Deklarate per shtyp 15.08.2016

Nëse për shumicën e institucioneve të shtetit, këta muaj janë periudhë pushimi, për ALUIZNI-n situata qëndron ndryshe.

Muajt e verës (dhe vecanërisht periudha gusht-shtator) janë periudha kur kthehen në atdhe emigrantët nga e gjithë bota. Gjatë gjithë kohës ne marrim emaile, letra, mesazhe e kërkesa nga ana e tyre, për përfshirjen në procedurat e legalizimit apo për vazhdimin e tyre, kur i kanë nisur dhe nuk i kanë përfunduar dot.

Ju bëj thirrje të gjithë atyre emigrantëve të interesuar që të përfitojnë nga këto muaj për të përmbylluar procedurat e legalizimit të shtëpive të tyre. Të jenë të bindur që personelin e ALUIZNI-t do t’a kenë në dispozicionin e tyre gjatë gjithë muajit gusht.

Foto Artan Lame

Gjithashtu, pikërisht për shkak të kësaj mbingarkese momentale, do të kërkoja mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë për t’ju hapur udhë emigrantëve në këtë moment piku. Moment ky që përfundon pas mesit të shtatorit, kur emigrantët do të kthehen në vendet e tyre të qëndrimit.

Largësia nga atdheu e vështirëson për ta ndjekjen e procedurave, ndaj le t’ju gjendemi pranë në këtë moment nevoje.

Ne kemi marrë masa për të siguruar sportele të veçanta pranë Drejtorive tona, për këtë masë të madhe qytetarësh shqiptarë që, gjatë qëndrimit në Shqipëri, të mund të kryejnë në mënyrë preferenciale procedurat e legalizimit të shtëpive të tyre.

Jam i bindur që në këtë gjë do të gjejmë edhe mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë, për të ndihmuar bashkatdhetarët tanë.

Ndërsa për të gjithë rastet e tjera, pra për legalizimet normale, prisni me qetësi në shtëpi ardhjen e ekipeve tona.

Është kënaqësi të shohësh pritshmërinë e madhe të qytetarëve, por le të koordinohemi së bashku për ta çuar procesin përpara.

Sot ALUIZNI është shndërruar për shumë qytetarë një sportel ku mund të diskutojnë dhe konsultohen, jo vetëm për problematika të legalizimeve, por edhe për probleme të tjera që lidhen me çështje pronësie, kthimi pronash, hipotekimi, privatizimi, dokumentacioni ligjor, çështje gjyqësore, ndërtimesh pa leje, e të tjera.

Ka qenë dhe mbetet detyrim i yni të sqarojmë qytetarët, duke ju ofruar zgjidhje problematikave të tyre, apo duke i orientuar në xhunglën e legjislacionit shqiptar.

Ne jemi të angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrës ndaj qytetarëve dhe për të mbetur një shembull se është e mundur të ndërtohen Institucione të besueshme dhe të ndershme në këtë vend.

Bashkarisht e kemi filluar ketë proces dhe bashkarisht do t’i shkojmë deri në fund.

Ju faleminderit,

DREJTORI I PERGJITHSHEM

ARTAN LAME

Pyetjet dhe pergjigjet e gazetareve mund t’i gjeni ketu.