Vijojmë hapat konkretë drejt modernizimit të shërbimeve dhe thjeshtimit të procedurave për qytetarët, duke zgjeruar format e pagesave për shërbimet kadastrale dhe duke reduktuar nevojën për paraqitje fizike në sportele.
Gjatë këtij viti, kemi punuar për të ofruar alternativa më të shpejta dhe më të aksesueshme pagese, me synimin që qytetarët të mos kenë më nevojë të paraqiten pranë sporteleve të postës apo bankave për të kryer pagesat për shërbimet kadastrale. Si pjesë e këtij procesi, ka nisur pagesa përmes e-banking aplikacionit të Bankës Credins, duke lehtësuar ndjeshëm procedurat për mijëra aplikues.
Pagesa me kartë bankare, direkt nga e-Albania
Risia më e fundit dhe më e rëndësishme është finalizimi i mundësisë së kryerjes së pagesave me kartë bankare direkt nga portali e-Albania, një funksionalitet për të cilin kemi punuar intensivisht gjatë muajve të fundit në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Ky shërbim i ri u mundëson qytetarëve që pagesën për shërbimet kadastrale ta kryejnë në të njëjtin moment dhe në të njëjtin kanal ku bëjnë aplikimin, pa ndërprerje të procesit dhe pa qenë e nevojshme të largohen nga platforma.
Pagesa online përmes e-Albania eliminon pritjet në radhë, shmang kontaktin fizik me sportelet dhe redukton kohën e shpenzuar për përfundimin e procedurës. Qytetarët mund të aplikojnë dhe të paguajnë për shërbimet kadastrale nga kudo që ndodhen, në çdo kohë, vetëm me disa klikime.
Ky funksionalitet është një tjetër hap konkret drejt një Kadastre moderne, digjitale dhe të orientuar drejt qytetarit, ku shërbimet ofrohen më shpejt, më qartë dhe me standarde të larta sigurie.
Zgjerimi i formave të pagesës është pjesë e strategjisë më të gjerë të transformimit digjital të kadastrës, që synon thjeshtimin e proceseve, rritjen e transparencës dhepërmirësimin e përvojës së qytetarëve në marrjen e shërbimeve kadastrale.
Post Views: 1 131

