Ndahen 1010 leje legalizimi në Fushë-Krujë, Lame: Për Krujën po punojmë një strategji me Institutin e Monumenteve

Lame Fushe Kruje

 

ALUIZNI ka shpërndarë sot  1010 leje legalizimi në qytetin e Fushë -Krujës për qytetarët e kësaj zone. I pranishëm Kryeministri Z. Edi Rama, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame dhe drejtues vendorë. Gjatë fjalës së tij kreu i ALUIZNI-t Artan Lame tha se për qytetin e Krujës, që është një qytet i mbrojtur nga ana kulturore po punohet për të gjetur një zgjidhje me Institutin e Monumenteve të Kulturës. Ai evidentoi disa probleme që has legalizimi në këtë zonë, ndër të cilat dhe bllokimi legalizimeve për shkak të rrugëve të vjetra nacionale.

Fjala e plotë e Artan Lames:

“Zona që mbulon kjo nëndrejtori , zona e Fushë- Krujës është një nga 7 nëndrejtoritë e ngritura për ta çuar shërbimin tek qytetarët dhe ka ngarkesën më të madhe sepse është një nga zonat që ka mbingarkesë pasi ka të bëjë me pellgun e ultësirës perëndimore duke filluar nga Lezha deri në Vjosë që është pjesa më e madhe e ndërtimeve pa leje.  Arritjet janë të padiskutueshme dhe sot nuk dua të përmend asgjë nga situata si u gjet apo problemet e trashëguara por dua tu them dhe qytetarëve disa nga problemet që na janë paraqitur në këtë zonë dhe që po punojmë për ti zgjidhur.

Kjo zonë, qyteti i Krujës  ka vuajtur problemin e moszgjidhjes së problemit të legalizimeve në gjithë këto vite, pasi  janë ndërtime  jashtë kontrollit që do të thotë se nga njëra ana  Instituti i Monumenteve nuk u jep dot leje, por as ne nuk i legalizojmë dot sepse këto objekte bien në kundërshtim me statusin e qytetit. Këtë problem e ndeshim në disa qytete, në Elbasan, në Korçë,në Gjirokastër, etj., dhe për këtë arsye jemi duke punuar për një strategji për e këto qytete të mbrojtura. Po punojmë për të gjetur një skemë e cila do të kërkonte bashkëpunimin me Institutin e Monumenteve me drejtorinë tonë për të përshtatur këto objekte, që tashmë janë fakt,  me terrenin apo për ti përshtatur qytetit ku janë ndërtuar. Dhe është i vetmi vend që ne mund të mburremi se nuk kemi bërë legalizime, sepse në 8 vitet e qeverisjes së shkuar u bënë gjithsej 50 legalizime, që janë dhe më të këqijat e mundshme, që kanë dëmtuar Kalanë, qytetin, pazarin. Ne nuk kemi bërë asnjë legalizim sepse duam të gjejmë një zgjidhje për të shpëtuar qytetin, edhe pronën, edhe ndërtesat e këtyre qytetarëve. Ky është një nga problemet që jemi duke punuar me Krujën.

Problemi tjetër në këtë zonë ka të bëjë me zyrën e hipotekës qe përveç faktit që në këtë zonë ka akoma zona të pahedhura në sistem,  por ka dhe probleme të mbivendosjeve apo spostime.

E fundit problematikë që jemi duke e zgjidhur ka të bëjë me një pjesë të rrugëve të këtyre qyteteve, të këtyre kryeqendrave të banuara që tani janë zmadhuar, por rrugët nacionale të tyre që tani janë kthyer në rrugë të brendshme, në rrugë fshati, rrugë dytësore, ekzistojnë në regjistrat e shtetit si rrugë nacionale, gjë që bën që të mos kryhet legalizimi për shkak të distancave. Është një situatë gati absurde që jemi duke punuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve  për ta zgjidhur si problem. Janë afro 1 mijë objekte vetëm në këtë pellg që janë të bllokuar për këtë arsye.”