONOMIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 17 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Koeficienti i shfrytëzimit të ndërtesës në legalizim (K), me destinacion social-ekonomik, shpreh raportin e sipërfaqes së ndërtimit për veprimtaritë social-ekonomike me sipërfaqen e përgjithshme të ndërtimit të objektit:

K= Sipërfaqe e ndërtimit social-ekonomik/Sipërfaqe e përgjithshme e ndërtimit

Në sipërfaqen për veprimtari social-ekonomike do të përfshihet sipërfaqja, ku zhvillohet veprimtaria, së bashku me sipërfaqet e mjediseve ndihmëse të saj.

2. Koeficienti i shfrytëzimit të ndërtesës në legalizim, me destinacion social-ekonomik, shërben për llogaritjen e vlerës shtesë të shitjes së truallit, kur objekti është me destinacion të përzier, për strehim dhe veprimtari social-ekonomike.

3. Formula për llogaritjen e vlerës së parcelës ndërtimore (sipërfaqja e bazës së objektit dhe sipërfaqja në funksion të objektit), në rastin kur objekti ka destinacion të përzier, për strehim dhe veprimtari social-ekonomike, do të jetë e barabartë me: vlerën e shitjes së parcelës ndërtimore, plus vlerën e shtuar për veprimtari social-ekonomike:

Vlera e parcelës ndërtimore për objektin me destinacion të përzier=vlera e parcelës ndërtimore+vlera shtesë.

4. Për përcaktimin e vlerës së shitjes së truallit të parcelës ndërtimore për objekte me funksion banimi të zbatohen nenet 19, 20, 21 e 22 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

5. Vlera e shtuar del si produkt i sipërfaqes, me destinacion social-ekonomik me çmimin e shitjes së truallit për banim, si dhe me 1± koeficientin e shfrytëzimit (K). Formula e vlerës së shtuar është:

Vlera shtesë=Sip.social-ekonomike x çmimi për m2 i parcelës x (1± K).

6. Për përcaktimin e çmimit për m2 të parcelës të zbatohen nenet 19, 20, 21 e 22 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

7. Në rastin kur vlera e koeficientit të shfrytëzimit të ndërtesës në legalizim, me destinacion social-ekonomik, është më e vogël ose e barabartë me 0,5 zbatohet formula 1-K.

8. Në rastin kur vlera e koeficientit të shfrytëzimit të ndërtesës në legalizim, me destinacion social-ekonomik, është më e madhe se 0,5, zbatohet formula 1+K.

9. Ngarkohen Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

KRYEMINISTRI
Sali Berisha

VENDIM Nr. 438 PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE DHE DOKUMENTACIONIT TË ZBATUESHËM, PËR TË KUALIFIKUAR OBJEKTET NË NDËRTIM, QË LEGALIZOHEN OSE JO

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe neneve 2, pika 1 e 46, pika 1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Kriteret dhe dokumentacioni i zbatueshëm për legalizimin e ndërtimit pa leje.

1. Kualifikohet për legalizim objekti pa leje i përfunduar deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, që:

a)      ka minimalisht të ngritur një kat, me lartësi dysheme-tavan 2m;

b)      ka të përfunduar kostruksionin së bashku me mbulesën;

c)      nuk ka trajtim të veçantë sipas përcaktimit të neneve 2, pika 4, dhe 35 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”;

ç)   nuk ndodhet në kushtet e përjashtimit nga procesi i legalizimit, sipas përcaktimeve në pikën 2 të këtij vendimi.

2. Objekti i ndërtuar pa leje ose shtesa e sipërfaqes tej lejes së miratuar nuk kualifikohet për legalizim ose, nëse është kualifikuar, legalizimi ndërpritet në çdo kohë përpara lëshimit të lejes së legalizimit sipas nenit 28 të ligjit, në rast se legalizimi:

a)      cënon sistemin, rrugor dhe hekurudhor, kombëtar e rajonal, si dhe brezat mbrojtës të tyre, të parashikuar nga plani i përgjithshëm rregullues apo studime të çdo niveli, të miratuar a në proces.

b)      shkel vijën e ndërtimit në rrugët e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë, të parashikuar nga plani i përgjithshëm rregullues, studimet urbanistike apo projektet e veçanta infrastrukturore rrugore të çdo niveli, të miratuara a në process

c)      është ngritur brenda territorit të shkollave, kopshteve, spitaleve, çerdheve, qendrave shëndetësore dhe të çdo institucioni tjetër publik.

