Konferencë e përbashkët për shtyp mes ALUIZNI-t dhe IKMT

Lame- Bici konference

 

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, dhe Kryeinspektoria e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (Ish-INUK), Dallëndyshe Bici, mbajtën sot një konferencë të përbashkët për shtyp mbi çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e territorit dhe planifikimin urban. 

Drejtori i ALUIZNI-t vuri theksin tek afati i fundit për vetdeklarimet e ndërtimeve pa leje, që është 31 janari 2015, duke bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë këtë afat.
Ndërsa zonja Bici vuri theksin tek ndryshimet e reja që janë bërë në Kodin Penal, ku parashikohet dënimi me burg deri ne 5 vjet për ata që ndërtojnë pa leje.

AGJENSIA E LEGALIZIMIT, URBANIZIMIT DHE INTEGRIMIT TE ZONAVE/NDERTIMEVE INFORMALE

 DEKLARATE SHTYPI

Tiranë, 20.01.2014

 Në ditët e fundit të vitit që lamë pas, njoftuam të gjithë qytetarët e interesuar se procesi i vetëdeklarimeve të reja do të shtyhej deri më datë 31 janar 2015.

 E bëmë këtë shtyrje me qëllim që:

1. T’ju jepnim mundësi sa më shumë qytetarëve të përfshihen në procesin e legalizmimeve.

2. Ditët e fundit të vitit që lamë pas u kthyen në atdhe në mënyrë masive mijëra emigrantë, një pjesë e të cilëve kanë problem me legalizimin.

Nëpërmjet shtyrjes së këtij afati, u dhamë mundësi atyre që qetësisht të bëhen pjesë edhe ata të kësaj reforme.

3. Shtyrja e afatit do të ulte presionin mbi sportelet tona, duke krijuar më tepër mundësi për një shërbim më cilësor qytetarët.

Që prej datës 5 janar të këtij viti dhe në vazhdim, të 14 Drejtoritë Rajonale dhe të 11 sportelet shtesë të hapura prej nesh nëpër qytete, janë në dispozicion të qytetarëve për kryerjen e procedurave të vetdeklarimit.

Kështu pas kësaj thirrjeje të fundit, askush nuk mund të ankohet se nuk ka patur mundësi të kryejë procedura vetdeklarimi dhe se nuk ka patur mundësi të përfshihet në proces.

Të gjithë qytetarët kanë ende kohë të paraqiten në sportelet tona, të cilët janë në dispozicion të tyre për të kryer procedurat e vetëdeklarimit deri më 31 janar.

Sidoqoftë, në këtë moment, dëshiroj t’u kujtoj të gjithë qytetarëve edhe një anë tjetër të këtij realiteti. Tashmë jemi të gjithë dëshmitarë të faktit se qeveria shqiptare po merr një sërë masash për përmirësimin e situatës urbane në vend.

Në fund të vitit 2014, në Kuvend u miratuan disa ndryshime në Kodin Penal, midis të cilëve edhe ai që i kthen ndërtimet pa leje në vepër penale të dënueshme deri në 5 vjet.

Kryeinspektorja e INUK-ut theksoi këtu faktin e hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve pikërisht në 1 shkurt dhe të pasojave për të gjithë ata që ende s’duan të kuptojnë se shumica e shqiptarëve ka zgjedhur rrugën e zbatimit të ligjit.

Bashkëpunimi i strukturave tona i deritanishëm ka qenë rezultativ. Janë të dukshme anekënd vendit hapësirat publike të çliruara nga ndërtime të paligjshme dhe që ju kishin zënë frymën qyteteve dhe qytetarëve.

Procesi i vetëdeklarimeve është hapi i parë në procesin e legalizimit të banesave. Më tej është i domosdoshëm edhe impenjimi i qytetarëve në këtë proces, ku strukturat tona kanë marrë përsipër kryerjen e të gjitha procedurave në terren dhe qeveria shqiptare ka marrë përsipër përballimin e të gjitha këtyre procedurave falas.

Fokusi ynë do të jetë si deri tani i përqëndruar tek legalizimi i banesave, tek legalizmi i zona informale, proces i cili zgjidh hallin e pronës të këtyre qindra mijë qytetarëve.

Ju bëj thirrje qytetarëve si deri më sot t’ju hapin dyert punonjësve tanë, t’i ndihmojnë dhe mbështesin ata në procesin e rilevimeve në terren, të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm deri në marrjen e lejes së legalizimit.

Ka vetëm një mundësi që qytetet tona të urbanizohen me dinjitet dhe të kthehen në qendra urbane ku çdo pronë është e ligjshme dhe ku çdo ndërtim i paligjshëm apo i palegalizuar do të prishet me vullnetin e përbashkët të qytetarëve.

Kjo është rruga e zbatimit të të gjitha procedurave që finalizohen në lejen e legalizimit.

Bashkarisht e kemi nisur këtë reformë dhë bashkarisht do ta përfundojmë me sukses.

Ju faleminderit.

DREJTORI I PERGJITHSHEM

ARTAN LAME

 

INSPEKTORIATI KOMBETAR I MBROJTJES SE TERRITORIT

Nuk jemi më INUK, por Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit duke vënë në prioritet absolut mbrojtjen e territorit  në Republikën e Shqipërisë.

Krahas prezencës  së këtij inspektoriati në të gjithë Republikën e Shqipërisë është e shoqëruar dhe me ndëshkime legjislative.

Në këtë aspect doja të kujtoja se më dt. 01 shkurt 2015 hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, ku për ndërtimet pa leje është hequr koncepti i dënimit me gjobë dhe duke u zëvendësuar me dënimin me burg.

Është shtuar koncepti i pasojave të rënda qoftë në tokë private ashtu dhe në atë shtetërore duke vendosur një dënim maksimal deri në 5 vjet.

Është shtuar dënimi për personat që japin ndihmë për ndërtimet e paligjshme, duke vendosur si masë dënimi burgim deri në 3 vjet dhe në këtë kuadër duhet të kemi parasysh sipërmarrësit, ndërtuesit apo zbatuesit e punimeve.

Ne kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve dhe bëjmë thirrje që të mos ndërtohet më pa leje.

KRYEINSPEKTORE

 DALLENDYSHE BICI