Në zbatim të ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”, si dhe VKM-së nr, 389/2020 “Për miratimin e listës dhe të tarifave së shërbimeve kadastrale”, çdo subjekt i interesuar i cili provon interesin e ligjshëm mbi të dhënat e administruara nga kadastra, duhet të aplikojë në platformën unike qeveritare www.e-albania.al, shërbimet kadastrale përkatëse dhe konkretisht shërbimin nr. 63 “Informacion zyrtar i pasurisë për individët dhe personat juridikë”.
Referuar parashikimeve të nenit 25 të ligjit nr. 20/2020, çdo person, mbajtës i titullit të pronësisë apo i një të drejte reale, të detyrueshme për regjistrim, sipas dispozitave të Kodit Civil, apo të ligjit të veçantë, duhet të paraqesë kërkesë për regjistrimin e titullit, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të tij. Nëse kërkesa për regjistrim paraqitet tej afatit 30-ditor, kërkuesi, përveç tarifës së regjistrimit, për çdo ditë vonesë, duhet të paguajë edhe kamatëvonesë, tё barabartë me 10 % e tarifës së regjistrimit, por jo më shumë se 300 000 lekë.
Në rastet kur, certifikata e vjetër ka humbur apo është dëmtuar në mënyrë të palexueshme, mund të paraqisni kërkesë ku të treghen faktet e humbjes së certifikatës origjinale ose certifikatën e dëmtuar. Më pas, në zbatim të nenit 18 të ligjit nr.111/2018 “Për kadastrën”, drejtoria vendore përgjegjëse publikon njoftim për certifikatën e humbur apo të dëmtuar, për 15 ditë. Vetëm pas kalimit të këtij afati mund të lëshohet certifikata e re.
Në përputhje me nenin 58 të K.Pr.A, dhe nenin 11 të ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”, \kërkesa duhet të jetë mjaftueshëm e qartë për të përcaktuar kërkuesin dhe qëllimin e saj, përveçse kur ligji parashikon një përmbajtje të caktuar. Gjithashtu kërkesa duhet të përmbajë informacion mbi pasurinë objekt kërkese, si dhe shpjegime të hollësishme në lidhje me faktet rreth të cilave bëhet kërkesa.
Dokumentacioni fizik depozitohet pranë drejtorisë/zyrës vendore të Agjencisë, që administron kadastrën e zonës/zonave të regjistrimit në kompetencë të saj, si dhe është përgjegjëse për zbatimin e procedurave të parashikuara në legjislacionin për çështjet e pronësisë. Adresat e të cilave mund tí gjeni në këtë faqe, në rubrikën “Kontakt”.
Në këtë rast, ju duhet të kryeni kërkesën për kalimin e pronësisë të objektit pa titull/truallit funksional/oborrit në përdorim, nëpërmjet portalit unik qeveritar e-albania. Kërkesa juaj do të shqyrohet nga drejtoria vendore që administron zonën në të cilën ndodhet objekti, në zbatim të VKM-së nr.827, datë 30.09.2020 “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për miratimin e dokumentit të pronësisë, të objekteve pa titull pronësie, trojeve të tyre funksionale dhe të oborreve në përdorim”.
Referuar legjislacionit në fuqi, verifikimi i sipërfaqes së përfituar me AMTP (në zbatim të ligjit nr. 7501/1991 “Për tokën”, i shfuqizuar), në raport me sipërfaqen takuese sipas normës për frymë, nuk është kompetencë e ASHK-së. Ky proces kryhej bazuar në ligjin nr. 9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i shfuqizuar, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, nga komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë, pranë Prefektit të Qarkut. Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 20, datë 22.04.2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, i cili shfuqizoi Ligjin nr. 9948/2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore…”, ky proces nuk kryhet më administrativisht.