c/1. cenon zbatimin e projekteve për zona turistike, zona komerciale dhe rekreative, zonat ekonomike, parqe dhe impiante industriale, për të cilat ka studime të miratuara ose në proces;

ç)   cënon integritetin e Monumenteve të Kulturës, sipas përcaktimit të pikës 1, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, të specifikuar nga materiali i publikuar i Institutit të Monumenteve të Kulturës si dhe sipas përcaktimit të nenit 38 të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006.

d)      është ngritur mbi/ose brenda brezit mbrojtës të kolektorit, digës ose aeroportit.

dh) cënon trungun kryesor të infrastrukturës inxhinierike sipas përcaktimeve në rregulloren e urbanistikës të miratuar me vendimin nr. 722, datë 19.11.1998, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.

e)   është ngritur brenda territoreve dhe kufirit mbrojtës të zonës komerciale dhe rekreative, të zonave ekonomike apo të zonave të mbrojtura, me akte, ligjore dhe nënligjore, si:

(i)      zonë turistike sipas përcaktimit të bërë në nenet 64, 65 e 66 të ligjit nr.8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”, të ndryshuar, dhe të pikës 39 të nenit 4 të ligjit nr.9734, datë 14.5.2007 “Për turizmin”, të ndryshuar.”

(ii)   zonë e mbrojtur, sipas përcaktimit të bërë në ligjin nr. 8906, datë 6.6.2002 “Për zonat e mbrojtura”.

(iii) zonë me vlera arkeologjike, muzeale e historike ose në kufi me objektet apo strukturat ndërtimore me vlera të veçanta, sipas përcaktimit të neneve 73 e 74, të ligjit 8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”, të ndryshuar, dhe neneve 31, 32 e 33, të ligjit nr. 9048, datë 7.4.2003, “Për trashgiminë kulturore”.

(iv)  zonë ekonomike sipas ligjit nr.9789, datë 19.7.2007 “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”

ë) cënon sistemet dhe brezat mbrojtës të kanaleve kulluese dhe ujitëse.

f) është ngritur brenda kufirit mbrojtës të burimeve natyrore, si naftë e gazmbajtëse, burimeve minierare, energjitike, burimeve e rezervave ujore, etj.

3. Objekti i veçuar, i ngritur në “territore të tjera”, nuk kualifikohet për t’u legalizuar, kur është ndërtuar:

i)    në zona me rrezik përmbytjeje;

ii)      në shtretërit e lumenjve;

iii)    brenda sipërfaqes së baseneve, rezervuarëve dhe liqeneve;

iv)    në zonat e riskut gjeologjik, çarje-rrëshqitje;

v)      niveli i ndotjes së mjedisit kalon nivelin e përcaktuar në legjislacionin në fuqi për mjedisin.

4. Për të kualifikuar objektet, që legalizohen apo jo, njësitë e qeverisjes vendore mbështeten në:

a)      hartën/fotografinë e gjëndjes ndërtimore;

b)      materialin grafik të planit të përgjithshëm rregullues dhe të çdo studimi të miratuar, të infrasktrukturës inxhinierike dhe rrugore të zonës, sipas përcaktimeve të Rregullores së Urbanistikës miratuar me vendimin nr. 722, datë 19.11.1998, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar;

c)      materialin grafik për territorin brenda kufirit të zonave me mbrojtje të veçantë nga aktet, ligjore e nënligjore, rast pas rasti.

ç) sipas rastit, në dokumentacionin e paraqitur nga organet shtetërore përgjegjëse, sipas pikës 8/1 të këtij vendimi.

II.  Procedurat e kualifikimit të objekteve, që legalizohen dhe dokumentacioni teknik e ligjor.

5. Për kualifikimin e objekteve që legalizohen apo jo, veprohet si më poshtë vijon;

a)      Identifikohet nga njësia e qeverisjes vendore, me pranimin e formularit të vetëdeklarimit, ndërtimi në hartë/fotografi, gjendja ndërtimore, sipas vendndodhjes;

b)      Verifikohet në terren nga njësia e qeverisjes vendore, brenda 20 ditëve nga dorëzimi i formularit të vetëdeklarimit, ndërtimi i identifikuar në hartë/fotografi dhe hartohet proces verbali i konstatimit.

