Takim në Xhafzotaj

10.06.2015

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm Artan Lame në ndarjen e lejeve të Legalizimit në Komunën Xhafzotaj, Shijak.

Me drejtorin i kemi rraf e stërraf këto shifra, me deputetët kemi fol e stërfol.

Artan Lame-1

Më shumë do doja t’ju jepja ju nja dy shifra për një arsye shumë të thjeshtë:  Juve jeni të  gjithë banorë të kësaj zone, por nuk jeni të gjithë banorë të kësaj zone, keni miqtë, kushërinjtë, komshinjtë, të njohur e të panjohur që nuk kanë mbyllur akoma proçedurat e legalizimeve. Mundohuni t’ia trasmetoni edhe atyre këtë gjë. Shikoni ne e mbaruam këtë punë, shkoni, po ka ndonje letër për të sjellë,po ka ndonjë dokument që duhet plotësuar,plotësojeni se është në të mirën tuaj. Ndaj për të treguar sesa i thellë është  problemi, po ju them vetëm dy shifra: Bashkia e re Shijak që do përmbledhi gjithë zonën Shijak, Sukth dhe komunat ku jemi këtu Maminasin, Gjepalajn, Xhafzotaj dhe komunat e tjera, të gjitha bashkë bëjnë 13.200 vetdeklarime për legalizim. Janë jashtzakonisht shumë , 13.200 është një qytet I tërë. Janë aq shumë saqë duket sikur shteti ska funksionuar, dhe në fakt shteti nuk ka funksionuar.

Mos e konsideroni që keni bërë ndonjë faj që keni ndërtuar pa leje. Po ta kishte shkel ligjin 1,2 ose 3 faji është I atyre që kanë shkelur ligjin, por kur e shkelin ligjin 13.000 faji është te ligji,sepse shteti po të kishte treguar se ku ndërtohet nuk do kishin ndërtuar pa leje, po të kishte tregu ku behet e ku sbëhet nuk do kishin ndërtuar pa leje. Kështu që faji në këtë moment është totalisht i shtetit që në 20 vjet nuk qe në gjëndje të tregonte se çfarë duhet bërë e çfarë nuk duhet bërë qytetarëve të vet, dhe shteti në fund të fundit është ai që paguhet për të treguar këto gjëra.Kalojmë më tutje, pas kësaj shifre të jashtzakonshme, në 8 vjet të qeverisjes së mëprshme në gjithë këtë zonë janë dhënë 143 leje legalizimi. Duke marre bashkë, komuna e bashki e të tëra bëhen 143. Drejtori I ka shifrat një nga jë për secilën komunë. Ka dhe komuna me nga 5, me nga 10 dhe me nga 20 legalizime që duhet të jenë heronj ata që ia kanë dalë me marrë atë legalizim në një komunë të tërë 5 veta, duhet ta kenë dhe argumentin si e kanë marrë, por, kjo ka qënë situata. Ajo që  kemi bërë neve është pak a shumë e dukshme, tashmë kemi shti të gjithë Shqipërinë, megjithëse na kanë thënë pse e bëni këtë punë edhe në fushatë, eshtë shumë e qartë: E para njëherë ka një vit që po ndajmë leje në këtë mënyrë, kështu që nuk na thonë dot, keni një vit që po bëni fushatë. E dyta, që është më e rëndësishme kjo mënyrë është e vetmja mënyrë që njerëzve tu kthehet besimi që një qeveri do me e bë këtë punë. Jam i bindur që edhe sot do të na ndodhi. Flamur, përgatitu edhe për këtë, që do të thërrasim emrat dhe nuk do të jenë këtu. Pikërisht, sepse ka akoma njerëz këtu që ende nuk e besojnë që është e vërtetë kjo që po bëjmë. Na ka ndodhur në të gjitha takimet ku kemi thirrur emrat dhe nuk kanë ardhur, se thonë: pale sa herë na kanë thirrë, pale a është e vërtetë. Prandaj j’ua thashë që në fillim atë: Thuajani miqve tuaj, thujuani kushurinjve, të afërmëve që ne e morëm këtë, ne mbaruam, shkoni dhe plotësoni edhe ju dokumentet që duhen. Ti bëjmë me qetësi dhe ngadalë, ngadalë, ndonjëherë edhe duke pritur edhe ndonjë ditë më shumë plotësimin e dokumenteve, sepse është vetëm për të mirën tonë dhe tuajën, për ta mbyllur si proçes. Probleme zona ka shumë. Mos kujtoni se sot mbaroi gjëja. Problem ka qoftë me atë që vjen, që është hapi tjetër: Urbanzimi i zonës. Urbanizim do të thotë: rrugët, infrastruktura, të gjitha që vijnë pas legalizimit . Legalizimi në vetvete nuk është fundi i historisë, por është fundi i fillimit të kësaj historie. Fundi i fillimit që pastaj të vazhdojmë me pjesën tjetër që është urbanizimi dhe që është më e rëndësishme. Probleme të tjera janë mosmarrveshjet që na vijnë nga njësitë vendore, diku mosmarrëveshje se nuk dinë, diku mosmarrëveshje se aq kapacitet kanë dhe jam i bindur se edhe kjo është një pjesë që na takon ta zgjidhim ne pas 21 qershorit. Sa më shumë ALUIZNI të ketë kontakt me njësinë vendore, të ketë kontakt me bashkinë, të ketë marrëdhënie me të se ku është rruga, ku nuk është rruga, sa është studimi, si është plani rregullues e kështu me radhë, aq më shumë ne jemi lehtësisht të vazhdojmë përpara me legalzimin. Probleme kemi të reja e të vjetra. Të vjetra me hipotekat, për trashigimin e një situate të rëndë me hipotekat. Po bashkëpunojmë shumë mirë tani, kanë ndryshuar edhe shumë gjëra në këto raportet, se thashë janë falë një trashigimie të vjetër para 2013 me hipotekat. Do vazhdojmë ta bëjmë se qytetari nuk do t’ia di ku e ka hallin ALUIZNI ku e ka hallin hipoteka, ku e ka hallin drejtori I ujrave. Qytetari sdo t’ia di të vjen tek dera edhe të thotë : Më zgjidh hallin. Problem tjetër që mbetet i joni është ai me zona të papërcaktuara, me rrugë të papërcaktuara, me letra të vjetra e të pafreskuara në këtë shtet. Mjafton t’ju kujtoj një rast në Lezhë, ku Drejtoria e Ujrave na thoshte se nuk e kemi skemën e kanaleve kulluese. Po për çfarë është Drejtoria e Ujrave kur nuk ka skemën?! Nuk kanë faj, se nuk kanë gjetur asnjë letër kur kanë marrë zyrën, por janë prapë probleme që ne duhet ti saktësojmë me qytetarët, me njeri-tjetrin si institucion për të mbyllur problematikën. Janë 396 leje për tu ndarë në këtë valë legalizimesh në këtë komunë, që e ka bashkia e re e Shijakut.  Do ta vazhdojmë këtë punë, meqë na kanë thënë se e kemi për fushatë, e kemi bërë këtë punë para një viti dhe do ta vazhdojmë edhe pas zgjedhjeve . edhe qytetari i fundit duhet ta kuptoj që kjo qeverisje do ta mbyll patjetër këtë process. Për ta mbyllur duhet të bashkëpunojmë me bashkitë e reja për të ecur përpara me procesin.