Procesi i legalizimeve, kreu i ALUIZNI-t, intervistë me gazetaren Ilva Tare

Lame IlvaI.T: Ju sapo përfunduat një tryezë rajonale me disa vende fqinje, çfarë doli nga kjo tryezë, ku ishte Shqipëria në raport me fqinjët në eksperiencën e legalizimeve?

A.L: Ishte një tryezë shumë e vlefshme. Përballja e eksperiencave të një fenomeni tashmë çerekshekullor të informalitetit mes Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë. Zgjodhëm këtë bllok vendesh ku dhe numri i shqiptarëve është i lartë dhe mjafton shifra që doli në fund që i binte rreth 1 milionë ndërtime pa leje në këto katër vende të kuptosh përmasat e këtij fenomeni.  Për kuriozitet të qytetarëve, Shqipëria ka shifrën më të madhe 427 mijë, shifër që doli nga censusi i fundit, pastaj Mali i Zi rreth 60 mijë ndërtime pa leje, Kosova ka rreth 140 mijë, por akoma ska mbaruar procesin e vetdeklarimit dhe Maqedonia është me 334 mijë ndërtime pa leje.

I.T: Po cilat ishin specifikat e procesit të legalizimit?

A.L: Dallimi thelbësor mes Shqipërisë dhe këtyre tre vendeve është çështja e pronës, pasi mbi 90 për qind të ndërtimeve në këto tre vende të rajonit ndërtimet janë bërë në tokën e tyre, që e quajmë ne ‘tokë babe”, në 10 përqind të rasteve në tokën e shtetit dhe ka raste shumë të rralla që kanë zënë tokën e dikujt tjetër. Arsyet e këtij fenomeni janë të kuptueshme, nuk është se ne jemi më të ndryshëm, po humbja e konceptit të pronës ka qenë shumë i thellë në Shqipëri gjatë regjimit komunist, lëvizja e popullsisë ka qenë më e madhe dhe kjo bëri që ky fenomen të ishte më i dukshëm. Ndërsa në tre vendet e tjera popullsia ka qenë më e qetë, më stabile dhe niveli i zhdukjes së konceptit të pronës private nuk ka qenë në këtë nivel. Maqedonia kishte numrin më të madh të dhënies së lejeve, e para sepse nuk kishte probleme pronësie, pra kishin ndërtuar në tokën e vet, kishin një sistem të mirë dixhital, gjë që shmangte shumë korrupsionin.

I.T: Sapo keni shpërndarë rreth 250 leje në një zonë të Vlorës, ku mori pjesë dhe kryeministri Rama, a nuk duket pak e tepruar ky spektakli me kamera, me qyetarë hallexhinj?

A.L: Rasti i Vlorës është rast “hallexhi”, por të mos keqkuptohemi se hallexhiu ka dinjitet, njeriu që ka halle është më me dinjitet se ai që ka bërë para, por le të themi “hallexhi” sepse lejet e legalizimit të dhëna dje ishin një katëshe maksimumi ndonjë tek-tuk dykatëshe, pra ishte një zonë e varfër me probleme ekonomike që nuk ishte marrë askush me ta më parë. Kjo zonë u përzgjodh pikërisht për këtë për tu legalizuar më shpejt. Vajtja e kryeministrit nuk ishte lllogaritur për këtë gjë, ai ishte në Vlorë dhe meqë ishte mund të merrte pjesë edhe në këtë event të shpërndarjes së lejeve. Por është shumë pozitive marrja pjesë e tij në këto evente. Së pari për të mbajtur të gjallë besimin e publikut tek procesi i legalizimit dhe besimi është gjëja më e rëndësishme që të mos kthehet procesi në rutinën e zakonshme, rutinë që e vdes procesin pastaj, ndërkohë që kemi një opozitë që mezi pret që ne të gabojmë në këtë proces, i cili deri tani ka ecur perfekt.

Pastaj ka shumë elementë të procesit që publiku akoma nuk i njeh dhe ata duhet ti shikojnë me sy që të kuptojnë e të besojnë që kjo bëhet. Unë isha në Durrës para disa ditësh për të dhëna leje legalizimi tek disa familje të verbërish, ishte thjesht për të tërhequr vëmendjen tek një fakt që nuk e dinte njeri se lejet e legalizimit për familjet që kanë kryefamiljarin në kadegoritë e shtresave të veçanta, si paraplegjikët, të verbërit, etj. e marrin edhe truallin falas, pra nuk paguajnë asgjë. Pra kjo bëhet për të tërhequr vëmendjen e publikut drejt procesit që të mos humbë ritmi i tij.

I.T: Keni thënë në një nga fjalimet e fundit se”një nga dështimet më të dukshme të politikave ekonomike në këtë vend është dështimi i gjatë i stimulimit të zhvillimit të zonave të stimuluara turistike në bregdetin shqiptar”,”pse ka ndodhur kjo?