Për rastet e ndërtimeve, që përjashtohen nga procesi i legalizimit, sipas pikës 2, të këtij vendimi, njësia e urbanistikës i dërgon, brenda 5 ditësh, mendimin e saj KRRT–së njësisë së qeverisjes vendore. Kjo e fundit merr vendim në mbledhjen më të afërt të saj.

c)      grupohen sipas vendndodhjes dhe tipologjisë së tyre ndërtimet e përfshira në procesverbalin e konstatimit.

6. Për objektet e ndërtuara pa leje apo shtesat e sipërfaqeve tej lejes së miratuar ndaj të cilave ka filluar proces gjyqësor ose është vendosur masa e sigurisë me vendim gjykate, nga njësia e qeverisjes vendore, ndiqen këto procedura:

a)      I kërkon deklaruesit apo personit të tretë, me marrjen dijeni të procedimit gjyqësor, depozitimi, në dosjen e ndërtimit pa leje, të kopjes së vendimit të gjykatës ose të shkresës së gjykatës për zhvillimin e një procesi gjygjësor dhe për objektin e gjykimit.

b)      Vë në dijeni, menjëherë, personin e interesuar për legalizimin e ndërtimit pa leje, kur njoftimi për zhvillimin e procedimit gjyqësor vjen nga gjykata, qoftë për vendosje mase sigurie sipas nenit 40, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

c)   Depoziton në dosjen e ndërtimit pa leje, në të dyja rastet e mësipërme, aktin për pezullim procedurash legalizimi. Kjo dosje ruhet nga njësia e qeverisjes vendore, sipas ligjit për arkivat.

ç)   Rifillon, me paraqitjen e vendimit të formës së prerë të gjykatës për procedimin gjyqësor, shkak i pezullimit të procedurave të legalizimit, procesi i legalizimit të ndërtimit pa leje sipas kontekstit dhe përmbajtjes së vendimit të formës së prerë të gjykatës.

7. Për rastet kur vërehet se një subjekt ka deklaruar më shumë objekte pa leje, veprohet si vijon:

7.1. Kur objektet pa leje ndodhen brenda kufirit territorialo-administrativ të së njëjtës njësi të qeverisjes vendore, kjo e fundit i kërkon deklaruesit:

a)      të zgjedhë objektin për të cilin kërkon legalizim, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

b)      të depozitojë deklaratën noteriale të heqjes dorë nga përfshirja në procesin e legalizimit, sipas kushteve të përcaktuara në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, për objektet e tjera, e cila depozitohet në dosjet përkatëse.

7.2. Kur objektet pa leje ndodhen brenda kufirit territorialo-administrativ të dy ose më shumë njësive të qeverisjes vendore dhe/ose kur rasti i pikës 7.1, të këtij vendimi nuk është vënë re, ALUIZNI, i kërkon njësisë përkatëse të qeverisjes vendore, ku ka vendbanimin subjekti, të veprojë sipas përcaktimit të pikes 7.1, të këtij vendimi.

Në kuptim të kësaj pike subjekti identifikohet nga të dhënat e certifikatës së përbërjes familjare, të lëshuar sipas gjendjes familjare të datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006.

7.3. Për objektet, të cilat legalizohen me kushtet e tregut:

(i)     çmimi i shitjes për metër katror të sipërfaqes së zënë nxirret, në përputhje me vlerën e tregut;

(ii)   taksa e legalizimit përllogaritet sipas neneve 51, paragrafi i parë, e 77, të ligjit 8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”, të ndryshuar, dhe nenit 16, të ligjit 8982, datë 12.12.2002, “Për sistemin e taksave vendore”.

8. Për rastet, kur vërehet se objekti ndodhet në kushtet e trajtimit të veçantë, për shkak të vendndodhjes në troje private, të parashikura nga plani i përgjithshëm rregullues/studimet urbanistike, të ndërtimeve mbi 5 kate nga niveli zero, njësia e qeverisjes vendore vepron si më poshtë vijon:

a)      afishon hartën me kufirin e zonës nën juridiksion, të mbuluar me plan urbanistik, të miratuar për ndërtimet mbi 5 kate nga niveli zero, me fillimin e procesit të vetëdeklarimit. Në këtë rast niveli zero është kuota e nivelit të truallit.

b)      dërgon kopje të kësaj harte në ZRPP përkatëse dhe i kërkon asaj listën e pronarëve privat, të regjistruar mbi këto territore, e cila detyrohet të dërgojë brenda 30 ditëve në njësinë e qeverisjes vendore, përkatëse, materialin e kërkuar sipas.

c)      dokumentacioni i afishimit dhe i dërguar nga ZRPP, depozitohet në dosjen e objektit pa leje, evidencohet dhe nënshkruhet nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore.

