DEKLARATË SHTYPI

Drejtori i Përgjithshëm Z. Artan Lame ka dhënë sot një deklaratë për shtyp mbi të ardhurat që ka mbledhur ALUIZNI për periudhën janar – gusht 2015.

Në këtë hark kohor janë janë arkëtuar 1,4 miliard lekë.

Artan Lame

Më poshtë gjeni deklaratën e plotë

Një prej elementeve thelbësorë të procesin e legalizimeve, ka qenë dhe mbetet koordinimi i procesit të legalizimeve me atë të kompensimit të pronarëve që ju është zënë trualli nga këto ndërtime.

 

Kujtoj këtu se i vetmi detyrim që ju mbetet qytetarëve që kanë ndërtuar në truall jo të tyrin, pra shtet apo me pronar, është pikërisht pagesa e truallit.

Në këtë pagesë, qytetarët përfitojnë një sere uljesh, pasi çmimi i truallit përllogaritet deri në 2.000 lekë/m2, pavarësisht nga vlera e tregut; ai përfiton ulje 20% për pagesë të menjëhershme; deri 50% mund të paguhet me letra me vlerë; etj.

Të gjitha këto parashikime kanë bërë që qytetarët e interesuar të përfshihen masivisht në procesin e pagesës së truallit, me qëllimin përfundimtar legalizimin dhe formalizimin e pronës së tyre.

 

Sot, pas një viti e gjysëm të operimit të kësa skeme, do të doja të publikoja disa shifra rreth realizimit të të ardhurave nga ky proces.

Për periudhën maj – dhjetor 2014, u arkëtuan 307 milion lekë.

Ndërsa për periudhën janar – gusht 2015, janë arkëtuar 1,4 miliard lekë.

Eshtë vendi të kujtoj se plani vjetor sipas buxhetit të shtetit ka qenë 1 miliard lekë dhe, me këto ritme pagesash, parashikojmë që deri në fund të vitit ai të realizohet mbi 160%.

 

Kontributin më të madh në arkëtimin e këtyre të ardhurave, e ka dhënë:

Drejtoria e ALUIZNI-t Tirana-1, në shumën 425 milion lekë.

Drejtoria e ALUIZNI-t Durrës, 370 milion lekë.

Drejtoria e ALUIZNI-t Vlorë, 133 milion lekë.

Drejtoria e ALUIZNI-t Fier, 101 milion lekë.

Drejtoria e ALUIZNI-t Tirana-3, 80 milion lekë.

Drejtoria e ALUIZNI-t Shkodër, 72 milion lekë.

 

Ndjehem realisht krenar me punën e bërë nga këto drejtori rajonale, por edhe nga i gjithë stafi i ALUIZNI-t, për tejkalimin e një objektivi të tillë.

Por nga ana tjetër, një realizim dhe tejkalim i tillë, është një shenjë e qartë e besimit të publikut tek procesi i legalizimit dhe tek skema e adoptuar nga qeveria e sotme për mënyrën e operimit.

 

Po ku shkojnë këto të ardhura?

Në zbatim të Ligjit 10239 të vitit 2010 “Për krijimin e Fondit Special të kompesimit të pronave”, e gjithë shuma e arkëtimeve, ka destinacion pagesën e pronarëve të shpronësuar nga procesi i legalizimit. Në këtë proces, edhe paratë që grumbullohen nga trualli shtet, shkojnë për të plotësuar shpërblimin e ish-pronarëve.

 

Më konkretisht, për periudhën maj – dhjetor 2014, u kompensuan 460 ish-pronarë.

Ndërsa për periudhën janar – gusht 2015, janë përfshirë në procesin e kompensimit 2290 ish-pronarë.

 

Veç kësaj, shteti, përmes ALUIZNI-t, kontribuon edhe në paqen sociale midis shqiptarëve, duke grumbulluar paratë nga parcelat e zëna dhe duke jua shpërndarë pronarëve të tyre. Dhe duke shmangur në këtë mënyrë përplasjen midis tyre.

Edhe nga kjo pikëpamje duhet thenë se procesi i legalizimeve ka krijuar besim edhe tek kjo shtresë qytetarësh, e cila prej vitesh ishte zënë në kurthin pa dalje që truallin as e gëzonte dot se ju ishte zënë, e as mund të kompensohej sepse procesi i legalizimeve kishte ngecur.

 

Nëpër drejtoritë tona rajonale, si edhe në drejtorinë e përgjithshme, janë depozituar një numër i madh kërkesash të ish-pronarëve që ju është zënë trualli me ndërtime pa leje dhe që kërkojnë përshpejtimin e procesit të legalizimit, pikërisht me qëllimin që ata të përfitojnë kompensimin financiar për truallin e zënë.

 

Të gjithë këtë proces, në një kuadër më të gjerë, ne e shohim si pjesë e reformës së madhe të Qeverisë Shqiptare për formalizimin e pronës dhe ekonomisë shqiptare.

 

Bashkarisht e kemi filluar ketë proces dhe bashkarisht do t’i shkojmë deri në fund.

Ju faleminderit,