VENDIM Nr. 258 PËR REGJISTRIMIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME, TË LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, si dhe të nenit 29 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, dhe të neneve 24 e 56, të ligjit nr.7843, datë 13.7.1994, “Për rregjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave,

 

VENDOSI :

 

I.          Të përgjithshme

1.   Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) fillon zbatimin e procedurave të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme (objektit dhe parcelës ndërtimore), brenda një afati 10 ditor pas pajisjes së dosjes së objektit pa leje, me lejen e legalizimit.

 

  1. Procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara, kryhen nga ALUIZNI, në përputhje me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, aktet nënligjore në zbatim të tij, si dhe metodikën e regjistrimit që zbatohet nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

 

2.1        Zyra vendore e rregjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP), brenda një periudhe prej 30 ditore, sipas kërkesës së  drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t, dërgon një informacion të hollësishëm, me numrat e zonës kadastrale dhe të pasurive, si dhe dokumentacionin përkatës hartografik, në funksion të regjistrimit të objekteve, të përfshira në proces legalizimi, për çdo zonë informale/bllokbanim informal/ndërtim informal të veçuar.

 

  1. ZVRPP-ja, pasqyron ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, brenda një periudhe prej 30 ditësh, nga:

 

a)                  miratimi i vendimeve të KRRT-së dhe/ose KRRTRSH-së, sipas neneve 10 e 11, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”;

b)                  hyrja në fuqi e vendimeve të Këshillit të Ministrave, për mënyrën e administrimit të territorit, për secilën prej zonave/vendbanimeve informale, sipas pikës 3, të nenit 45, të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”

 

II.         Dokumentacioni i nevojshëm për kryerjen e procedurave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara.

1.   Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, për kryerjen e procedurave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara, shfrytëzon bazën e të dhënave, si dhe:

 

a)      Dokumentacionin ligjor-administrativ, lejen e legalizimit të ndërtimit pa leje;

b)      Dokumentacioni teknik:

  • genplanin e objektit, të hartuar si hartë treguese, miratuar nga drejtoria rajonale e ALUIZNI-t;
  • planimetrnë për çdo kat;

 

2.         ALUIZNI plotëson dokumentacionin tekniko-ligjor, të nevojshëm për procedurat përkatëse për regjistrimin fillestar të objektit pa leje, të pajisur me leje legalizimi, si dhe regjistrin e parcelave ndërtimore, sipas të dhënave në kartelën e pasurisë të paluajtshme, në përputhje me listën e emrave të pronarëve të objekteve pa leje, që përfshihen në zonën informale/bllokbanimin informal/ndërtimet informale të veçuara, të grupuara në bazë të zonës kadastrale, ku ndodhen, sipas modelit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

III.        Procedurat për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, të legalizuara

 

1.         Plotësimi i kartelës së pasurisë së paluajtshme, të legalizuar.

 

1.1        ALUIZNI plotëson kartelën e pasurisë së paluajtshme, të legalizuar, sipas formatit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

1.2    Plotësimi i rubrikave, të përfshira në kartelën e pasurisë së paluajtshme, të legalizuar, bëhet në përputhje me :

 

a)         të dhënat e  lejes së legalizimit të objektit pa leje;

b)         genplanin e objektit, të hartuar si hartë treguese, miratuar nga drejtoria rajonale e ALUIZNI-t;

c)         hartën treguese të regjistrimit, ku evidentohen kufijtë e pasurisë për secilin objekt që gjendet në zonën e pasqyruar në të;

ç)         menyrën e renditjes (Vol_) dhe (Fq_), si dhe numrat e referencës së dokumentit arkivor për zonën kadastrale përkatëse, të përcaktuar nga ZVRPP, menjëherë pas paraqitjes së kërkesës nga  drejtoria rajonale e ALUIZNI-t.

 

1.2.1 Plotësimi i Rubrikave D e E, të kartelës së pasurive të paluajtshme, kryhet nga drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, në përputhje me të dhënat që ka ZVRPP-ja, e cila është e detyruar, që brenda një afati prej 15 ditësh nga paraqitja e kërkesës, të japë informacion të plotë, me të gjitha përshkrimet e nevojshme, për plotësimin e këtyre rubrikave.

 

1.2.2  Në formatin e kësaj kartele, që është në përputhje të plotë me formatin e kartelës së pasurisë së paluajtshme, të miratuar me vendimin nr. 519, datë 7.11.1994, të Këshillit të Ministrave, është shtuar seksioni F, për miratimin nga ALUIZNI, të të dhënave për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme, të legalizuar.

 

1.2.3    Çdo volum përmban 250 faqe. Për rastet e ndërtimeve informale të veçuara, volumi do të plotësohet sipas numrit të objekteve të pajisura me leje legalizimi.

 

1.3       Kartelat e pasurive  të paluajtshme, të legalizuara, do të plotësohen në format manual dhe dixhital. Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, administron dhe ruan në përputhje me udhëzimet e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, formatin dixhital të kartelës.

 

2.         Plotësimi i regjistrit të parcelave ndërtimore

 

2.1    Regjistri i parcelave ndërtimore do të plotësohet në format manual  dhe dixhital, në përputhje me përcaktimet e bëra në vendimin nr.437, datë 28.06.2006, të Këshillit të Ministrave.

 

2.2    Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, administron dhe ruan, në përputhje me udhëzimet e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, formatin dixhital dhe shkresor, të këtij regjistri.

 

3.         Plotësimi i bazës të së dhënave

 

3.1    Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, duke shfrytëzuar informacionin e regjistruar gjatë etapave të mëparshme të procesit të legalizimit, bën plotësimin e mëtejshëm të bazës së të dhënave, në format manual dhe dixhital, si dhe krijon bazën e të dhënave të pasurisë, sipas treguesve të kartelës së pasurisë të paluajtshme dhe regjistrit të parcelave ndërtimore.

 

3.2    Në përfundim të plotësimit të bazës të së dhënave, drejtoria rajonale kryen procedurat përkatëse të verifikimit të saktësisë të të dhënave të plotësuara.

 

3.3    Zyra Qendrore e ALUIZNI-t, duke shfrytëzuar informacionin e administruar gjatë të gjithë procesit, nga drejtorite rajonale, krijon dhe administron bazën e të dhënave, në shkallë vendi.

 

3.3.1Të dhënat e kartelës së pasurisë së paluajtshme, genplani i objektit, i hartuar si hartë treguese, dhe planimetria strukturohen në një program unifikues të informatizimit të të dhënave, si pjesë integrale e bazës së përgjithshme të të dhënave.

 

4.         Publikimi i të dhënave për regjistrimin fillestar të objekteve, të pajisura me leje legalizimi

 

4.1    Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t publikon, në nje vënd të dukshem, në zonën kadastrale,  për një afat 15 ditor, dokumentet e mëposhtme:

 

a)            regjistrin e parcelave ndërtimore;

b)            hartën treguese të regjistrimit (HTR), të përditësuar.

 

4.2    kur resultojnë pasaktësi në hartën treguese të pasurive ekzistuese, të regjistruara, ose mbivendosje me pasuritë e legalizuara, ALUIZNI njofton ZVRPP-në, e cila, në përputhje me nenin 17, të ligjit nr.7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, bën korrigjimet e nevojshme në HTR-në përkatëse.

 

5.         Miratimi i kartelës së pasurisë së paluajtshme, të legalizuar.

 

5.1    në kartelën e pasurisë së paluajtshme, të legalizuar, regjistrohet data e përfundimit afatit të publikimit të dokumenteve, të përcaktuara në pikën 4.1, të kapitullit III.

 

5.2    Kartela e pasurisë së paluajtshme, të legalizuar, nënshkruhet nga nëpunësi përgjegjës për plotësimin e saj dhe miratohet nga drejtori i drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t.

 

6.         Dorëzimi i dokumentacionit përkatës të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara, në ZVRPP.

 

6.1    Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t, në funksion të përmbylljes së procedurave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara,  dorëzon në ZVRPP, për cdo objekt, të gjithë informacionin e regjistruar në format dixhital, në bazën e të dhënave, si dhe dokumentacionin e mëposhtëm manual, për çdo objekt:

 

a)         Lejen e legalizimit të objektit;

b)         Genplanin e objektit, të hartuar si hartë treguese, miratuar nga drejtoria rajonale e ALUIZNI-t;

c)                  Planimetrinë për çdo kat;

ç)         Volumet e kartelave sipas përcaktimeve të këtij vendimi;

d)         Regjistrin e parcelave ndërtimore;

dh)       HTR-në e përditësuar;

 

7.         Ligjërimi nga ZVRPP-ja, i regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara.

 

7.1       ZVRPP-ja, brenda një periudhe prej 15-ditësh nga marrja në dorëzim e dokumentacionit të përcaktuar në pikën 6.1, të këtij vendimi, verifikon saktësinë e të dhënave të kartelës së pasurisë së paluajtshme, të legalizuar, dhe kryen procedurat për ligjërimin e regjistrimit fillestar për ndërtimet pa leje, të pajisura me leje legalizimi, në zbatim të nenit 26, të ligjit nr.7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”,  të ndryshuar.

 

IV. Të fundit

 

1.         Brenda nje periudhe prej 30 ditesh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ALUIZNI dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi, për bashkërendimin efektiv të veprimatrisë së tyre, në funksion të mbarëvajtjes së procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje, si dhe regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara.

 

2.         Ngarkohet Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ALUIZNI dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA