Lushnjë, shpërndahen leje legalizimi, Lame: Kemi fut në rrugën e zgjidhjes problemin me Hipotekën

lame1

 

Sot në qytetin e Lushnjes vijoi procesi i shpërndarjes së lejeve te legalizimit, një proces që ka shënuar hapa të përshpejtuar pas hapjes së një zyre të veçantë në qytetin e Lushnjes, e cila mbulon bashkinë Lushnje, bashkinë e Divjakës dhe disa komuna.  I pranishëm në aktivitetin e sotëm Kryeministri z.Edi Rama, Ministrja e Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t z.Artan Lame, deputetë dhe drejtues lokalë. Kryeministri Rama tha se vetëm në 10 muaj janë dhënë 590 leje në këtë zonë, më shumë se në 8 vite të qeverisjes së shkuar, që janë dhënë vetëm 490 leje, shumica prej të cilave për  lokale, hotele, apo restorante.

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame në hapjen e ceremonisë së djeshme të ndarjes së lejeve tha se ndarja e lejeve sot është në vazhdim të procesit të nisur dhe për të cilin po punohet që të mbajë të njëjtin të ritëm,  proces që do të vazhdojë deri në përmbushjen e këtij premtimi të jashtëzakonshëm që ne u  kemi bërë qytetarëve.

“Z. Kryeministër, znj. Ministre, rrethi i Lushnjes ka vetëm disa muaj që është kthyer në nëndrejtori më vete nga drejtoria e ALUIZNI-t të Qarkut Fier me qëllim që të afrohej më afër qytetarëve. Më parë i gjithë procesi duhej ndjekur në Fier, por hapja e një zyre këtu tregoi që ishte një zgjidhe rezultative. Qarku i Fierit është shumë i madh dhe ka një masë kolosale ndërtimesh pa leje, në këtë pjesë që përfshin Lushnja ka mbi 10 mijë ndërtime pa leje që janë në proces. Përtej shifrave ajo që është për tu thënë është se Lushnja vuan ende një problem të rëndë në ndryshim nga shumë qytete, ku procesi i regjistrimit të pasurisë për herë të parë ka avancuar në këto 20 vjet,  në Lushnjë akoma nga ana e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive nuk është përfunduar ky proces, i nisur që përpara 10 vitesh.  Tani Hipoteka është  në hapat e fundit dhe përfundimi i këtij procesi do të na zgjidhë një punë të jashtëzakonshme në raport me qytetarët.  Kjo është një nga ato hallka që do ta shpërthejë procesin e legalizimeve në Lushnje. Një tjetër problem ishte zhdukja e 1040 dosjeve që qytetarët i kërkonin po doli që nuk ekzistonin, ishin zhdukuar, gjë që bëri që të ribëhej nga fillimi i gjithë procesi për ta.  Mbetet një detyrë përpara ku ne po avancojmë për të përfshirë sa më shumë objekte në proces, ndërkohë që po zbatohet dhe një projekt shumë i mirë i financuar nga PNUD për komunitetin rom.  Kjo është pak a shumë situata e problemeve sepse janë të trashëguara dhe krijuara, por e them me bindje se nëse do të arrijmë të zgjidhim, siç e kemi vënë në rrugën zgjidhjes, problemin me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Lushnje do të ketë një shpërthim të vendimmarrjeve të lejeve në këtë qytet dhe në Divjakë e dy tre komuna që i mbulon kjo zyrë”, tha Lame ndër të tjera.

Ndërsa Ministrja e Zhvillimit Urban, njëkohësisht deputete e kësaj zone, znj. Englantina Gjermeni tha se ndihej mirë që po e mbajmë këtë premtim dhe në Lushnje.  “Dua të falënderoj drejtorinë qendrore dhe ALUIZNI-n në Lushnje në mënyrë të veçantë për një punë vërtetë të mirë dhe të lavdërueshme që ka bërë. Pjesa e legalizimit është hapi i parë, ndërkohë krahas projekteve të tjera që qeveria ka dhënë për Lushnjen nga fondi i zhvillimit të rajoneve apo nga fonde të tjera, do të punojmë dhe me urbanizimin,  për ti ofruar shërbime të tjera qytetarëve që marrin lejet e legalizimit.  Procesi i legalizimeve është i vështirë sepse kërkon që punonjësi të bëjë punën e tyre, por kërkon dhe bashkëpunimin e qytetarëve”, tha ndër të tjera Gjermeni.