Shpërndahen 2002 leje legalizimi në Kamëz

FLO_4219

Drejtoria e ALUIZNI-it në Bashkinë Kamëz ka shpërndarë sot (dt. 29/12/2014) 2002 leje legalizimi për banesat pa leje në zonën e Kamzës dhe Paskuqanit.  Në aktivitetin e zhvilluar me këtë rast mori pjesë kryeministri z. Edi Rama, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Znj.  Eglantina Gjermeni, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI- t Z. Artan Lame, si dhe deputete te PS-se.  Në fjalën e tij Z. Lame tha se ”Kamza është një nga zonat që ka pasur problematika të pafundme, asnjëherë nuk është e mundur ti jepej një zgjidhje si zonë dhe sot për fat të keq pas gjithë asaj që është bërë dhe pas gjithë asaj çfarë jemi duke bërë me ligjin e legalizimeve prapë zona mbetet me shumë probleme nga pikpamja e legalizimeve. Ka dhe shumë probleme që krijohen nga gjithë trashëgimia e këtyre viteve  dhe nga mënyra si kontaktohet me pushtetin vendor . Në këtë bashki të madhe, pushteti vendor ka qenë refraktar ndaj atyre çka po bëjmë bashkarisht.  Janë probleme që kanë të bëjnë me planin rregullues të Kamzës, i cili ka krijuar probleme të jashtëzakonshme për një shumicë të madhe të ndërtimeve të kësaj zone. Ne kemi paraqitur idenë në Këshillin Kombëtar të Territorit për të bërë ndryshime në atë plan sepse pengon legalizmin e rreth 14 mijë objekteve të kësaj zone ashtu siç ka dhe probleme të trashëguara të 20 e ca viteve”. Zoti Lame përmendi dhe problematikën e qindra familjeve të shpërngulura për shkak të ndërtimit të ujësjellësave, ndërkohë që theksoi se ALUIZNI po punon për zgjidhjen e plotë të kësaj problematike.