Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që mundëson vijimin e procesit të kompensimit financiar për pronarët e pasurive të paluajtshme, toka e të cilëve është zënë nga ndërtime të legalizuara. Vendimi i hap rrugë përmbylljes së një procesi të rëndësishëm, duke garantuar të drejtën e ish-pronarëve për kompensim financiar, si dhe duke i dhënë mundësi banorëve të pajisen me parcelën ndërtimore për objektet e tyre.
Në kuadër të këtij vendimi:
- 1.1 miliardë lekë vihen në dispozicion për kompensimin financiar të pronarëve të prekur nga legalizimet;
- 101 mijë metra katrorë sipërfaqe përfshihen në procesin e shpronësimit;
- 437 pasuri do të trajtohen për kompensim;
- 395 banorë do të kenë mundësinë të pajisen me parcelën ndërtimore.
Vendimi përbën një hap konkret drejt forcimit të sigurisë juridike mbi pronën, si dhe drejt përmbylljes së proceseve të legalizimit në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
Pas botimit në Fletoren Zyrtare, vendimi dhe lista e përfituesve të parcelave ndërtimore do të publikohen në faqen zyrtare të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Post Views: 1 209

