Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 32, pika 3, dhe 43, pika 2, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
- Të ardhurat për përballimin e shpenzimeve të evidentimit në terren dhe të hartimit të dokumentacionit, për ndërtimet pa leje, të përbëhen nga:
a) 30 për qind e fondit të arkëtuar nga pagesa e parcelës ndërtimore;
b) të ardhurat e arkëtuara nga pagesa e tarifës së shërbimit, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik dhe të përzier, si dhe nga pagesa e penaliteteve, në masën e vlerësuar nga ALUIZNI, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Tarifa e shërbimit për legalizim, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, si dhe për objektet e dyta, në kuptim të nenit 25, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, është 8 000 (tetë mijë) lekë, për çdo kat të ndërtimit.
3. Për ndërtimet pa leje, me funksion të përzier, subjekti të paguajë tarifë shërbimi, në vlerën e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, vetëm për katin e shfrytëzuar për veprimtari social-ekonomike.
4. Pagesa e tarifës së shërbimit të kryhet brenda 30 ditëve nga data e njoftimit me shkrim të ALUIZNI-t.
4/1. Për ndërtimet pa leje, njoftimi për pagesën e tarifës së shërbimit (në rastet kur kjo tarifë aplikohet), i dërgohet subjektit në rrugë postare ose i jepet në dorëzim menjëherë pas kualifikimit të ndërtimit për legalizim (data e vendimit të kualifikimit). Në rast mospagimi të tarifës, ALUIZNI, pas miratimit të lejes së legalizimit, e dërgon atë për regjistrim me hipotekë ligjore mbi ndërtimin, sipas nenit 54, të ligjit nr. 33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.
- Taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni i tyre, të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.
Për zbatimin e kësaj pike, drejtoritë e ALUIZNI-t, të vënë në dispozicion të njësive të qeverisjes vendore, në momentin e dërgimit për regjistrim në ZVRPP, të dhënat e ndërtimeve që pajisen me leje legalizimi.
- Për llogaritjen e penalitetit të legalizimit të shtesave të subjektit ndërtues, sipas nenit 43, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, si çmim minimal fiskal të përdoret vlera e kostos mesatare të ndërtimit të banesave për m 2 , bazuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, të miratuar në zbatim të shkronjës “dh”, të nenit 34/1, të ligjit nr. 9232, datë 13.5.2004. “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar.
- Për ndërtimet në zona ku nuk ka vlera të miratuara të kostos mesatare, përllogaritja të kryhet në bazë të mesatares aritmetike të kostove të zonave kufitare.
- Vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 1180, datë 5.8.2008, “Për përcaktimin e vlerës së tarifës së shërbimit për legalizim dhe mbledhjen e administrimin e të ardhurave të procesit të legalizimit”, të ndryshuar, dhe nr. 870, datë 27.12.2006, “Për koeficientin e shfrytëzimit të ndërtesës në legalizim, me destinacion social-ekonomik”, shfuqizohen.
- Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Agjencia e Legalizimit,
Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama