Ndryshimet në ligj, hapet rrugë për 60 mijë ndërtime.

Ndërtimet e kryera pa leje në tokën e të tretëve dhe në tokështet edhe pas vitit 2009 do të legalizohen. Ndërtuesit do të paguajnë truallin, ndërsa procesi është falas. Ndërsa personat që kanë ndërtuar në tokën e tyre do të përfitojnë lejet e legalizimit dhe më pas certifikatën e pronësisë pa asnjë kosto. Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame ishte në Komisionin e Ligjeve për ti kërkuar Parlamentit ndryshimin në ligj, në nenin që përcakton pikërisht ndërtimet e bëra pas 2009, ku Kodi Penal nuk i lejon.

Lame ne komisionin e ligjeve. dt 26.05.2015

“Në themel kemi të bëjmë me rreth 40-60 mijë ndërtime të kryera pas janarit të vitit 2009 deri më sot, meqenëse ndryshimet e Kodit Penal të futura në fuqi në janar 2009 kishin dy parashikime; e para, bllokonin legalizimin e ndërtimeve të bëra në tokë-shtet ose në tokë të të tretëve, dhe e dyta, parashikonin dhe dënim me gjobë dhe dënim me burg për të tria kategoritë, për ata që ndërtonin në tokë të tyre, tokë-shtet ose në tokë të të tretëve. Kjo kategori mbeti në njëfarë mënyre e penalizuar, megjithëse nga pikëpamja morale ishte e njëkohshme me kategoritë e tjera, por për shkak të këtij freni ligjor nuk mund të përfshihej në proces. Duke marrë parasysh faktin e informacionit të dalë publikisht nga komisionet, të ekzistencës së vullnetit të deputetëve për të bërë një amnisti për një kategori të tyre, gjykuam që ishte momenti për t’i bashkuar të dyja gjërat dhe për ta zgjidhur përfundimisht këtë kategori”, tha Lame.

Sipas tij, “kjo masë ndërtimesh, deri tani kishte mbetur në mëshirë të punonjësve të policisë apo prokurorisë në gjithë këto vite, të cilët, sa herë që donin i përdornin si kontingjente, nuk do të doja të thosha ‘kontingjente korruptimi’, por në shumë raste kanë shërbyer dhe si të tilla, duke qenë pa mbrojtje përballë ligjit se kishin kryer një vepër penale, herë pas here kanë rënë pre e mungesës së përgjegjshmërisë së punonjësve të policisë apo prokurorisë”.

“Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për ta zgjidhur këtë çështje. Sqaroj se nuk kemi të bëjmë me legalizim të tyre, por përfshirje në procesin e legalizimit, si gjithë kategoritë e tjera. Pastaj, është ligji që vendos sipas kritereve nëse legalizohen apo jo. Natyrisht, duke u nisur edhe nga nisma e disa deputetëve këtu, është e domosdoshme që ky ligj të shoqërohet dhe me ligjin e amnistisë për veprën penale. Ne po trajtojmë produktin e veprës penale, por duhet trajtuar dhe vepra penale dhe amnistimi i saj”, – tha Lame.

Sipas kreut të ALUIZNI-t, “ndryshimet janë në nenin 2, ndërsa ndryshimet e tjera janë ato që na kanë lindur kohë pas kohe nga procesi, madje jam i bindur se do të dalin dhe të tjera, se praktikat në terren sjellin çudi nga më të ndryshmet. Dhe këto ditë, pasi kaloi ligji në qeveri, ka pasur propozime, madje të fundit e patëm dje, nga kabineti i kryetarit të Kuvendit”.