Shpërndahen më shumë se 1200 leje legalizimi në Rrashbull

Deklaratë për Shtyp

21.05.2015

Drejtori i Përgjitshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame ka qenë sot në Rrashbull nga ku ka shpërndarë më shumë se 1200 leje legalizimi. Në këtë aktivitet të organizuar nga ALUIZNI mori pjesë Kryeministri z. Edi Rama, Ministrja e Zhvillimit Urban, zj. Eglantina Gjermeni si dhe kandidati i mazhorancës për Bashkinë Durrës, z. Vangjush Dako si dhe drejtori i ALUIZNI Durrës z. Flamur Gjuzi.

Lame tha gjatë aktivitetit tha se: “Ne patëm problem sot për të vënë një numër tek tabela sepse rritej përditë, kështu që e lamë fare pa numër, por janë mbi 1200 leje që jepen vetëm ditën e sotme. Zona e Rrashbullit është një nga komunat më të mëdha të vendit dhe që i bashkëngjitet tashmë Bashkisë së re Durrës dhe duke patur problematika të gjithë farëllojshme duke filluar që nga ato bregdetare, duke vazhduar me ato kodrinore, duke vazhduar me të fushës, duke vazhduar me zona industrial e kështu me rradhë. Është pjesa ndoshta më vitale që i bashkëngjitet Durrësit të ri. Megjithatë, problemet nuk rreshtin, problemet e legalizimeve janë vërtetë të komplikuara në këtë zone dhe do vazhdojë të trajtohen siç edhe deri më tani. Vendimi i fundit i qeverisë i para dy javëve, që kishte të bënte me disa ndryshime që u bënë me mënyrën se si trajtohen problematikat e legalizimeve, ka hapur realisht shtegun, edhe në Komunën e Rrashbullit, edhe në Zonën e Kënetës së Durrësit, shtegun e legalizimit për një masë të madhe ndërtimesh, të cilat thjesht për çështje burokratike mbeteshin të bllokuara dhe nuk mund të avancohej”.

Drejtori i Përgjitshëm tha se kryeministri Edi Rama ka qenë në krye të këtij procesi. “Është takimi i 28-të që organizojmë në këtë vit të veprimtarisë tonë, ku merr pjesë edhe Kryeministri. Në mënyrë të padiskutueshme ne nuk e besonim që do të ishte kaq i lidhur me këtë proces që nga fillimi dhe në mënyrë të padiskutueshme në qoftë se procesi shkoi me kaq, sukses ka qenë edhe falë kësaj ndjekjeje hap pas hapi nga ana e Kryeministrit, gjë që përditë shtohej besimi i njerëzve, se kësaj rradhe shteti dhe qeveria e kishte seriozisht problemin e legalizimeve”, tha z. Lame.