Lame: Si po punohet për legalizimin e ndërtimeve informale në Tiranë

lame bathore  (16)

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, ishte sot pranë disa zyrave të ALUIZNI-t për të ndjekur nga afër punën në terren të grupeve të punës që bëjnë matjet shtëpi më shtëpi.  Lame u ndalua fillimisht në zonën e Ali Demit, ku mori pjesë në matjet që grupet e punës së specialistëve të ALUIZNI-t po bënin në ndërtimet informale në këtë zonë. Më pas Lame u ndal në zyrën e ALUIZNI-t në Bathore ku sqaroi për mediat hartën e zonave informale në Tiranë dhe se si ALUIZNI po punon për ta çuar procesin e legalizimeve përpara.

ALUIZNI ka 40 grupe pune, rreth 100 specialistë, që punojnë në terren vetëm në qytetin e Tiranës me matjet e ndërtimeve informale të vetdeklaruara. Këto grupe pune po shfrytëzojnë edhe fundjavat për të bërë matje masive. Tirana është një nga qytetet me numrin më të madh të ndërtimeve informale me rreth 45 mijë vetdeklarime.

Gjatë komunikimit me mediat Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, ndër të tjera tha se “pritet tu jepet zgjidhje rreth 14 mijë ndërtimeve pa leje të penalizuara nga parashikimet absurde të Planeve Urbanistike të Bashkisë Tiranë dhe Bashkisë Kamëz”.

Prononcimi i plotë para mediave:

“Këtu jemi në zonën e Bathores dhe është një nga zyrat rajonale të drejtorisë së ALUIZN-it Tiranë të hapura pikërisht në një zonë informale. Për shkak të numrit të lartë të ndërtimeve pa leje dhe vetdeklarimeve që përfshin qarku Tiranë është e pamundur që ato të menaxhoheshin vetëm nga një zyrë qendrore brenda në qytetin e Tiranës. Për këtë menduam, dhe ka mbi një vit që janë hapur këto zyra, hapjen prej një numri prej 10-12 zyrash vendore pranë zonave që kanë më tepër ndërtime pa leje, për të qenë më pranë qytetarëve.

Këto zyra qëndrojnë me sistem dezhurni me punonjës të ALUIZNI-t, të cilët presin problematikat e qytetarëve, i pyesin cili është problemi, duhet dhe ky dokument, jo këtë ta gjejmë neve, ti vazhdo na prit në filan ditë, në filan datë që të vijmë t’ju bëjmë matjet, je apo s’je në sistem, etj., dhe gjithë problematikat e pafundme që ka çdo dosje. Zyra si kjo në Bathore ka në Paskuqan, Vorë, Rrogozhinë, Laprakë, pjesë e Qarkut Tiranë.

Edhe vetë brenda qytetit Tiranë, i cili ndonjëherë duket sikur nuk i  ka të ngarkuara këto problematika, janë prapë një numër zyrash pas njësive administrative të Tiranës dhe sipas problematikave që ka secila zonë. Jo e gjithë Tirana ka të njëjtën ngarkesë ndërtesash pa leje. Për kuriozitet, përgjithësisht këto zyra janë gjetur dhe pa kosto financiare dhe kjo tregon mënyrën e vetfinancimit të një pjese të procesit. Objektet të cilat janë marrë nga ana jonë për tu përdorur si zyra vendore janë ose lokale të lëshuara nga qytetarët me qera, ose në disa raste janë edhe lokale të dhëna pa shpërblim, sepse i kanë ose të tepërta ose nuk ju duhen për momentin dhe me periudha tre muaj- gjashtë muaj merren dhe përdoren nga ana jonë”.