Shpërndahen 750 leje legalizimi në Paskuqan

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Z.Artan Lame ka qenë në Paskuqan për të shpërndarë 750 leje legalizimi. Në këtë takim të organizuar nga ALUIZNI ka marrë pjesë Kryeministri i Shqipërisë Z.Edi Rama, Ministrja e Zhvillimit Urban, Znj.Eglantina Gjermeni, kandidati për Bashkinë e Kamzës, Z.Safet Gjici si dhe deputeti i zonës Z.Pjerin Ndreu.

Drejtori Lame tha se zona e Kamzës dhe Paskuqanit kanë një problematikë të madhe lidhur me ndërtimet pa leje, kjo duke ju referuar planit rregullues.

“Kjo zonë është një nga zonat më të rënda, madje mund të themi se është zona ku ka lindur fillimisht procesi i legalizimit dhe më parë vetë ai i ndërtimeve pa leje. Ne kemi ardhur pikërisht për këtë rëndësi në këtë zonë duke hapur dy zyra një në Paskuqan dhe një në Kamëz që mbulon problematikat e këtyre zonave. Megjithatë doja të thoja disa nga problemet që ne po përballemi dhe kërkojmë që ti zgjidhim tani që jam i bindur se do ti diskutojmë edhe me z. Gjici kur të marrë bashkinë e re. Problemin që e ka Tirana, rëndshëm e ka edhe Paskuqani, rëndshëm e ka edhe Kamza dhe është problem i pseudoplanit rregullues. Vetëm në këtë plan rregullues ka mbi 4000 ndërtime pa leje. Kjo është bërë pikërisht vetëm për të vënë në situatë domeni këto zona që presin procesin e legalizimit.”, tha drejtori Lame. Më tej ai u ndal edhe tek ato familje që kanë ardhur nga Hidrocentrali i Bovillës. “Problemi tjetër është ai i familjeve të zbritura nga Hidrocentrali i Bovillës dhe që janë 300 familje që kërkojnë zgjidhje përfundimtare të legalizimit të banesave të tyre”, tha Lame.

Lame ne Paskuqan