Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe pikës 3 të nenit 4 të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave,
VENDOSI:
- Institucionet shtetërore për ruajtjen, administrimin dhe shpërndarjen e informacionit hartografik kanë përgjegjësitë dhe zbatojnë detyrimet dhe rregullat e përcaktuara në këtë vendim.
- Produkti fotogrametrik (ortofoto dhe harta vektoriale) përbën bazën zyrtare të informacionit hartografik të territorit të Republikës së Shqipërisë dhe do të shërbejë për :
- funksionimin e sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
- funksionimin e sistemit kombëtar të adresave;
- funksionimin e sistemit të regjistrimit të popullsisë;
ç. kryerjen e studimeve urbane në të gjithë territorin e vendit;
- zbatimin e projekteve të ndryshme me interes publik;
dh. zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga ligji nr. 8402, dt. 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar.
- Kopjet origjinale të produktit fotogrametrik, i cili përcakton gjendjen ekzistuese për çdo pjesë të territorit, sipas datës kur është kryer fotografimi dhe sipas të dhënave teknike të parashikuara në kontratën e lidhur për këtë qëllim, të depozitohen pranë:
- Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave / Ndërtimeve Informale, për t’u përdorur për shërbimet përkatëse për këtë produkt dhe për përgatitjen e hartave në shkallët 1 : 500 deri në 1 : 5000, në funksion të procesit të legalizimit dhe urbanizimit.
- Arkivës shtetërore të Këshillit të Ministrave.
- ALUIZNI është autoriteti përgjegjës për shpërndarjen e produktit fotogrametrik, nga një kopje në formatin elektronik, brenda një muaji nga marrja në dorëzim e tij, në institucionet e mëposhtëme:
- Ministrinë e Brendshme;
- Ministrinë e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit;
- Ministrinë e Drejtësisë;
- Ministrisë së Mbrojtjes;
- Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës;
- Ministrisë së Financave;
- Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;
- Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve;
- Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave;
- Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta;
- Ministrisë së Shëndetësisë;
- Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës;
- Ministrisë së Jashtme;
- Ministrisë së Integrimit;
- Institutit të Statistikës;
- Institutit Gjeografik Ushtarak;
- Arkivit Qendror Teknik;
- Ministria e Brendshme është autoriteti përgjegjës që me mbështetjen e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, do të kryejë dublikimin, riprodhimin dhe legalizimin e kopjeve të pjesshme të produktit fotogrametrik, sipas njësive të veçanta të qeverisjes vendore dhe shpërndarjen e tij për secilën njësi, brenda dy muajve nga marrja në dorëzim nga ALUIZNI.
- Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit është autoriteti përgjegjës për dublikimin, riprodhimin dhe legalizimin e kopjeve të produktit fotogrametrik, në favor të subjekteve të interesuara, publike apo private. Brenda 45 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit paraqet, për miratim, planveprimin për plotësimin me burime, njerëzore dhe financiare, për ofrimin e këtyre shërbimeve.
- Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, brenda një muaji nga miratimi i planveprimit të përcaktuar në pikën 6, nxjerr udhëzimin përkatës për mënyrën dhe tarifën e dublikimit,të riprodhimit dhe legalizimit të pjesshëm për çdo njësi të produktit fotogrametrik, për subjektet e interesuara, publike apo private.
- Institucionet që sipas pikës 4, të këtij vendimi, do të përfitojnë kopje të produktit fotgrametrik, të nxjerrin brenda tre muajve, rregulloret përkatëse për ruajtjen dhe/ose përdorimin e këtij produkti.
- Agjencitë dhe institucionet, hartografike, gjeodezike e projektuese, shtetërore ose private, janë të detyruara, që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të hartojnë dhe miratojnë strategjitë për zbatimin, në sistemin e tyre, të produktit fotogrametrik, të përftuar nga fotografimi ajror, dixhital, i territorit të Republikës së Shqipërisë për korrigjimin e informacionit gjeografik, që disponojnë.
- Institucionet përgjegjëse për përpunimin e informacionit gjeografik të përftuar nga fotografimi ajror, dixhital, i territorit të Republikës së Shqipërisë, të kryejnë përpunimin, në përputhje me direktivën 2007/2/ të Parlamentit Europian dhe të Këshillit të Europës, për infrastrukturën e informacionit hapësinor.
- Prodhimi i informacionit gjeografik dhe i hartave topografike, në shkallë të mëdha, kryhet, duke përdorur si referencë gjeodezike të pozicionit global, “Projection Transverse Mercator Zonal (Tmz)” me λ = 20 dhe atë “Europian Terrestrial Reference System 1989 (ETRS89)”, në përputhje me rekomandimet e EUREF – EC. Institucionet përgjegjëse, ngarkohen për llogaritjen dhe publikimin zyrtar të koeficientëve të transformimit të sistemeve gjeodezike.
- Institucionet shtetërore, nuk mund të kryejnë procedura prokurimi, me fonde publike apo të donatorëve, për krijimin e produkteve hartografike të një standarti më të ulët se produkti fotogrametrik i përftuar nga fotografimi ajror, dixhital, i territorit të Republikës së Shqipërisë.
- Ngarkohet ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
KRYEMINISTRI
SALI BERISHA