DEKLARATE SHTYPI

Tiranë, 12.06.2015

Jam përpara jush për të dhënë një lajm të gëzueshëm për rreth 50.000 familje shqiptare.

Dje në Kuvend u miratua shtesa në ligjin e Legalizimeve, e cila mundëson përfshirjen në procesin e legalizimeve të rreth 50.000 objekteve që aktualisht ishin të bllokuara.

IMG-20150612-WA0003-1

Përpara 7 vjetësh, në nëntor të vitit 2008, u miratua një ndryshim në Kodin Penal, i cili do të konsideronte vepër penale dhe, për rrjedhojë përjashtonte nga legalizmi, ndërtimet e bëra pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve.

Këto ndryshime hynë në fuqi më 15 janar 2009 dhe për rrjedhojë të gjitha ndërtimet e bëra pas kësaj date, nuk do të përfshiheshin në legalizim.

Asokohe ky ndryshim u miratua me konsensus të gjerë parlamentar, si një ndihmë që ju dha qeverisë së atëhershme, me shpresën se do të ndihmonte për të frenuar valën e ndërtimeve pa leje.

Por për fat të keq, ajo qeveri në gjithë vitet që pasuan, nuk qe në gjendje:

-as të vendoste kontrollin mbi territorin,

-as të ndërgjegjësonte qytetarët që duke ndërtuar pa leje po kryenin tashmë një vepër penale, dhe

-as të mbulonte territorin me studime, sipas të cilave qytetarët do mund të ndërtonin brenda ligjeve.

Rezultati i gjithë kësaj çoroditjeje, ishte krijimi i një fashe prej rreth 40-50.000 ndërtimeve të tjera pa leje, por të cilat deri sot as mund të legalizohen dhe, nga ana tjetër, qytetarët gjenden në kushtet e kryerjes së një vepre penale.

Në këto kushte, Qeveria përgatiti një projekt, që i hap rrugën përfshirjes në procesin e legalizmit të kësaj mase ndërtimesh, në të njëjtat kushte barazie me të gjithë qytetarët e tjerë. Projekt i cili dje u miratua në Kuvend.

Ajo që ishte e pabesueshme dje, qe fakti i kundërshtimit të deputetëve të opozitës për këtë projekt, si në Komisione ashtu edhe ne seance plenare, duke mos qenë fare prezent.

Theksoj se, të të gjithë këta qytetarë, përfshihen në procesin e legalizimeve njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë, pra edhe për ta i gjithë procesi i legalizimit është falas.

Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kanë ndërtuar në truall me pronar apo në truall shtet, midis datave janar 2009 deri në qersor 2014, të paraqiten me qetësi në sportelet tona që nëse nuk kanë bërë vetëdeklarimin ende, ta kryejnë atë.

Me tej të presin me qetësi ekipet e ALUIZNI-t që do t’ju shkojnë në shtëpi për të bërë matjet dhe për të vijuar procesin.

Bashkarisht e kemi filluar ketë proces dhe bashkarisht do t’i shkojmë deri në fund.

Ju faleminderit,

 

DREJTORI I PERGJITHSHEM

ARTAN LAME