Digjitalizimi i hartave kadastrale përbën fazën e tretë dhe më të rëndësishme të transformimit digjital të sistemit kadastral në vend. Me mbështetjen financiare të Bashkimi Europian dhe zbatimin përmes UNOPS, gjatë këtij viti nis zyrtarisht projekti i shumëpritur i digjitalizimit të hartave kadastrale.
Në këtë kuadër, UNOPS organizoi një ëorkshop të dedikuar për këtë proces kyç, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë dhe stafit teknik të kadastrës. Aktiviteti shërbeu si një platformë e rëndësishme koordinimi dhe trajnimi për fazën e re të reformës digjitale.
Në workshop morën pjesë znj. Sabine Kania, Drejtuese e UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën, e cila rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme për zbatimin me sukses të projektit; Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencia Shtetërore e Kadastrës, znj. Lorena Goxhobelli; përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian, z. Peter Danis; si dhe znj. Ana Sekulic, drejtuese e projektit.
Gjatë workshopit u zhvillua një trajnim teknik për ekipet e drejtorive vendore të kadastrës, ku u analizuan në detaje të gjithë hapat teknikë dhe procedurialë që do të ndiqen në këtë fazë. Qëllimi kryesor është forcimi i kapaciteteve profesionale, unifikimi i standardeve dhe garantimi i një zbatimi cilësor në të gjithë territorin e vendit.
Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e ASHK, theksoi se digjitalizimi i hartave kadastrale pritet të rrisë ndjeshëm saktësinë e të dhënave, të përmirësojë cilësinë e shërbimeve publike dhe të lehtësojë aksesin në informacion për qytetarët dhe profesionistët e fushës.
“Ky proces – u shpreh Znj. Lorena Goxhobelli – jo vetëm që do ta lehtësojë ndjeshëm punën tonë të përditshme, por do të krijojë edhe një bazë të qëndrueshme për sfidën e radhës: rindërtimin e hartave të dëmtuara, të cilat mbartin një sërë problematikash të trashëguara ndër vite.”
Kjo fazë e digjitalizimit vjen pas një transformimi të gjerë të ndërmarrë nga ASHK, gjatë të cilit është skanuar plotësisht dokumentacioni tekniko-ligjor i pronave — rreth 54 milionë fletë referencash — ndërkohë që digjitalizimi i plotë i kartelave të pasurisë është drejt përfundimit brenda muajit qershor 2026. Deri më tani janë digjitalizuar mbi 86% e kartelave të pasurisë.
Gjatë këtij viti, rreth 33 mijë harta fizike do të gjeoreferohen dhe do të integrohen në sistemin digjital, duke shënuar një hap vendimtar drejt ndërtimit të një kadastre moderne, të saktë dhe plotësisht të aksesueshme për të gjithë.
Ky projekt financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet përmes UNOPS.
Post Views: 1 226

