TAKIMI PER PROCEDURAT E LEGALIZIMEVE

foto-takimi

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, z. Artan Lame në takimin me drejtorët rajonalë të ALUIZNI-t.

Në këtë takim ka qenë e pranishme edhe ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj. Eglantina Gjermeni, ku mbajti edhe fjalën e saj. 

Fjala e plotë e Drejtorit të përgjithshëm të ALUIZNI-t, z. Artan Lame:

 

E nderuar zonja ministre Gjermeni,

Të nderuar kolegë dhe të ftuar,

Tre muaj pas rifillimit të veprimtarisë së ALUIZNI-t, në këtë fund viti besoj se duhet bërë një përllogaritje të situatës me të cilën po mbyllim këtë fazë.

Takimi i sotëm përmbyll fazën e ringritjes së institucionit, për t’i lënë vitit që po troket në derë, rifillimin e gjithë procesit të legalizimeve masive në të gjitha zonat e vendit.

Ne mund të themi me bindje zonja ministre, në fillim të tetorit gjetëm kur filluam punë në këtë institucion, jo një institucion funksional por një grup njerëzish, në shumë raste dhe me vullnet të mirë, por të lënë tërësisht në mëshirën e fatit dhe në rënie të lirë. Kjo bënte të domosdoshme reformimin e thellë të gjithë piramidës institucionale.

Që në mes të tetorit shpallëm konkurrimet për vendet e lira si për drejtoritë qendrore ashtu edhe për ato rajonale. Për gjithë këtë proces ndoqëm një platformë konkurrimi tip të përgatitur në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike.

Në këtë proces morën pjesë dhe aplikuan rreth 370 aplikantë, të të gjitha moshave, djem të rinj, vajza të reja por dhe njerëz me eksperiencë, njerëz që kanë punuar pranë institucionit apo që janë larguar për arsye të ndryshme, të cilët në mes të dhjetorit u testuan një nga një, me durim dhe me profesionalizëm.

Mund të themi me siguri se nga pikëpamja e materialit njerëzor me të cilin do të kryhet procesi i legalizimeve në vijim, njerëzit dhe specialistët që do angazhohen më muajt në vijim janë në gjendje për të filluar punën menjëherë pas pushimeve të fundvitit.

 

Projekt Buxheti

Para disa ditësh ndoqëm diskutimet në Kuvend për projekt-buxhetin e ri. Nga ana e opozitës u përmend disa herë në diskutime çështja e legalizimeve dhe u quajt si premtim i pa mbajtur i Edi Ramës. Duhet kurajë e madhe të quash “premtim të pa mbajtur” brenda dy muajsh, atë që qeveria e tyre nuk e realizoi në 8 vjet. Dhe jo vetëm që nuk e realizoi, por edhe e rëndoi më tej, duke humbur kaq vjet të vlefshëm për urbanizmin dhe ekonomizimin e gjithë kësaj pasurie të gjithë shqiptarëve.

Them që e rëndoi situatën sepse ajo çka në 2006-ën ishte për tu legalizuar, është shumë më pak se ajo çka ishte në 2008-ën, shumë më pak se ajo në 2010, 2012 e 2013. Dhe jo vetëm më pak por dhe situatat ndryshonin dhe evoluonin kohë pas kohe duke i lënë njerëzit vazhdimisht në mëshirën e fatit.

Ne do ta mbajmë premtimin për legalizimin e ndërtimeve informale jo thjesht si proces në vetvete, për tu dhënë një copë letër këtyre njerëzve, por si premtim të qeverisë sonë për formalizimin e gjithë kësaj pasurie të madhe të shqiptarëve.

 

 

Situata

 

Zonja Ministre,

Me gjithë ringritjen e institucionit gjendja e brendshme e ALUIZNI-t vazhdon të jetë në prag të falimentimi dhe vetëm vullneti i qeverisë po e mban gjallë.

