VENDIM Nr. 438 PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE DHE DOKUMENTACIONIT TË ZBATUESHËM, PËR TË KUALIFIKUAR OBJEKTET NË NDËRTIM, QË LEGALIZOHEN OSE JO

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe neneve 2, pika 1 e 46, pika 1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Kriteret dhe dokumentacioni i zbatueshëm për legalizimin e ndërtimit pa leje.

1. Kualifikohet për legalizim objekti pa leje i përfunduar deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, që:

a)      ka minimalisht të ngritur një kat, me lartësi dysheme-tavan 2m;

b)      ka të përfunduar kostruksionin së bashku me mbulesën;

c)      nuk ka trajtim të veçantë sipas përcaktimit të neneve 2, pika 4, dhe 35 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”;

ç)   nuk ndodhet në kushtet e përjashtimit nga procesi i legalizimit, sipas përcaktimeve në pikën 2 të këtij vendimi.

2. Objekti i ndërtuar pa leje ose shtesa e sipërfaqes tej lejes së miratuar nuk kualifikohet për legalizim ose, nëse është kualifikuar, legalizimi ndërpritet në çdo kohë përpara lëshimit të lejes së legalizimit sipas nenit 28 të ligjit, në rast se legalizimi:

a)      cënon sistemin, rrugor dhe hekurudhor, kombëtar e rajonal, si dhe brezat mbrojtës të tyre, të parashikuar nga plani i përgjithshëm rregullues apo studime të çdo niveli, të miratuar a në proces.

b)      shkel vijën e ndërtimit në rrugët e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë, të parashikuar nga plani i përgjithshëm rregullues, studimet urbanistike apo projektet e veçanta infrastrukturore rrugore të çdo niveli, të miratuara a në process

c)      është ngritur brenda territorit të shkollave, kopshteve, spitaleve, çerdheve, qendrave shëndetësore dhe të çdo institucioni tjetër publik.

c/1. cenon zbatimin e projekteve për zona turistike, zona komerciale dhe rekreative, zonat ekonomike, parqe dhe impiante industriale, për të cilat ka studime të miratuara ose në proces;

ç)   cënon integritetin e Monumenteve të Kulturës, sipas përcaktimit të pikës 1, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, të specifikuar nga materiali i publikuar i Institutit të Monumenteve të Kulturës si dhe sipas përcaktimit të nenit 38 të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006.

d)      është ngritur mbi/ose brenda brezit mbrojtës të kolektorit, digës ose aeroportit.

dh) cënon trungun kryesor të infrastrukturës inxhinierike sipas përcaktimeve në rregulloren e urbanistikës të miratuar me vendimin nr. 722, datë 19.11.1998, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.

e)   është ngritur brenda territoreve dhe kufirit mbrojtës të zonës komerciale dhe rekreative, të zonave ekonomike apo të zonave të mbrojtura, me akte, ligjore dhe nënligjore, si:

(i)      zonë turistike sipas përcaktimit të bërë në nenet 64, 65 e 66 të ligjit nr.8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”, të ndryshuar, dhe të pikës 39 të nenit 4 të ligjit nr.9734, datë 14.5.2007 “Për turizmin”, të ndryshuar.”

(ii)   zonë e mbrojtur, sipas përcaktimit të bërë në ligjin nr. 8906, datë 6.6.2002 “Për zonat e mbrojtura”.

(iii) zonë me vlera arkeologjike, muzeale e historike ose në kufi me objektet apo strukturat ndërtimore me vlera të veçanta, sipas përcaktimit të neneve 73 e 74, të ligjit 8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”, të ndryshuar, dhe neneve 31, 32 e 33, të ligjit nr. 9048, datë 7.4.2003, “Për trashgiminë kulturore”.