ç)   Pas kryerjes së procedurave të mësipërme, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, me urdhër të tij, njofton subjektin deklarues, pronarin e sipërfaqes së truallit, sekretarinë teknike të KRRT dhe ZRPP përkatëse, për pezullimin e legalizimit të objektit.

8.1 Kur objektet ndodhen në kushtet e moskualifikimit për legalizim, organet shtetërore përgjegjëse kanë të drejtë t’i kërkojnë ALUIZNI-t ndërprerjen e legalizimit, duke specifikuar dhe shkakun konkret sipas pikave 2 e 3 të këtij vendimi, për të cilin ALUIZNI është i detyruar të ndërpresë procesin. Kërkesës duhet t’i bashkëlidhet, detyrimisht, dokumentacioni provues. ALUIZNI është i detyruar, që, brenda 2 (dy) javëve nga data e depozitimit të kërkesës, t’u konfirmojë ndërprerjen e procedurave organit shtetëror përgjegjës dhe personit të interesuar për legalizimin e ndërtimit pa leje. Në rast se, me kalimin e këtij afati, ALUIZNI nuk ka konfirmuar ose ka refuzuar ndërprerjen e legalizimit, organi shtetëror përgjegjës ka të drejtë t’i kërkojë Këshillit të Ministrave pezullimin e procedurave të legalizimit të objekteve pa leje. Këshilli i Ministrave vendos sipas afateve dhe procedurës së përcaktuar në paragrafin e dytë të pikës 1 të nenit 13 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

9. Hartimi i dokumentacionit teknik të përcaktuar më poshtë dhe dokumentacioni i përcaktuar në pikën 5 të këtij vendimi, mbështetet në normat dhe kriteret e legjislacionit urbanistik në fuqi.

a)      Gen plani në shkallën 1:500, për çdo ndërtim pa leje të deklaruar, hartohet nga njësia e qeverisjes vendore, në bazë të dokumetacionit hartografik të gjendjes ndërtimore, brenda 20 ditësh nga paraqitja e kërkesës të të interesuarit.

b)      Planvendosja e zonës/vendbanimit/bllokbanimit/grupndërtimit informal përgatitet nga njësia e qeverisjes vendore dhe përmban:

(i)   kufirin e zonës/vendbanimit/bllokbanimit/grupndërtimit informal të miratuar nga KRRTRSH-ja/KRRT-ja;

(ii)  sipërfaqen e bazës të secilit objekt dhe kufirin e secilës parcelë ndërtimore.

c)   Për hartimin e planimetrisë dhe genplanit njësia vendore:

(I)   përditëson në terren hartën/fotografinë e gjendjes ndërtimore;

(ii)  verifikon të dhënat e deklaruara dhe specifikon në hartë/fotografi sipas deklarimit, kufirin e secilës pronë.

Harta e përftuar konfirmohet nga njësia e qeverisjes vendore dhe depozitohet në strukturën përkatëse të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale.

10. Pas deklarimit fillestar dhe kualifikimit për legalizim njësia e qeverisjes vendore njofton subjektin deklarues për plotësimin e dokumentacionit. Dosjet për objektet e kualifikuara për përjashtim ose pezullim i dërgohen ALUIZNI-t. Pas shqyrtimit të këtij të fundit brenda një muaji i kthehen njësive të qeverisjes vendore, të cilat i arkivojnë dhe njoftojnë deklaruesin.

11. Planimetria e çdo kati apo e sipërfaqeve shtesë tej lejes së miratuar e shkallës 1:100, hartohet dhe nënshkruhet nga një projektues i licensuar.

12. Institucionet e përcaktuara nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për përgatitjen e oponencës mbi qëndrueshmërinë konstruktive të objektit me sipërfaqe tej lejes së miratuar me vendim të KRRTRSH-së/ KRRT-së, japin mendimin e tyre, me shkrim, brenda 20 ditësh nga paraqitja e kërkesës së të interesuarit.

