Shpërndahen leje legalizimi në Njësinë numër 1 dhe 3.

Drejtori i Pergjithshem I ALUIZNI-t, z. Artan Lame ka qene ne njesine bashkiake nr. 1 dhe 3 per te shperndare leje legalizimi. Ne kete takim ku u ndane 120 leje legalizimi ishin te pranishem Ministrja e Arsimit, zj. Lindita Nikolli dhe Ministri i Jashtem, z. Ditmir Bushati. 

IMG-20150529-WA0012-1

Me poshte fjalen e Drejtorit te Pergjithshem te ALUIZNI-t Artan Lame

 

Një nga arsyet e legalizimit është pikërisht të mbyllen sherret midis njerëzve. Kështu që duronani ndonjëherë kur ju themi sill edhe këtë ose rinovo edhe këtë dokument sepse është për të mirën tuaj. Përtej këtyre 700 e ca dosjeve që janë përpunuar që do të thotë praktikisht 1/3 e dosjeve është përpunuar dhe është në procesin e dhënies së lejes së legalizimit, janë edhe dosje të tjera të cilat presin dhe do të vazhdojë me të njëjtin ritëm. Ndoshta mund të sjelli edhe buzëqeshje kjo që do të them tani, po nuk çështje fushate. Ka një vit e ca që ne po ndajmë leje, ka një vit e ca që ne po bëjmë dosje, ka një vit e ca që qytetarët marrin lejet e legalizimit. Do ta vazhdojmë me të njëjtin ritëm, pa ndryshim edhe pas zgjedhjeve sepse kam një premtim që e kam marrë nga kjo qeveri që është mbyllja e zonave masive për t’u legalizuar brenda këtij mandati. Në 2017 zonat masive që presin legalizimin siç janë praktikisht këto zona që ne jemi do ta kenë mbyllur procesin e legalizmit. Nuk do të jetë më problem, të themi politik.

Ka përfunduar tek Njësia 3 e gjithë zona e Xhamllikut, asaj që ne i themi Xhamlliku, le t’i vënë emra sa të duan, ajo Xhamlliku do i thuhet dem baba dem, në atë zonë kanë përfunduar matjet. Kanë përfunduar tek zona e Freskut matjet, tek zona e Spitalit 5, tek zona e Varrit të Bamit, edhe Varrit të Bamit ashtu do i themi dem baba dem. Edhe tek zona e Kodrës së Priftit kanë përfunduar matjet madje ka filluar të jepen edhe lejet e legalizimit atje dhe tek zona e Lapidarit.

Kjo Njësi, Njësia 3, unë do të vija së fundi gishtin mbi disa plagë. Në fund të fundit ju mund të thoni që çështjet e brendshme, problemet që lindin janë probleme të administratës, zgjidhini me njëri tjetërin, ne duam të na mbaroni punë. Megjithatë më mirë t’i themi bashkarisht sepse ka gjëra që çdo qytetarë mund të japi kontributin e vet. Një nga problemet më të mëdha që ka kjo zonë, por që e kanë edhe zona të tjera, pra nuk është problem vetëm i Njësisë 3 apo i Njësisë 1, por është problem i të gjithë Tiranës dhe i kudo ku ka probleme legalizimi, janë ndërtimet e bëra pas 2009-ës. Ndërtimet e bëra pas 2009-ës ju e dini që sipas ligjit aktual nuk përfshihen në procesin e legalizimit, jam i bindur që ka edhe këtu qytetarë që kanë ndërtuar pas 2009-ës. Pikërisht këto ditë, janë dhe ministrat këtu, kaloi në qeveri dhe me shumë gjasë të enjten tjetër kalon në parlament ligji që përfshin në procesin e legalizimit në rang republike dhe rreth 50 000 ndërtime të pas vitit 2009, nga të cilat janë rreth 1200 të Njësisë 3. Kjo do të mbyllte një problem të mbartur prej vitesh për një masë shumë të madhe qytetarësh. Themi që e kemi futur në rrugën e zgjidhjes, do të provohet shumë shpejt të enjten tjetër në Kuvend se sa realisht do të futet në procedurat pastaj për të filluar për t’ju kërkuar qytetarëve plotësimin e dokumentacionit për ndërtimet e pas 2009-ës.

Problem tjetër që e kanë realisht shumë familje në këto zona, është studimet që ka bërë Bashkia Tiranë mbi bazën e asaj që ata e quajnë Plani Rregullues, që për fat të keq unë e quaj përgjithësiht Plani Çrregullues i Tiranës, janë zonat që parashikohen ndërtime të larta. Mbi bazën e ligjit të legalizimit nuk mund të bëhet legalizimi në këto zona, sepse kur ka pronarë dhe ka studime të larta, procesi i legalizimit ndërpritet. Kemi folur me Erjonin dhe deputetët, ose më mirë të themi janë dhe deputetët ata që na kanë ngacmuar disa herë për këtë çështje dhe besoj se pas 21 qershorit nuk ka gjasa që ky problem nuk do të zgjidhet. Kemi diskutuar gjatë me Erjonin, në cilësinë e tij si kryetari i ardhshëm i bashkisë, pikërisht për t’i dhënë rrugëzgjidhje kësaj gjëje duke bërë ndryshimet përkatëse në Planin Rregullues, për këto zona ku në mënyrë absurde parashikohen ndërtime të larta, ku këtu praktikisht ndërtimet kanë përfunduar, por nuk mund të futen në procesin e legalizimit me këtë llogjikë të bashkisë. Është një problem i cili do ta shohim se sa lehtë zgjidhet me pak vullnet dhe me pak bashkëpunim midis dy organeve tona, pra midis ALUIZNI-t dhe Bashkisë së re të Tiranës.

Natyrisht që ka edhe probleme që kanë të bëjnë me Hipotekën. Për fat të keq edhe Hipoteka ka probleme shumë të trashëguara, probleme që vijnë: zona të pahedhura në sistem, zona që janë akoma me gabime, zona me mbivendosje e gjëra të tilla. Momente në të cilat çdo qytetarë ka të drejtë të thojë: zgjidhini me njëri tjetrin, jeni institucione, ne duam të mbarojmë punë. Është problem vërtet midis nesh, institucioneve dhe problem që është duke u avancuar për t’u zgjidhur.

Pak a shumë këto probleme vlejnë edhe për Njësinë një. Mjafton të them vetëm disa shifra që me Ditmirin i folëm edhe këto ditë e kemi diskutuar: janë 4350 ndërtime që presin legalizimin nga të cilat janë futur në punë 620 prej tyre dhe procesi vazhdon edhe për pjesën tjetër.

Ka përfunduar matjet në terren për zonën Uzinës së Autotraktorëve, në zonën e Shkozës deri tek ura, tek Fusha e Ali Demit, madje atje kam qenë dhe disa herë vetë kur bëhen matjet për të parë dhe mënyrën se si punohet dhe se si kontaktohet me qytetarët.