(iv)  zonë ekonomike sipas ligjit nr.9789, datë 19.7.2007 “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”

ë) cënon sistemet dhe brezat mbrojtës të kanaleve kulluese dhe ujitëse.

f) është ngritur brenda kufirit mbrojtës të burimeve natyrore, si naftë e gazmbajtëse, burimeve minierare, energjitike, burimeve e rezervave ujore, etj.

3. Objekti i veçuar, i ngritur në “territore të tjera”, nuk kualifikohet për t’u legalizuar, kur është ndërtuar:

i)    në zona me rrezik përmbytjeje;

ii)      në shtretërit e lumenjve;

iii)    brenda sipërfaqes së baseneve, rezervuarëve dhe liqeneve;

iv)    në zonat e riskut gjeologjik, çarje-rrëshqitje;

v)      niveli i ndotjes së mjedisit kalon nivelin e përcaktuar në legjislacionin në fuqi për mjedisin.

4. Për të kualifikuar objektet, që legalizohen apo jo, njësitë e qeverisjes vendore mbështeten në:

a)      hartën/fotografinë e gjëndjes ndërtimore;

b)      materialin grafik të planit të përgjithshëm rregullues dhe të çdo studimi të miratuar, të infrasktrukturës inxhinierike dhe rrugore të zonës, sipas përcaktimeve të Rregullores së Urbanistikës miratuar me vendimin nr. 722, datë 19.11.1998, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar;

c)      materialin grafik për territorin brenda kufirit të zonave me mbrojtje të veçantë nga aktet, ligjore e nënligjore, rast pas rasti.

ç) sipas rastit, në dokumentacionin e paraqitur nga organet shtetërore përgjegjëse, sipas pikës 8/1 të këtij vendimi.

II.  Procedurat e kualifikimit të objekteve, që legalizohen dhe dokumentacioni teknik e ligjor.

5. Për kualifikimin e objekteve që legalizohen apo jo, veprohet si më poshtë vijon;

a)      Identifikohet nga njësia e qeverisjes vendore, me pranimin e formularit të vetëdeklarimit, ndërtimi në hartë/fotografi, gjendja ndërtimore, sipas vendndodhjes;

b)      Verifikohet në terren nga njësia e qeverisjes vendore, brenda 20 ditëve nga dorëzimi i formularit të vetëdeklarimit, ndërtimi i identifikuar në hartë/fotografi dhe hartohet proces verbali i konstatimit.

Për rastet e ndërtimeve, që përjashtohen nga procesi i legalizimit, sipas pikës 2, të këtij vendimi, njësia e urbanistikës i dërgon, brenda 5 ditësh, mendimin e saj KRRT–së njësisë së qeverisjes vendore. Kjo e fundit merr vendim në mbledhjen më të afërt të saj.

c)      grupohen sipas vendndodhjes dhe tipologjisë së tyre ndërtimet e përfshira në procesverbalin e konstatimit.

6. Për objektet e ndërtuara pa leje apo shtesat e sipërfaqeve tej lejes së miratuar ndaj të cilave ka filluar proces gjyqësor ose është vendosur masa e sigurisë me vendim gjykate, nga njësia e qeverisjes vendore, ndiqen këto procedura:

a)      I kërkon deklaruesit apo personit të tretë, me marrjen dijeni të procedimit gjyqësor, depozitimi, në dosjen e ndërtimit pa leje, të kopjes së vendimit të gjykatës ose të shkresës së gjykatës për zhvillimin e një procesi gjygjësor dhe për objektin e gjykimit.

b)      Vë në dijeni, menjëherë, personin e interesuar për legalizimin e ndërtimit pa leje, kur njoftimi për zhvillimin e procedimit gjyqësor vjen nga gjykata, qoftë për vendosje mase sigurie sipas nenit 40, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

c)   Depoziton në dosjen e ndërtimit pa leje, në të dyja rastet e mësipërme, aktin për pezullim procedurash legalizimi. Kjo dosje ruhet nga njësia e qeverisjes vendore, sipas ligjit për arkivat.