I interesuari dërgon bashkë me kërkesën dhe deklaratën noteriale ose aktekspertimin, sipas përcaktimit të nenit 37, të ligjit 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, edhe projektin e plotë të zbatimit të objektit.

Kopja e oponencës dërgohet zyrtarisht në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore dhe/ose në strukturën përkatëse të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale brenda afatit të mësipërm.

13. Njësia përkatëse e qeverisjes vendore, për objekte të ngritura pa leje ndërtimi, brenda ose në afërsi të territoreve të mbrojtura nga aktet, ligjore dhe nënligjore, menjëherë me marrjen e formularit të vetëdeklarimit për secilin objekt, i kërkon sipas rastit, organit përkatës mendim. Ky i fundit jep mendimin e tij me shkrim, brenda 20 ditësh nga paraqitja e kërkesës së njësisë përkatëse të qeverisjes vendore.

14. Udhëzimi nr. 3, datë 15.3.2005 i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e zonës informale” shfuqizohet.

15. Ngarkohet Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

 

 

 

 

VENDIM

Nr.994, datë 6.10.2010

PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.438, DATË 28.6.2006 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE DHE DOKUMENTACIONIT TË ZBATUESHËM, PËR TË KUALIFIKUAR OBJEKTET NË NDËRTIM, QË LEGALIZOHEN OSE JO

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2 pika 1, e 46, pika 1 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Në vendimin nr.438, datë 28.6.2006 të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 2 të kreut I, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

a) Fjalia e parë ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Objekti i ndërtuar pa leje ose shtesa e sipërfaqes tej lejes së miratuar nuk kualifikohet për legalizim ose, nëse është kualifikuar, legalizimi ndërpritet në çdo kohë përpara lëshimit të lejes së legalizimit sipas nenit 28 të ligjit, në rast se legalizimi:”.

b) Shkonja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) shkel vijën e ndërtimit në rrugët e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë, të parashikuar nga plani i përgjithshëm rregullues, studimet urbanistike apo projektet e veçanta infrastrukturore rrugore të çdo niveli, të miratuara a në proces;”.

c) Pas shkronjës “c” shtohet shkronja “c/1”, me këtë përmbajtje:

“c/1. cenon zbatimin e projekteve për zona turistike, zona komerciale dhe rekreative, zonat ekonomike, parqe dhe impiante industriale, për të cilat ka studime të miratuara ose në proces;”.

ç) Në shkronjën “e” bëhen këto ndryshime e shtesa:

– Në fjalinë e parë, pas fjalëve “… kufirit mbrojtës …” shtohen “… të zonës komerciale dhe rekreative, të zonave ekonomike apo …”.

– Nënndarja “i” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“i) zonë turistike sipas përcaktimit të bërë në nenet 64, 65 e 66 të ligjit nr.8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”, të ndryshuar, dhe të pikës 39 të nenit 4 të ligjit nr.9734, datë 14.5.2007 “Për turizmin”, të ndryshuar.”.

– Pas nënndarjes “iii” shtohet nënndarja “iv”, me këtë përmbajtje:

“iv) zonë ekonomike sipas ligjit nr.9789, datë 19.7.2007 “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”.”

2. Pas shkronjës “c” të pikës 4 të kreut I, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:

“ç) sipas rastit, në dokumentacionin e paraqitur nga organet shtetërore përgjegjëse, sipas pikës 8/1 të këtij vendimi.”.

3. Pas pikës 8 të kreut II, shtohet pika 8/1, me këtë përmbajtje:

“8.1 Kur objektet ndodhen në kushtet e moskualifikimit për legalizim, organet shtetërore përgjegjëse kanë të drejtë t’i kërkojnë ALUIZNI-t ndërprerjen e legalizimit, duke specifikuar dhe shkakun konkret sipas pikave 2 e 3 të këtij vendimi, për të cilin ALUIZNI është i detyruar të ndërpresë procesin. Kërkesës duhet t’i bashkëlidhet, detyrimisht, dokumentacioni provues. ALUIZNI është i detyruar, që, brenda 2 (dy) javëve nga data e depozitimit të kërkesës, t’u konfirmojë ndërprerjen e procedurave organit shtetëror përgjegjës dhe personit të interesuar për legalizimin e ndërtimit pa leje. Në rast se, me kalimin e këtij afati, ALUIZNI nuk ka konfirmuar ose ka refuzuar ndërprerjen e legalizimit, organi shtetëror përgjegjës ka të drejtë t’i kërkojë Këshillit të Ministrave pezullimin e procedurave të legalizimit të objekteve pa leje. Këshilli i Ministrave vendos sipas afateve dhe procedurës së përcaktuar në paragrafin e dytë të pikës 1 të nenit 13 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.”