Pas vitit 2008, e thamë dhe para disa kohësh në një dalje publike, nga ALUIZNI janë punësuar me qindra punonjës me kontrate të përkohshme, për të cilët tani zbulojmë, pra pas 6 vjetësh, se nuk iu janë derdhur pagesat për sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore. Që do të thotë se këta njerëz kanë punuar kush 3-4-5 vjet pranë institucionit, janë me qindra të tillë, me besimin që kanë punuar në shtet, dhe për vite me radhë atyre nuk iu janë paguar nga shteti shqiptar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Ai shteti shqiptar i cili të dërgon kontrollin dhe për një punëtor ndërsa këtu ka qindra të tillë. Dhe këtu nuk është çështja vetëm për këta qindra por janë rreth 1 milionë dollarë, pra rreth 1 miliardë lekë të vjetra borxh i prapambetur, i mbartur, i institucionit për të cilin po përpiqemi të gjejmë një mënyrë se si do u paguhen këtyre njerëzve.

Vetëm per drejtoritë e Tiranes, Durrësit dhe Fierit, ky borxh i akumuluar është 83 milionë leke, ndërsa ne rang vendi i kalon te 100 milionët.

Kjo është një njollë turpi për shtetin Shqiptar, pasi ka trajtuar si skllevër edhe vetë punonjësit e vet. Në një kohë që ka një Inspektorat Pune, i cili nuk lejon edhe nje subjekt privat që të punësoje një punonjës pa e siguruar.

Ne u detyruam të anulojmë rreth 200 kontrata pune ditët e fundit të shtatorit të cilat na krijuan një tjetër precedent për marrjen dhjetëra e dhjetëra gjyqe shtesë për paga sepse konsiderojnë se institucioni u ka firmosur në punë dhe institucioni duhet të mbajë fjalën, duke na krijuar me dhjetëra çështje të tjera që kërkojnë juristë, kërkojnë ti ndjekësh, paga për tu paguar e kështu me radhë. Për fat të keq shumica e këtyre kontratave të anuluara për faktin se institucioni nuk kishte asnjë lekë për tu paguar, tani i gjen te portali i PD-së se demek janë të pushuar nga puna. Nuk janë njerëz të pushuar nga puna, janë njerëz që i tradhtoi shteti i tyre duke iu firmosur kontrata pune pa pasur asnjë lekë për të paguar.

 

Tek ALUIZNI ka vite që nuk bëhet asnjë investim për mbajtjen në gjendje pune të gjithë infrastrukturës teknike me gjithë vlerën e jashtëzakonshme të saj.

Kemi të bëjmë me një server që përmban një nga materialet më me vlerë, fotografimin ajror të vitit 2007, i cili i ka kushtuar shtetit shqiptar gati 3 milion USD, para të cilat janë paguar, para me të cilat ka punuar ALUIZNI deri sot, server dhe hartë që përdoret nga një sërë institucionesh të tjera të vendit dhe nga institucionet private në projektet e infrastrukturës, përdoret nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, përdoret në procesin e ZRPP dhe për këtë vlerë të jashtëzakonshme imagjinoni që këtu nuk gjetëm as 200 dollarë për ti blerë bateri që kur iknin dritat mos shuhej gjithë server,i por të paktën të mbahej në punë për të mos u dëmtuar.

 

Mungon baza materiale më e domosdoshme, mungon letra e kompjuterët, e deri tek tavolina e karriget.

Shumica e këtyre për aktivitetin e sotëm janë të marra borxh nga Ministria e Financave.

Dhe këto në Tiranë, imagjinoni se si janë zyrat e rretheve që janë në ndonjë zyrë me qira që nuk kanë as para për të paguar se është lënë buxheti bosh ose dhe aty ku ka zyrë që ua kanë lëshuar baskitë, nuk kanë as tavolina dhe jo më pastaj kompjutera apo rrjet për tu lidhur me Tiranën.

 

Takimi i sotëm bëhet me qëllim diskutimin e problematikave të mbledhura në këta muaj nga të gjitha drejtoritë.

Problematikat, shumica e tyre janë të pa parashikuara në ligje dhe akte të tjera gjithë këto vite kanë qenë pafund. Veç kësaj zgjatja e procesit pafundësisht, ka krijuar një mori situatash të reja, ku duhej diskutuar dhe zgjidhur rast pas rasti por për të cilat asnjëherë nuk është dhënë zgjidhje. Zgjidhja e vetme e gjetur ka qenë që të lihen nevojtarët në pritje vit pas viti. Ne do ti japim fund edhe kësaj situate.

