Një tjetër masë e përcaktuar në Agjendën e Reformave në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është miratuar nga BE. Plani i Integritetit të ASHK-së, një dokument strategjik i hartuar me mbështetjen e Ministrisë së Administratës Publike dhe Antikorrupsionit, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme Antikorrupsion, përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e transparencës, përgjegjshmërisë dhe cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.
Ky dokument strategjik është konceptuar si një instrument konkret, që përfshin masa të matshme dhe përgjegjësi të qarta institucionale, me synimin për të përmirësuar mënyrën e funksionimit të përditshëm të institucionit.
Në thelb të tij qëndrojnë katër shtylla kryesore: forcimi i kontrollit të brendshëm përmes mekanizmave efektivë kundër korrupsionit, konfliktit të interesit; rritja e përgjegjshmërisë institucionale duke përcaktuar qartë rolet dhe detyrimet e çdo punonjësi; rritja e eficiencës në ofrimin e shërbimeve; si dhe garantimi i transparencës përmes informimit të hapur dhe komunikimit proaktiv me publikun.
Përmes këtij plani, ASHK synon të parandalojë fenomenet korruptive, të rrisë nivelin e llogaridhënies, të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve kadastrale në vend.
Dokumenti është hartuar pas një procesi të gjerë konsultimi me institucionet përkatëse dhe palët e interesuara, duke reflektuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e mirëqeverisjes.
*Ky material është përgatitur në kuadër të Agjendës së Reformave të Shqipërisë 2024–2027, në zbatim të Facilitetit të Reformave dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Përmbajtja e këtij postimi është përgjegjësi e institucionit Agjencia Shtetërore e Kadastres dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian apo Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Post Views: 747