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Sali Berisha

VENDIM Nr. 437 PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE PËR MBLEDHJEN, PËRPUNIMIN DHE ADMINISTRIMIN E TË DHËNAVE PËR NDËRTIMET PA LEJE, PËR NGRITJEN E BAZËS SË TË DHËNAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe neneve 4, pika 3, e 46, pika 1, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Procedurat e mbledhjes të së dhënave.

1. Të dhënat mblidhen nëpërmjet:

i) vetëdeklarimit nga subjekti juridik apo personi fizik, pronar i sipërfaqes së parcelës ndërtimore të zënë dhe ndërtimit pa leje ose të shtesës pa leje, mbi ndërtimin me leje;

ii) identifikimit dhe verifikimit në terren të çdo ndërtimi pa leje;

iii) hartës/fotografisë së gjendjes ndërtimore.

2. Njësia e urbanistikës në njësinë e qeverisjes vendore, pajis çdo subjekt me formularin përkatës të vetëdeklarimit. Formulari, i shoqëruar me fotografitë e katër pamjeve të objektit, plotësohet dhe nënshkruhet nga subjekti në dy kopje. Njëra kopje, e nënshkruar edhe nga punonjësi pranues, e protokolluar dhe e vulosur me vulën e institucionit, i kthehet subjektit.

3. Të dhënat e mbledhura nga vetëdeklarimi regjistrohen, verifikohen, ruhen, përpunohen, krahasohen, përdoren dhe komunikohen, por nuk ndryshohen, korrigjohen ose fshihen.

4. Për çdo deklarim të kryer, hapet një dosje e veçantë, ku shënohen:

a) emri i qarkut përkatës;

b) emri i komunës/bashkisë, së cilës i përket ndërtimi pa leje;

c) numri i zonës, sipas modelit “Fleta e regjistrit të të dhënave të formularëve”, i vendndodhjes së objektit apo shtesës pa leje, të deklaruar;

ç) numri rendor, i vendosur nga njësia e urbanistikës, për numërimin e banesave, sipas përcaktimit të ligjit nr.9296, datë 21.10.2004 “Për verifikimin, identifikimin dhe regjistrimin e shtetasve nga njësitë e qeverisjes vendore”;

d) numri i protokollit të komunës/bashkisë, ku është dorëzuar vetëdeklarimi.

5. Të dhënat e deklaruara nëpërmjet formularit të vetëdeklarimit regjistrohen në regjistrin e zonës, sipas modelit “Fleta e regjistrit të të dhënave të formularëve”, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

6. Shtesat anësore apo në lartësi mbi ndërtimet me leje regjistrohen në një regjistër të veçantë, ku shënohen adresa e truallit të ndërtimit dhe specifikimet përkatëse.

7. Regjistri me ndërtime pa leje, regjistri i shtesave, me sipërfaqe tej lejes së miratuar, si dhe regjistri i shtesave për objektet të ndërtuara para vitit 1993, sipas modeleve përkatëse, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

8. Zyra e Urbanistikës në njësinë e qeverisjes vendore, për çdo formular vetëdeklarimi të kryer:

a) identifikon, në hartën/fotografinë e gjendjes ndërtimore, objektin pa leje apo shtesën në ndërtimin me leje;

b) verifikon në terren çdo tregues dhe bashkësinë e tyre;

c) harton procesverbalin e konstatimit.

9. Procesverbali i konstatimit, sipas modelit të miratuar nga ALUIZNI, ruhet në dosjen e objektit të deklaruar.

II. Procedurat e përpunimit të të dhënave

10. Objektet e deklaruara dhe të identifikuara grupohen në:

i) ndërtime në pritje të legalizimit;

ii) ndërtime për t’u prishur;

iii) ndërtime me procedurë të pezulluar.

