Konferenca për shtyp në përfundim të tryezës rajonale

Tryeza rajonale dy-ditore “Informaliteti në Territor, Sfida dhe Zgjidhje”ALUIZMI - KONFERENCE (1)

Konferenca për shtyp/ DT. 28/02/2015

Përfundoi sot punimet tryeza rajonale “Informaliteti në Territor, Sfida dhe Zgjidhje” e organizuar nga ALUIZNI me përfaqësues të institucioneve përkatëse nga vendet e Ballkanit, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.  Në përfundim të punimeve dy ditore u mbajt konferenca për shtyp.

Artan Lame, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Tiranë

“Jemi në ditën e dytë të takimit rajonal për informalitetin, problematikat, sfidat dhe zgjidhjet. Natyrisht që zgjidhjet nuk do të vijnë nga takimi i sotëm, por një mori zgjidhjesh dhe mundësish operimi u diskutuan në këtë tryezë. Vërtetuam gjatë takimit se problematikat i kemi ku më pak e ku më shumë të njëjta. Vijmë nga e njëjta trashëgimi, të gjithë ballkanas, kemi po të njëjtit popuj të cilët në histori kanë ndjekur pak a shumë të njëjtën rrugë e të njëjtin fat, kështu që edhe problematikat që trashëgojmë janë po ato. Kjo bën që gjithçka ndodhi pas viteve ’90, ky më pak e ku më shumë të ndjekim njëri-tjetrin. Në fakt në gjithë këtë mori popujsh e kombesh të Ballkanit ndoshta Shqipëria e pati më të fortë traumën se sistemi i saj komunist ishte më ekstremi.  Në gjithë këto vite jemi mbledhur për shumë lloj gjërash, është hera e parë që mblidhemi për një problem që ka të bëjë me fatet dhe mirëqenien e popujve tanë, që është ilegaliteti në territor. Problem të cilin është koha ta trajtojmë si mundësi për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, por dhe për përmirësimin e perfomancës së qeverisjes në vendet tona përkatëse. Ballkani nuk është vetëm Shqipëria, Kosova, Mali  i Zi dhe Maqedonia, por kjo pjesë e Ballkanit e ka këtë problematikë më të fortë. Veçantia më e madhe e Shqipërisë mbetet shifra, pasi rezulton në 427 mijë objekte pa leje. Shqipëria e ka formatin e pronësisë tërësisht të ndryshëm nga vendet e tjera dhe për fat të keq nëse do të themi një të vërtetë të dhimbshme e ka shumë të dobët respektin ndaj pronës, respekt ndaj pronës që ka bërë që në vendet e rajonit që të ndërtohet në pronën e tyre. Ndërtimet pa leje, ato rreth 600-700 mijë ndërtime  në vendet e tjera të marra së bashku janë ndërtime pa leje në pronën e tyre , nuk kanë prekur prona të shtetit dhe aq më pak prona të të tretëve. Për mungesë të respektit të pronës në Shqipëri, problemi më i madh që ngadalëson zgjidhjen mbetet problemi i pronës.“

Radmila Lainovic, Këshilltare në Ministrinë e Zhvillimit Urban e Turizmit në Malin e ZI

Së pari dua të falënderoj organizatorët shqiptarë për për këtë tryezë të rrumbullakët, ishte n jë eksperiencë shumë e mirë për të gjithë ne për të ndarë eksperiencat tona në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Vura re që kemi probleme të përbashkëta në këtë fushë dhe mendoj se është një gjë shumë e mirë që të takohemi dhe të ndajmë mendimet, praktikat dhe qëndrimet tona ndaj këtij procesi.

Agim Radoniqi, zv.drejtor i Departamentit për Planifikimin Hapësinor, Ndërtim dhe Banim në Kosovë

Ishte kënaqësi të marrim pjesë në tryezën rajonale për informalitetin që trajton sfidat, zgjidhjet apo mundësitë që janë para nesh në fushën e ndërtimeve pa leje.  Nëse e shoqërojmë me shifra ose me bazë të dhënave shifra në këto katër shtetet të Ballkanit na del një shifër jo e vogël, e kalon 1 milionëshin dhe është pra një shqetësim për të gjithë, në nivelin qendror e komunal. Kjo është një përgjegjësi për të gjitha shtetet se është momenti i fundit për të futur këtë proces në rregullim ligjor të mëtejshëm.  Çdo vend ka ligje të ndryshme dhe praktika të ndryshme por ky takim ka qenë një takim i frytshëm dhe shpresoj se në të ardhmen të kemi një bashkëpunim të mëtejshëm.

Jakup Fetahi Përfaqësues i Kadastrës, Maqedonia

Falënderoj ALUIZNI-n dhe zotin lame për një mikpritje të shkëlqyer. Të katër shtetet diskutuan një problematikë shumë shqetësuese, që pak a shumë është e njëjtë në 4 shtetet, që siç tha zoti Lame nuk do të zgjidhen në këtë tryezë, por shpresojmë që tryeza të ngjashme të organizohen edhe në vendet e tjera pjesëmarrëse.