 

Përmes këtij takimi synojmë edhe unifikimin e praktikave në të gjithë territorin e Republikës. Kjo në fakt ka qenë një tjetër shfaqje e organizimit gati mesjetar të institucionit deti më sot, ku çdo qark vepronte siç i thoshte mëndja vetë dhe ndryshe nga njëri-tjetri. Çdo drejtori shpikte praktika të vetat sepse ose i mungonte një orientim nga qendra ose nuk merrej njeri me to.

Unifikimi dhe koordinimi i praktikave çon jo vetëm në thjeshtim të procedurave por dhe në shmangien e korrupsionit për tu lënë sa më pak në dorë personave, duke nisur nga unë i apri dhe deri te nëpnësi i fundit, sa më pak mundësi zgjedhje.

 

Në ditët e para të janarit ne do të paraqesim një paketë të plotë të ndryshimeve të nevojshme në legjislacionin e legalizimeve:

– Do të ndryshojmë tërësisht skemën e operimit, me qëllim që të çojmë shërbimin tek qytetari. Do marrë fund epoka e karvanëve të qytetarëve që vinin tek dera e ALUIZNI-t për të zgjidhur hallin e tyre. Do jetë institucioni që do hedhë të gjithë resurset e veta, këta që ka dhe ata që do merrem me kontrata vitin tjetër, do shkojnë në terren , tek njerëzit dhe jo të rrinë në zyrë dhe të presim çfarë peshku do na sjellë deti për ta kapur ne.

– Do të ndryshojmë skemën e vlerësimit të trojeve, me qëllim që toka të mos ketë të njëjtën çmim si në Tiranë edhe në Kukës. Sot qytetari i Kukësit që do të bëjë një legalizim duhet të paguaj truallin njëlloj si legalizimi që do bëhet në Tiranë. Përfundimi, askush në Kukës nuk bën legalizim. Zgjidhja që ka gjetur drejtoria deri tani, le të rrinë atje siç kanë qëndruar 8 vjet. Do e mbyllim kategorish këtë duke ndryshuar skemën e vlerësimit të trojeve duke e kategorizuar sipas zonës, vendit, qarkut dhe vlerës që ka.

– Do ndryshojmë skemën e dokumenteve të nevojshme, për të mos e zhytur qytetarin në detin e letrave e vulave. I gjithë ky thjeshtim procedure do çojmë në sa më pak dokumente të domosdoshme.

– Do lidhemi me një rrjet me ZRPP dhe me AKKP me qëllim që përmes një portali të përbashkët të shkurtojmë kohët e operimit. Jemi duke bërë një projekt me këto dy institucione me qëllim që të mos bëjmë për çdo akt të zgjasë procedura. Burimi më i saktë është hipoteka.

 

Ne do ta mbajmë premtimin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, jo thjesht si proces në vetvete, por si premtim për formalizimin e gjithë kësaj pasurie të madhe të shqiptarëve.

 

Janë rreth 300.000 mijë familje shqiptare që e presin këtë gjë. Dhe në gjysmën e tyre, shteti shqiptar në 8 vjet që kaluan as nuk ka vajtur t’ju trokasë qoftë edhe një here të vetme në derë. Kjo është shenja më e qartë tregon se sa qytetarët e kanë pasur vullnetin dhe se sa shteti nuk e ka pasur vullnetit për t’iu përgjigjur këtij vullneti të qytetarëve për të zbatuar ligjin. Vlen kjo epokë e re që duam të fillojmë, edhe për Tiranë, Bathoren, Kënetën e Durrësit, Bradasheshin, rrethinat e Lezhës, Kukësit, Vlorën në të cilën ato që po ndodhin këto muaj me ndërhyrjet janë si pasojë e mosfunksionimit të ALUIZNI në këto vite për ti orientuar njerëzit se çfarë legalizohet dhe çfarë jo.

 

Ju faleminderit dhe punë të mbarë.