ç)   Rifillon, me paraqitjen e vendimit të formës së prerë të gjykatës për procedimin gjyqësor, shkak i pezullimit të procedurave të legalizimit, procesi i legalizimit të ndërtimit pa leje sipas kontekstit dhe përmbajtjes së vendimit të formës së prerë të gjykatës.

7. Për rastet kur vërehet se një subjekt ka deklaruar më shumë objekte pa leje, veprohet si vijon:

7.1. Kur objektet pa leje ndodhen brenda kufirit territorialo-administrativ të së njëjtës njësi të qeverisjes vendore, kjo e fundit i kërkon deklaruesit:

a)      të zgjedhë objektin për të cilin kërkon legalizim, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

b)      të depozitojë deklaratën noteriale të heqjes dorë nga përfshirja në procesin e legalizimit, sipas kushteve të përcaktuara në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, për objektet e tjera, e cila depozitohet në dosjet përkatëse.

7.2. Kur objektet pa leje ndodhen brenda kufirit territorialo-administrativ të dy ose më shumë njësive të qeverisjes vendore dhe/ose kur rasti i pikës 7.1, të këtij vendimi nuk është vënë re, ALUIZNI, i kërkon njësisë përkatëse të qeverisjes vendore, ku ka vendbanimin subjekti, të veprojë sipas përcaktimit të pikes 7.1, të këtij vendimi.

Në kuptim të kësaj pike subjekti identifikohet nga të dhënat e certifikatës së përbërjes familjare, të lëshuar sipas gjendjes familjare të datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006.

7.3. Për objektet, të cilat legalizohen me kushtet e tregut:

(i)     çmimi i shitjes për metër katror të sipërfaqes së zënë nxirret, në përputhje me vlerën e tregut;

(ii)   taksa e legalizimit përllogaritet sipas neneve 51, paragrafi i parë, e 77, të ligjit 8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”, të ndryshuar, dhe nenit 16, të ligjit 8982, datë 12.12.2002, “Për sistemin e taksave vendore”.

8. Për rastet, kur vërehet se objekti ndodhet në kushtet e trajtimit të veçantë, për shkak të vendndodhjes në troje private, të parashikura nga plani i përgjithshëm rregullues/studimet urbanistike, të ndërtimeve mbi 5 kate nga niveli zero, njësia e qeverisjes vendore vepron si më poshtë vijon:

a)      afishon hartën me kufirin e zonës nën juridiksion, të mbuluar me plan urbanistik, të miratuar për ndërtimet mbi 5 kate nga niveli zero, me fillimin e procesit të vetëdeklarimit. Në këtë rast niveli zero është kuota e nivelit të truallit.

b)      dërgon kopje të kësaj harte në ZRPP përkatëse dhe i kërkon asaj listën e pronarëve privat, të regjistruar mbi këto territore, e cila detyrohet të dërgojë brenda 30 ditëve në njësinë e qeverisjes vendore, përkatëse, materialin e kërkuar sipas.

c)      dokumentacioni i afishimit dhe i dërguar nga ZRPP, depozitohet në dosjen e objektit pa leje, evidencohet dhe nënshkruhet nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore.

ç)   Pas kryerjes së procedurave të mësipërme, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, me urdhër të tij, njofton subjektin deklarues, pronarin e sipërfaqes së truallit, sekretarinë teknike të KRRT dhe ZRPP përkatëse, për pezullimin e legalizimit të objektit.

