Lezhë, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame: Zgjidhje për zonat historike të mbrojtura

lame ne lezhe

Zyra e ALUIZNI-t në Lezhë organizoi sot shpërndarjen e lejeve të legalizimit për banorët e kësaj zone, me praninë e kryeministrit Edi Rama, Ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, Artan Lame, deputetë të zonës dhe drejtues lokalë.  Zyra e ALUIZNI-t në Lezhë është hapur në mars të vitit që shkoi dhe për një vit punë ka arritur të përgatisë më shumë se 1800 leje legalizimi për qytetarët e kësaj zone, në raport me rreth 1300 leje legalizimi të shpërndara në 8 vite të qeverisjes së shkuar.

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, gjatë fjalës së tij preku çështjet problematike që prekin këtë qark që nga zonat turistike deri tek ato zona historike të mbrojtura.

“Para një viti kjo histori fillon me zonjën Gjermeni dhe mua që erdhëm në Lezhë për të shpërndarë leje legalizimi. Ishte gati qesharake situata atëherë sepse nuk kishte akoma as zyrë të ALUIZNI-t në Lezhë dhe jemi detyruar t’i ngjisim njerëzit tek shkallët e Bibliotekës për të dhënë lejet e para. Por ishte një premtim i madh për situatën e mëtejshme.

Qarku i Lezhës  i përmbledh edhe fushën, edhe malin, edhe problematikën turistike dhe varfërinë që ngërthehet shumë fort me procesin e legalizimeve. Kjo ka bërë që të ketë shumë probleme si qark dhe tipologji të ndryshme për t’u përballuar.

Në zonat e qytetit dhe në zonat ku problematika e legalizimeve ka qenë shumë e rëndë kemi operuar më përpara në mënyrë që të japim dhe shpresën tek qytetarët për ecurinë e procesit.

Probleme që ka qyteti i Lezhës brenda për brenda veçanërisht është problemi që po e ndjejnë disa zona historike, problem që në fakt po maiset me zonat historike të qytetit, ku duhet të dimë të përafrojmë nevojën për të ruajtur vlerat historike, por dhe nevojën për t’i dhënë një rrugëzgjidhje ndërtimeve të bëra në këto zona, për ato ndërtime që mund të legalizohen apo ato që mund të futen në proces. Lezha e ka shumë të fortë këtë problem veçanërisht në zonën B të mbrojtur të qytetit, që për fat të keq është tokë e zënë me ndërtime pa leje, por ka dhe një zonë që nuk kanë avancuar. Jemi duke gjetur një zgjidhje të shëndoshë për këtë zonë të qytetit dhe në ditët në vijim do t’i paraqitet qytetarëve.

Hapi i sotëm është një hap i madh pas asaj që përjetuam para një viti. Padyshim në vijim do të jenë dhe shumë më tepër qytetarë që do të bëhen pjesë e këtij procesi”, tha ndër të tjera Lame.