Shijak, ALUIZNI shpërndan 1001 leje legalizimi

Zyra e ALUIZNI-t për qarkun e Durrësit ka shpërndarë sot (dt. 14.02.2015) 1001 leje legalizimi për banorët e kësaj zone, ndërsa po bëhen gati më shumë se 1000 leje të tjera që pritet të shpërndahen pas disa ditësh. Gjatë ceremonisë së shpërndarjes së lejeve ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, drejtori i zyrës së Durrësit, Flamur Gjuzi, deputeti i këtij qarku Blendi Klosi, Kryetari i Bashkise se Shijakut, etj. 

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, në nisje të takimit tha se “Qarku i Durrësit është nje nga qarqet që ka më tepër ndërtime informale pas Tiranës për shkak dhe të lëvizjes së madhe të njerëzve në gjithë këto vite”.
“Zoti kryeministër, kjo na detyroi që prej disa muajsh të organizonim dhe një ndarje të disa zyrave që të përballonim këtë fluks të madh njerëzish që na çoi në një zyrë të veçantë për Shijakun, e cila mbulon dhe territorin përreth tij, pra komunat përreth Shijakut dhe një zyrë tjetër që mbulon Fushë- Krujën dhe Krujën.
Po mundohemi ti përputhim dhe zonat sipas ndarjes së re administrative për ti krijuar lehtësi njerëzve kur të hyjë në fuqi ndarja e re.
Problematikat e Shijakut janë shumë të komplikuara dhe për një arsye tjetër pasi në këto 20 vjet nuk është bërë akoma për Shijakun- qytet azhornimi i ri i Hipotekës gjë që na ka penguar shumë në kryerjen e legalizimeve brenda qytetit.
Ne po diskutojmë me hipotekën për të përshpejtuar procesin e azhornimit me zyrën e regjistrimit të pasurive brenda në qytet që do të hapte rrugën edhe për qetësimin e situatës dhe zgjidhjen e problematikës së gjithë këtij komuniteti shumë të madh.
Sot në këtë takim jemi fokusuar tek komunat përreth Shijakut dhe që trajton zyra që kemi hapur këtu në Shijak, e cila mban gjithë këtë fluks njerëzish që presin zgjidhje të problematikave të legalizimit të ndërtimeve pa leje”, tha Lame.