8.1 Kur objektet ndodhen në kushtet e moskualifikimit për legalizim, organet shtetërore përgjegjëse kanë të drejtë t’i kërkojnë ALUIZNI-t ndërprerjen e legalizimit, duke specifikuar dhe shkakun konkret sipas pikave 2 e 3 të këtij vendimi, për të cilin ALUIZNI është i detyruar të ndërpresë procesin. Kërkesës duhet t’i bashkëlidhet, detyrimisht, dokumentacioni provues. ALUIZNI është i detyruar, që, brenda 2 (dy) javëve nga data e depozitimit të kërkesës, t’u konfirmojë ndërprerjen e procedurave organit shtetëror përgjegjës dhe personit të interesuar për legalizimin e ndërtimit pa leje. Në rast se, me kalimin e këtij afati, ALUIZNI nuk ka konfirmuar ose ka refuzuar ndërprerjen e legalizimit, organi shtetëror përgjegjës ka të drejtë t’i kërkojë Këshillit të Ministrave pezullimin e procedurave të legalizimit të objekteve pa leje. Këshilli i Ministrave vendos sipas afateve dhe procedurës së përcaktuar në paragrafin e dytë të pikës 1 të nenit 13 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

9. Hartimi i dokumentacionit teknik të përcaktuar më poshtë dhe dokumentacioni i përcaktuar në pikën 5 të këtij vendimi, mbështetet në normat dhe kriteret e legjislacionit urbanistik në fuqi.

a)      Gen plani në shkallën 1:500, për çdo ndërtim pa leje të deklaruar, hartohet nga njësia e qeverisjes vendore, në bazë të dokumetacionit hartografik të gjendjes ndërtimore, brenda 20 ditësh nga paraqitja e kërkesës të të interesuarit.

b)      Planvendosja e zonës/vendbanimit/bllokbanimit/grupndërtimit informal përgatitet nga njësia e qeverisjes vendore dhe përmban:

(i)   kufirin e zonës/vendbanimit/bllokbanimit/grupndërtimit informal të miratuar nga KRRTRSH-ja/KRRT-ja;

(ii)  sipërfaqen e bazës të secilit objekt dhe kufirin e secilës parcelë ndërtimore.

c)   Për hartimin e planimetrisë dhe genplanit njësia vendore:

(I)   përditëson në terren hartën/fotografinë e gjendjes ndërtimore;

(ii)  verifikon të dhënat e deklaruara dhe specifikon në hartë/fotografi sipas deklarimit, kufirin e secilës pronë.

Harta e përftuar konfirmohet nga njësia e qeverisjes vendore dhe depozitohet në strukturën përkatëse të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale.

10. Pas deklarimit fillestar dhe kualifikimit për legalizim njësia e qeverisjes vendore njofton subjektin deklarues për plotësimin e dokumentacionit. Dosjet për objektet e kualifikuara për përjashtim ose pezullim i dërgohen ALUIZNI-t. Pas shqyrtimit të këtij të fundit brenda një muaji i kthehen njësive të qeverisjes vendore, të cilat i arkivojnë dhe njoftojnë deklaruesin.

11. Planimetria e çdo kati apo e sipërfaqeve shtesë tej lejes së miratuar e shkallës 1:100, hartohet dhe nënshkruhet nga një projektues i licensuar.

12. Institucionet e përcaktuara nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për përgatitjen e oponencës mbi qëndrueshmërinë konstruktive të objektit me sipërfaqe tej lejes së miratuar me vendim të KRRTRSH-së/ KRRT-së, japin mendimin e tyre, me shkrim, brenda 20 ditësh nga paraqitja e kërkesës së të interesuarit.

I interesuari dërgon bashkë me kërkesën dhe deklaratën noteriale ose aktekspertimin, sipas përcaktimit të nenit 37, të ligjit 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, edhe projektin e plotë të zbatimit të objektit.

Kopja e oponencës dërgohet zyrtarisht në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore dhe/ose në strukturën përkatëse të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale brenda afatit të mësipërm.

13. Njësia përkatëse e qeverisjes vendore, për objekte të ngritura pa leje ndërtimi, brenda ose në afërsi të territoreve të mbrojtura nga aktet, ligjore dhe nënligjore, menjëherë me marrjen e formularit të vetëdeklarimit për secilin objekt, i kërkon sipas rastit, organit përkatës mendim. Ky i fundit jep mendimin e tij me shkrim, brenda 20 ditësh nga paraqitja e kërkesës së njësisë përkatëse të qeverisjes vendore.

