Nis punimet tryeza rajonale “Informaliteti në Territor, Sfida dhe Zgjidhje”

informaliteti ne territor - sfidat (2)Nisi sot punimet tryeza rajonale “Informaliteti në Territor, Sfida dhe Zgjidhje” me përfaqësues të institucioneve përkatëse nga vendet e Ballkanit, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.  Në ditën e parë të aktivitetit dy-ditor mori pjesë zv. Kryeministri z.Niko Peleshi dhe Ministrja e Zhvillimit Urban, znj. Englantina Gjermeni, si dhe përfaqësues nga institucionet të tjera të vendit. Referimet mbi problematikat e legalizimit dhe urbanizimit i mbajtën Artan Lame, Drejtor i Përgjitshëm i ALUIZNI-t, Radmila Lainovic, Këshilltare në Ministrinë e Zhvillimit Urban e Turizmit në Malin e ZI, Sllavqe Trpeski, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencionit të Kadastrës në Maqedoni, Agim Radoniqi, zv.drejtor i Departamentit për Planifikimin Hapësinor, Ndërtim dhe Banim në Kosovë, etj.

Në fjalën e hapjes kreu i ALUIZNI-t tha se kjo tryezë ishte organizuar për diskutuar çështje me interes të përbashkët të problematikave specifike të vendeve tona, etj.

“Jemi mbledhur në Tiranë për të shkëmbyer eksperiencat dhe idetë për një problem që më së shumti ka krijuar  plagë në territorin e vendeve tona, ndërtimet pa leje, siç i themi ne, ose ndërtime e egra siç i thonë përreth nesh.  Më tepër sesa malazez, shqiptarë apo maqedonas ne duhet të mbledhim mendjen të themi jemi ballkanas, me të njëjtat virtyte udhëheqëse me të njëjtat merita dhe mangësi, apo me të njëjtat zakone. Kontrolli mbi territorin dhe përgjithësisht zgjidhja e halleve individuale me mjete kolektive mbeten dy nga problemet tipike ballkanase që nga errësira e kohëve dhe deri në kohët e sotme. Por në krahun tjetër shteti modern është ai, dhe vetëm ai, që ka kontroll absolut mbi territorin dhe që i zgjidh hallet e shtetasve të vet përmes përqasjes kolektive.

Nëse duam të ngremë shtet dhe ndërtime moderne të pranueshme për konceptin europian duhet që dhe në këto fusha ti qasemi problemit me durim dhe këmbëngulje. Zgjidhje gjithmonë ka dhe qeveria e sotme shqiptare po demostron se e ka futur në rrugën e zgjidhjes një prej problemeve më të rënda të tranzicionit shqiptar, problemin e legalizimit të mbi një çerek milioni banesash informale.

Për fat të keq në kohë të ndryshme dhe në specifika të veçanta vendet tona iu nënshtruan zhvillimeve të pakontrolluara, asnjë paralajmërim nuk vlejti, asnjë precedent nuk u mor parasysh, asnjë masë frenuese nuk funksionoi. Shkatërrimi i territorit është rasti tipik kur mund të themi se i vetmi mësim që mund të nxirret nga gabimet është se askush nuk nxjerr mësim nga gabimet. Tani ka ardhur koha të riparojmë dëmet, të mësojmë nga njëri-tjetri, të paktën se si e ka përballuar secili vend problematikën e informalitetit në territor.

Përllogaritja e fundit e bërë nga ne kap shifrën e 427 mijë objekte pa leje. Kjo shifër është e madhe, madje e jashtëzakonshme për Shqipërinë, por po përballohet me problematikën e vet. Vetëm në këtë vit të fundit janë legalizuar më tepër objekte se në 8 vitet e mëparshme të mbledhura së bashku.

Zv. Kryeministri z.Niko Peleshi e cilësoi këtë problem si një çështje të tranzicionit dhe tha se ky takim është i rëndësishëm pasi adreson një nga çështjet e ditës, çështje që qeveria shqiptare ka vendosur ta adresojë me prioritet dhe shpejtësi, theksoi ai.

“Ndryshimi i sistemit politik për vendet tona është një sfidë që nuk ka mbaruar ende dhe ky tranzicion ishte natyrisht dhe ekonomik. Keqpërdorimi i territorit është fenomen i tranzicionit, por duhet të pranojmë se ne si klasë politike shqiptare dhe vendet fqinje se, nëse politika do të kishte qenë më e përgjegjshme dëmi nuk do të ishte kaq i madh.  Besojmë se kjo çëshje ose zgjidhet shpejt me ritëm të lartë ose humbet kredibilitetin dhe futet në rrugë pa zgjidhje. Mendoj se kredibiliteti është çelësi i suksesit dhe për këtë arsye sot kemi ato rezultate që kemi, 21 mijë legalizime në 9 muaj, aq sa janë bërë në 8 vite të qeverisjes së shkuar. Legalizim do të thotë mbrojtje e territorit, vijë e kuqe pas së cilës çdo ndërtim do të bëhet i planifikuar i miratuar nga strukturat përkatëse”, tha Peleshi.

Ndërsa ministrja Gjermeni në fjalën e saj theksoi faktin se në konktekstin e një zhvillimi të qëndrueshëm të vendit, një nga sfidat më të mëdha, mbetet urbanizimi i zonave informale. “Integrimi dhe urbanizimi i zonave informale, është pa dyshim një ndër çështjet më të prekshme, parë në një këndvështrim social, ekonomik, urban dhe mjedisor me efekte në zhvillimin e vendit. Mbetet detyrë e jona që në të ardhmen e afërt mos ta shikojmë vendimmarrjen mbi territorin si të ndarë, por si një pjesë e të tërës e ku çdo keqplanifikim dhe keqadministrim dëmton zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, tha ndër të tjera ajo.