11. Në procesverbalin e konstatimit:

a) për ndërtimet me deklarim të pasaktë të sipërfaqes së tokës së zënë, të sipërfaqes së ndërtimit dhe të numrit të kateve, shënohet “deklarimi i rremë”;

b) për objektet e paidentifikuara në hartën/fotografinë e gjendjes ndërtimore, shënohet “i kryer pas hyrjes në fuqi të ligjit”;

c) për ndërtimet, të cilat ndodhen në kushtet e mospërfshirjes në procesin e legalizimit, nga pengesat e vendosura nga neni 39 i ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, shënohet “i përjashtuar nga legalizimi”;

ç) për objektet e ndërtuara në troje private, brenda vijës së verdhë, kur planet e përgjithshme rregulluese/studimet urbanistike në fuqi, që parashikojnë ndërtime mbi 5 kate nga niveli i tokës, shënohet “i përjashtuar nga legalizimi për shkak studimi”.

12. Grupimi i ndërtimeve për t’u prishur përbëhet nga të gjitha ndërtimet, ku procesverbali i konstatimit përmban shënimin “deklarim i rremë”, ” i kryer pas hyrjes në fuqi të ligjit” ose “i përjashtuar nga legalizimi”.

13. Në grupimin e ndërtimeve “me procedurë të pezulluar legalizimi” përfshihen të gjitha ato objekte, për të cilat ka filluar procedimi gjyqësor, sipas përcaktimeve të neneve 13 e 26 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, ose për të cilat është vendosur masë sigurie, me vendim gjykate, sipas përcaktimit të neneve 40 të po këtij ligji.

14. Objektet e deklaruara nga subjekte, të cilat kanë ndërtuar më shumë se një ndërtim pa leje, të identifikuara pas depozitimit të deklarimit të zgjedhjes dhe heqjes dorë nga ushtrimi i së drejtës mbi parcelën ndërtimore, grupohen në listën e ndërtimeve “legalizim me kushtet e tregut”.

15. Sipërfaqja e zënë nga ndërtimet pa leje, të futur në grupin “në pritje të legalizimit”, sipas vendndodhjes, paraqitet në hartë, dhe, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, në relacionin përkatës përshkruhen kufiri i kësaj sipërfaqeje dhe pozicioni topografik i saj.

Këtu përfshin edhe objektet e përshkruara në pikën 14 të këtij vendimi.

Për secilën zonë hapet një regjistër i veçantë.

Tërësia e të dhënave të secilës zonë pasqyrohet në “Pasqyrën përmbledhëse të të dhënave të zonës”, sipas modelit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

16. Sipërfaqja e zonës, e pasqyruar në hartë, emërtohet me njërën nga termat e përcaktuar në nenin 3 të ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, sipas kritereve:

a) të vendndodhjes;

b) të sasisë së sipërfaqes së zënë nga ndërtimet pa leje, të vendosura mbi të.

17. Harta/fotografia e gjendjes ndërtimore, pas miratimit të kufirit gjeografik të shtrirjes së ndërtimeve pa leje, përditësohet në terren nga njësia e qeverisjes vendore, sipas kësaj procedure:

a) Verifikohen të dhënat e deklaruara të objektit të identifikuar në hartën/fotografinë;

b) Identifikohen në terren kufijtë e parcelës ndërtimore dhe pasqyrohen në genplan, në shkallën 1:500;

c) Pasqyrohen në hartën e zonës genplani i objektit, kufiri i parcelës ndërtimore dhe kondicionet urbane;

ç) Saktësohet me përshkrim kufiri i secilës parcelë me kufitarët, sipas gjendjes faktike.

d) Pas miratimit të kufijve të zonës në KRRT-në përkatëse dhe miratimit të kontratave të kalimit të pronësisë në këshillin bashkiak a komunal, harta e zonës i kalon strukturës përkatëse të ALUIZNI-t.

III. Procedurat e administrimit të të dhënave

18. Gjatë periudhës katërmujore të vetëdeklarimit dhe procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje, njësitë e qeverisjes vendore procedojnë si më poshtë:

a) Zyra e urbanistikës në njësinë e qeverisjes vendore plotëson dosjet e vetëdeklarimeve, që përmbajnë të gjithë dokumentacionin, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim. Dosja e “ndërtimit në pritje të legalizimit”, në përfundim të procesit të plotësimit dërgohet për miratim në zyrën përkatëse të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale. Dosjet e vetëdeklarimeve arkivohen dhe administrohen, në përputhje me dispozitat e ligjit për arkivat.

b) Pas depozitimit të vendimit përkatës, në dosjen e objektit për t’u prishur dërgohet në organin, që mbulon prishjen e ndërtimeve pa leje njoftimi për ekzekutim.

c) Dosjet e objekteve me procedura të pezulluara të legalizimit ruhen sipas ligjit “Për arkivat” dhe me depozitimin e vendimit të formës së prerë të gjykatës, rihapet procedura e legalizimit.

ç) Dosjet për objektet “e përjashtuara nga legalizimi për shkak studimi”, pas evidencimit dhe nënshkrimit fletë për fletë nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, arkivohen dhe ruhen sipas legjislacionit për arkivat.

d) Kontratat e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore dhe pagesat e kryera për të përbëjnë dokumentacionin financiar dhe ruhen në dosjen përkatëse.

19. Dosja e ndërtimit pa leje, përmban dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Formularin e vetëdeklarimit, bashkë me dokumentacionin shoqërues të tij.

b) Dokumentacionin, teknik e ligjor, për legalizimin e ndërtimit pa leje apo të shtesës mbi ndërtimin me leje.

c) Procesverbalin e konstatimit, të njësisë së qeverisjes vendore.

ç)Vendimin dhe/ose shkresën e gjykatës për pezullimin e procedurave të legalizimit ose për vendosje mase sigurie.

d) Deklaratën e zgjedhjes së objektit dhe e heqjes dorë nga përfitimi, në rastet e dy a më shumë ndërtimeve pa leje, të deklaruara nga i njëjti subjekt.

dh) Mandatpagesat.

e) Vendimet e miratimit.

ë) Dokumentacionin e vlerësimit, nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore.

Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, pas pajisjes së dosjes me lejen e legalizimit, kryen procedurat e regjistrimit fillestar.

20. Zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe Instituti i Topografisë Ushtarake, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Instituti i Studimit të Tokave, Instituti i Projektimeve dhe Studimeve Urbane, Instituti i Ndërtimit, njësitë e qeverisjes vendore, të çdo niveli,  janë palë pjesëmarrëse aktive në procesin e legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të ndërtimeve pa leje dhe janë të detyruara të përgatisin e të vënë në dispozicion të njësive të qeverisjes vendore dhe ALUIZNI-t, të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, për realizimin e këtij procesi.

21. Zyra Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përcakton me hollësi masat dhe veprimet, që duhen ndërmarrë për inventarizimin, transferimin dhe kompensimin e tokës, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

IV. Informatizimi i të dhënave

22. Zyra Qendrore e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale mbledh, trajton e administron të dhënat për ndërtimet pa leje dhe pronësinë mbi to. Ajo ndjek edhe ecurinë e procesit të legalizimit dhe vë në dispozicion të zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme përkatëse dokumentacionin e nevojshëm.

Informatizimi i të dhënave, “baza e të dhënave”, përfshin çdo tregues të veçantë apo bashkësi të treguesve të një ndërtimi pa leje dhe dokumentacionin zyrtar, të pranuar apo të lëshuar, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

Baza e të dhënave është e njëjtë për të gjitha strukturat e ngarkuara për legalizimin dhe regjistrimin, në regjistrat e pasurive të paluajtshme, të ndërtimeve pa leje dhe të truallit, mbi të cilin janë ngritur.

23. Baza e të dhënave të sistemit të informatizimit për ndërtimet pa leje:

a) ndalohet të përdoret për qëllime të ndryshme nga ato të parashikuara në këtë vendim;

b) ndalohet t’u transmetohet institucioneve, enteve ose subjekteve, të ndryshme nga ato të parashikuara në këtë vendim;

c) mund të përdoret gjatë procedimeve, gjyqësore ose administrative.

Kur gjatë një procedimi, juridik a administrativ, vërtetohet se të dhënat janë të pasakta, të paplota ose të trajtuara në kundërshtim me parimet e këtij vendimi, autoriteti procedues njofton zyrën qendrore të ALUIZNI-t.

24. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, institutet e administratës qendrore dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

VENDIM Nr. 397 PËR MIRATIMIN E PLANVEPRIMIT PËR LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN DHE INTEGRIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Miratimin e planveprimit për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, sipas matricës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen të gjitha ministritë, prefektët dhe institucionet qendrore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Sali Berisha