14. Udhëzimi nr. 3, datë 15.3.2005 i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e zonës informale” shfuqizohet.

15. Ngarkohet Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

 

 

 

 

VENDIM

Nr.994, datë 6.10.2010

PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.438, DATË 28.6.2006 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE DHE DOKUMENTACIONIT TË ZBATUESHËM, PËR TË KUALIFIKUAR OBJEKTET NË NDËRTIM, QË LEGALIZOHEN OSE JO

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2 pika 1, e 46, pika 1 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Në vendimin nr.438, datë 28.6.2006 të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 2 të kreut I, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

a) Fjalia e parë ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Objekti i ndërtuar pa leje ose shtesa e sipërfaqes tej lejes së miratuar nuk kualifikohet për legalizim ose, nëse është kualifikuar, legalizimi ndërpritet në çdo kohë përpara lëshimit të lejes së legalizimit sipas nenit 28 të ligjit, në rast se legalizimi:”.

b) Shkonja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) shkel vijën e ndërtimit në rrugët e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë, të parashikuar nga plani i përgjithshëm rregullues, studimet urbanistike apo projektet e veçanta infrastrukturore rrugore të çdo niveli, të miratuara a në proces;”.

c) Pas shkronjës “c” shtohet shkronja “c/1”, me këtë përmbajtje:

“c/1. cenon zbatimin e projekteve për zona turistike, zona komerciale dhe rekreative, zonat ekonomike, parqe dhe impiante industriale, për të cilat ka studime të miratuara ose në proces;”.

ç) Në shkronjën “e” bëhen këto ndryshime e shtesa:

– Në fjalinë e parë, pas fjalëve “… kufirit mbrojtës …” shtohen “… të zonës komerciale dhe rekreative, të zonave ekonomike apo …”.

– Nënndarja “i” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“i) zonë turistike sipas përcaktimit të bërë në nenet 64, 65 e 66 të ligjit nr.8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”, të ndryshuar, dhe të pikës 39 të nenit 4 të ligjit nr.9734, datë 14.5.2007 “Për turizmin”, të ndryshuar.”.

– Pas nënndarjes “iii” shtohet nënndarja “iv”, me këtë përmbajtje:

“iv) zonë ekonomike sipas ligjit nr.9789, datë 19.7.2007 “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”.”

2. Pas shkronjës “c” të pikës 4 të kreut I, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:

“ç) sipas rastit, në dokumentacionin e paraqitur nga organet shtetërore përgjegjëse, sipas pikës 8/1 të këtij vendimi.”.

3. Pas pikës 8 të kreut II, shtohet pika 8/1, me këtë përmbajtje:

“8.1 Kur objektet ndodhen në kushtet e moskualifikimit për legalizim, organet shtetërore përgjegjëse kanë të drejtë t’i kërkojnë ALUIZNI-t ndërprerjen e legalizimit, duke specifikuar dhe shkakun konkret sipas pikave 2 e 3 të këtij vendimi, për të cilin ALUIZNI është i detyruar të ndërpresë procesin. Kërkesës duhet t’i bashkëlidhet, detyrimisht, dokumentacioni provues. ALUIZNI është i detyruar, që, brenda 2 (dy) javëve nga data e depozitimit të kërkesës, t’u konfirmojë ndërprerjen e procedurave organit shtetëror përgjegjës dhe personit të interesuar për legalizimin e ndërtimit pa leje. Në rast se, me kalimin e këtij afati, ALUIZNI nuk ka konfirmuar ose ka refuzuar ndërprerjen e legalizimit, organi shtetëror përgjegjës ka të drejtë t’i kërkojë Këshillit të Ministrave pezullimin e procedurave të legalizimit të objekteve pa leje. Këshilli i Ministrave vendos sipas afateve dhe procedurës së përcaktuar në paragrafin e dytë të pikës 1 të nenit 13 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.”

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Sali Berisha