Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Antikorrupsionit dhe me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka organizuar dy konsultime publike me përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve, Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Shoqatës NAREA (Shoqata e Agjentëve të Pasurive të Paluajtshme).
Këto takime u zhvilluan në kuadër të procesit të vlerësimit të Planit të Veprimit mbi Menaxhimin e Riskut dhe të zbatimit të Planit të Integritetit 2025–2027 të ASHK-së, si pjesë e angazhimit të institucionit për të forcuar integritetin, transparencën dhe bashkëpunimin me grupet e interesit.
Gjatë diskutimeve, u trajtuan çështje që lidhen me përmirësimin e proceseve të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe profesionistëve të fushës, si dhe garantimin e një administrimi më efikas, të drejtë dhe të besueshëm të shërbimeve kadastrale.
Përfaqësuesit e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve, Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe NAREA ndanë komente dhe sugjerime të vlefshme për përmirësimin e kuadrit procedural dhe institucional, të cilat u vlerësuan nga ASHK si një kontribut i rëndësishëm për përmirësimin e mëtejshëm të praktikave të punës dhe zbatimin e masave të parashikuara në Planin e Veprimit.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës mbetet e angazhuar në zhvillimin e një administrate transparente dhe bashkëpunuese, që garanton cilësi dhe integritet në çdo shërbim për qytetarët dhe bizneset.





