Hyn në fuqi ligji i ri për “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar

aluizniiiii foto

Sot, më datë 27 qershor 2014 hyri në fuqi ligji nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar.

Ky ligj zbatohet për objektet e ndërtuara pa leje deri më 15.1.2009, me funksione banimi, veprimtari ekonomike apo funksione të tjera social kulturore, dhe që disponohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar, përfshirë dhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer procedurën e vetëdeklarimit për legalizim, sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj. Fusha e zbatimit të këtij ligji shtrihet edhe për ndërtimet pa leje, të ngritura pas datës 15.1.2009, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që ato të jenë të ngritura në truall në pronësi të personit posedues të ndërtimit pa leje, si dhe procedura e legalizimit të mos kërkojë kalimin e së drejtës së pronësi së mbi truallin.

Objektet ndihmëse në shërbim të ndërtimeve pa leje legalizohen vetëm në qoftë se janë ngritur brenda sipërfaqes së parcelës ndërtimore. Të gjitha ndërtimet e tjera pa leje, të cilat nuk u përgjigjen kushteve të cituara më sipër, nuk do të trajtohen.

Të gjitha pagesat për shërbimet (matjet në terren, përditësimi, lidhja e kontratave) janë falas. Penalitetet dhe kamatë vonesat për ndërtimin në proces legalizimi falen. Për familjet që kanë investuar dhe ndërtuar për banim në tokë në pronësi të tyre, legalizimi do të bëhet tërësisht falas. Vlera e truallit të zënë nga ndërtimi pa leje, është i vetmi detyrim financiar, për ata që kanë ndërtuar në tokë shtetërore apo të pronarëve.

Personat që kanë statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik dhe që posedojnë ndërtim pa leje përfitojnë falas parcelën ndërtimore.

Poseduesit e ndërtimeve pa leje që kanë në përbërje familjare persona me statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik, përfitojnë 50% zbritje nga vlera e parcelës ndërtimore.

Përfitojnë zbritje në masën 30% nga vlera e parcelës poseduesit e ndërtimeve pa leje që janë subjekte të ndihmës ekonomike.

 

Ligji i ri për “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” – Kliko këtu