Agjencia Shtetërore e Kadastrës është person juridik publik, në varësi të Kryeministrit, i krijuar në zbatim të ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”, i cili ka për objekt krijimin dhe regjistrimin e titujve të pronësisë, të dhënë sipas akteve ligjore e nënligjore për pronësinë.
Pronësia, lloji i pasurisë, si dhe kufijtë e çdo pasurie, dokumentohen mbi bazë të aktit të fitimit të pronësisë, sipas përcaktimeve të nenit 193 të Kodit Civil.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës organizohet në nivel qendror, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme në Tiranë, dhe në nivel vendor, në drejtori e zyra, si struktura varësie.
Aktualisht ASHK ushtron veprimtarinë e saj në përputhje me dispozitat e ligjit nr.111/2018 “Për kadastrën”, ligjit nr.20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet nënligjore në zbatim të tyre, të cilët kanë përcaktuar qartë fushën e veprimtarisë lidhur me regjistrimin e pasurive të paluajtshme, lëshimin e titujve të pronësisë, mënyrën e paraqitjes së kërkesës së subjekteve dhe procedurën e trajtimit të tyre.