VENDIM Nr. 289,datë 17.5.2006, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË LEGALIZIMIT, URBANIZIMIT DHE INTEGRIMIT TË ZONAVE/NDËRTIMEVE INFORMALE (ALUIZNI)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 46 të ligjit nr.9482, datë 16.2.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, me propozimin e Ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale në Republikën e Shqipërisë, me poshtë e quajtur ALUIZNI, është institucion qendror, person juridik, publik, në varësi të Ministrit të Zhvillimit Urban.
2. ALUIZNI ka Drejtorinë e Përgjithshme në Tiranë dhe drejtori varësie në çdo qendër qarku. Përjashtimisht, në qarqet Durrës, Fier dhe Vlorë, ALUIZNI ka përkatësisht dy drejtori, si dhe në Tiranë shtatë drejtori varësie.

3. ALUIZNI përmbush objektivat, kryen detyrat dhe ushtron përgjegjësitë e përcaktuara në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe ligjin nr.10186, datë 5.11.2009, “Për rregullimin e pronësisë në truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, të ndryshuar.”.
4. Organika dhe struktura e ALUIZNI-t, në qendër, në qark dhe në njësitë e veçanta të qeverisjes vendore përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e Ministrit të Zhvillimit Urban.

4/1. Në përputhje me organikën dhe strukturën e miratuar sipas pikës 4 të këtij vendimi, drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t përcakton kompetencat territoriale dhe/ose lëndore të drejtorive të qarqeve Durrës, Vlorë, Fier dhe Tiranë.
5.  ALUIZNI drejtohet nga drejtori i përgjithshëm dhe dy zëvendësdrejtorë.
6. Drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t emërohet, lirohet ose shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa zëvendësdrejtorët emërohen, lirohen dhe shkarkohen nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Zhvillimit Urban.
7. Personeli i ALUIZNI-t duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme, të përcaktuara në legjislacionin e shërbimit civil, dhe kërkesat e veçanta, që përcaktohen nga Drejtori i Përgjithshëm i kësaj agjencie. Marrëdhëniet e punës rregullohen me ligjin nr.7971, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.”.
8. ALUIZNI financohet nga Buxheti i Shtetit, nga të ardhurat, që siguron nga mbledhja e tarifës së shërbimit, në përputhje me ligjin nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe nga donacione të huaja.”.
9. Ministri i Zhvillimit Urban miraton rregulloren e brendshme të funksionimit të ALUIZNI-it.”.
10. Zyrat e ALUIZNI-t, në nivel qarku funksionojnë në çdo qark, me vendndodhje në administratën e prefektit. Prefekti jo më vonë se 10 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi siguron mjediset e përshtatshme për funksionimin e zyrave dhe merr masa për mbarëvajtjen e veprimtarisë së tyre.
11. Prefekti, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, identifikon dhe i propozon Ministrit të Zhvillimit Urban njësitë përkatëse të qeverisjes vendore, ku do të ngrihen zyrat e njësisë vendore të ALUIZNI-it, si dhe përcakton mjediset e përshtatshme të punës për këto zyra.
12. Zyrat në nivel qarku dhe në njësitë e veçanta të qeverisjes vendore raportojnë te drejtori i përgjithshëm.
13. Arkiva, mjetet e punës dhe logjistika e Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale (ALUIZNI), e krijuar sipas vendimeve nr.440, datë 26.6.2003, dhe nr.241, datë 21.4.2005 të Këshillit të Ministrave, të transferohen në administrim të ALUIZNI-t.
14. Fondet buxhetore, të planifikuara për Agjencinë e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale (ALUIZNI), pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, të transferohen në llogari të ALUIZNI-t.
15.  Ngarkohen Ministri i Zhvillimit Urban dhe drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t për zbatimin e këtij vendimi.

 

KRYEMINISTRI
EDI RAMA