Ndahen 500 leje legalizimi në Kavajë

23.05.2015

Drejtori i ALUIZNI-t Artan Lame ka qenë në Kavajë për të shpërndarë leje legalizimi. I pranishëm në këtë takim ka qenë e pranishme ministrja e Zhvillimit, zj. Eglantina Gjermeni, kandidati i mazhorancës për Bashkinë Kavajë. Z. Elvis Roshi, drejtori i Tirana 3, z. Paulin Rajta si dhe shefi i sektorit z. Dorian Murati.

kavaje

Në këtë takim Lame tha:

“Elvis, në këtë proces legalizimi së bashku kemi shumë për të bërë, veçanërisht pas 21 qershorit. Është një problem që nuk e përballon dot si barrë vetëm ALUIZNI, apo vetëm Ministria, apo dhe thjesht Qeveria. Kërkon mbështetjen dhe të dy sektorëve të tjerë, të Njësive Vendore padiskutim dhe të vetë qytetarëve. Nuk është një gjë që mund ta bëjmë: qytetarët duke ndenjur në shtëpi me duarkryq duke pritur ta bëjmë ne ose ne duke ndënjur në zyra duke thënë hajde të vijnë qytetarët. Vetëm bashkë mund ta bëjmë, dhe do ta bëjmë dhe do vazhdojmë ta bëjmë.

Në këto 16,500 objekte që presin legalizimin, deri tani janë matur në terren 4300, që do të thotë diçka më tepër se ¼, që do të thotë se në 4300 familje punonjësit e ALUIZNI-t kanë shkuar derë më derë. Jo më kotë ne kemi hapur një zyrë, e cila do ngrihet dhe në kategori (po përdor një term futbollistik) pas zgjedhjeve, pikërisht për të shtuar personelin që duhet të përballojë dhe problematikën që duhet të përballojë këtu në Kavajë, në Kavajën e re le të themi, në Kavajën e zmadhuar.

Sot mblidhemi për të ndarë 500 leje legalizimi. Ndonjëherë ne përdorim këto numra 1001, 500, 2002 kemi arritur një herë në Durrës në një ditë, pikërisht për të tërhequr vëmendjen jo thjesht të qytetarëve që janë këtu, pra nuk është puna thjesht që ca qytetarë që do marrin një letër në dorë, por kur të shkoni në shtëpi t’ju thoni të afërmve tuaj, t’ju thoni komshiut që nuk ka ardhur akoma që “shiko, unë e mora legalizimin, shko plotëso ndonjë dokument që të ka mbetur, shko mere një letër që duhet shtuar, shko merre një çertifikatë në qoftë se është e nevojshme dhe shko atje sepse vërtetë kjo nuk është më një llafe rrugësh, apo një premtim që përsëritet sa herë ka fushata, por realisht po realizohet”.

Kryesisht janë leje të Bashkisë Kavajë dhe të një prej komunave më të mëdha që ka Bashkia e re e Kavajës, që është Komuna Synej që bashkë me Komunën e Golemit, me Helmësin dhe me Luzin do të jenë pjesë të Kavajës së re. Por Komuna Synej ka një rekord tjetër negativ të trashëguar nga para 2013-a, Elvis në 8 vjet ata që ishin para teje ata nuk dhanë asnjë leje legalizimi në atë komunë. Një leje nuk e dhanë dot, le të dali një të thojë që banon në Komunën Synej dhe të thonë mua ma dhanë ata, një për farë që të themi kaq u munduan dhe e dhanë një. Nuk e dhanë asnjë.

Vërtet janë ca enigma që duhet të vrasësh mendjën, por le të mos vrasim mëndjen me të kaluarën, të shohim si do ecim ne përpara.

Pra janë kryesisht të Kavajës dhe të Synejt, po flasim për një nga komunat më të mëdha të Republikës. Komuna Synej, për kuriozitet, ka mbi 2000 vetëdeklarime, janë 2000 qytetarë që presin lejen e legalizimit atje. Nuk dhanë asnjë leje në 8 vjet, sot në këto vandakët e Paulin Rajtës janë 200 leje nga kjo komunë”.