A.L:  Më ke hapur një temë që është shumë e bukur për mua, por duhet shumë kohë për ta diskutuar. Gjithsesi me dy fjalë në vitin ‘93 shteti i atëhershëm mendoi që të stimulojë ndërtimet e fshatrave turistikë për të gjallëruar zhvillimin turistik. Për pak kohë ligji filloi të degradonte dhe nga fshatra turistikë u katandisën në pallate, e merrnin tokën nga shteti për të zhvilluar këtë zonë dhe nuk ndërtonin fshatra turistikë, por pallate banimi dhe u arrit në atë degradim që kemi trashëguar sot.  Sot bëhet fjalë për 4-5 mijë apartamente, që janë qytetarë, inxhinierë, mësues, shtresa e mesme e popullsisë që i kanë blerë këto apartamente, por nuk kanë pronësi sepse ndërtuesi që e ka marrë nga shteti nuk mund tua japë pronësinë sepse e ka marrë me qera nga shteti. Këtë gjë po bëjmë tani që këto apartamente nga pimpamja fomale juridike të mund të legalizohen. Por ka një afat për ta bërë këtë gjë. Pra të gjithë qytetarët që kanë blerë apartamente në bregdet, por nuk kanë rregulluar statusin juridik të truallit, të vijnë të aplikojnë tani.  Duhet të pranojmë se skema e stimulimit të turizmit e 93-it ka dështuar, por nuk mund të themi që s’ka turizëm. Në Velipojë ka turizëm, në Gjirin e Lalzit ka turizëm, madje në Gjirin e Lalzit ka dhe vaska floriri, se këtë shprehje pëlqen ta përdorë Saliu, por ai model që filloi në 93 gjithsesi dështoi.

I.T: Disa qytetarë më shkruajnë dhe duan tju pyesin ju se çfarë do të bëhet me ndërtimet në bregdet. Bëhet fjalë për zona Qeparo, Borsh, etj që thonë se kanë ndërtuar në tokën e tyre dhe kanë dhe certifikatë pronësie. Në tryezën rajonale u tha se Mali i Zi i ka dhënë prioritet ndërtimeve në bregdet, por ju a do i jepni prioritet?

A.L: Mali i Zi u ka dhënë prioritet zonave turistike sepse janë prona të rregjistruara. Bregu jonë, pjesa më e madhe e bregdetit nga Orikumi në Sarandë është e parregjistruar. Përveç këtij fakti ka mbivendosje të pronave, ka problematika të trashëguara. Atëherë në bregdetin e jugut ndoshta duhet ta keni dëgjuar që në Vlorë po bëhet një studim se ku do të ndërtohet dhe ku nuk do të ndërtohet. Besoj se kur të mbyllet studimi dhe besoj se është harta e fundit që bëhet mbi bazën e atij studimi, do të vendoset qartë për ndërtimet në bregdet. Pra në atë zonë të fshatit që lejohet ndërtimtaria, do të hyjë procesi i legalizimit. Pra bëhet fjalë për zhvillimin e turizmit dhe duhet një plan i qartë për këtë.

I.T: Nuk mund të rri pa ju bërë dhe një pyetje të fundit, keni thënë që “ju hanë duart për Tiranën”, a do të kandidoni për kryetar bashkie?

A.L: Ilva unë dhe ti banojmë në Tiranë dhe besoj ashtu si mua edhe ty të hanë duart për të bërë gjëra të mira për Tiranën. Pra unë jam banor i këtij qyteti dhe natyrisht që më hanë duart të bëjë punë të mira për këtë qytet. Për fat të mirë e të keq ky qytet ka shumë gjëra për tu bërë akoma, them të mirë sepse kemi mundësinë që ti bëjmë, them të keq se mund ti kishim bërë më përpara, kemi humbur katër vjet realisht.

I.T: Po keni ndonjë komunikim me Partinë Socialiste? Para disa ditësh ju pamë së bashku me zotin Majko, edhe ai i përfolur për këtë gjë…

A.L: Përfoljet janë çështje e mediave, ndërsa me Majkon ishim bashkarisht për një problem shumë të ndjeshëm me një pjesë shumë vulnerabël të shoqërisë që preken nga ndërtimi i unazës së madhe nga rruga Komuna e Parist tek rruga e Kavajës. Është pjesa e unazës që lidh praktikisht Veriun e Shqipërisë me Jugun e Shqipërisë, sepse mbyll segmentin nga rruga e Durrësit për ta lidhur me rrugën e Elbasanit pa kaluar në qytet. Dhe meqë është një shtresë vulnerabël ajo që preket nga ky segment u ulëm me ta dhe folëm si ta zgjidhim.

I.T: Por a mund të thoni sonte që jeni për një profilin e një menaxheri apo politikani për Bashkinë e Tiranës?

A.L: Pyetje që kërkon një përgjigje direkte, sepse a ka kuptim të them tani që, po duhet një menaxher mundësisht ta ketë kravatën e kuqe dhe xhaketën e zezë meqë jam unë këtu. Unë jam i gatshëm të them gjërat e mia, i kam thënë për këtë qytet, të them gjërat që nuk janë bëre që duhen bërë sa herë që do të më kërkojnë të them diçka për këtë qytet. Nëse do më thonë bëje këtë gjë do ta bëj, nëse do të më thonë bëj atë që po bën do ta bëj. Këto janë gjërat që unë di të bëj dhe është kënaqësi në jetë të bësh gjërat që i ke me qejf dhe për më tepër të marrësh edhe rrogën në fund të muajit.