Më 5 maj u zhvillua takimi i gjashtë i Komitetit Drejtues të projektit “EU 4 Property Rights”, një nga iniciativat kryesore të Bashkimit Europian në bashkëpunim me UNOPS për forcimin dhe modernizimin e të drejtave të pronësisë në Shqipëri.
Në këtë takim të organizuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ku morën pjesë përfaqësues të Bashkimit Europian, UNOPS dhe institucioneve të tjera partnere, u prezantua ecuria e reformës në sektorin e pronësisë, me theks të veçantë te proceset e digjitalizimit dhe regjistrimit fillestar.
Drejtoresha e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, vuri në dukje progresin e konsiderueshëm të arritur deri më tani, duke theksuar se 92.8% e kartelave të pronësisë janë digjitalizuar, ndërsa procesi i regjistrimit fillestar ka arritur një mbulim territorial prej 91.5%.
Sipas saj, këto rezultate jo vetëm që përmbushin objektivat e përcaktuara në Agjendën Kombëtare të Reformave, por gjithashtu krijojnë një bazë të qëndrueshme për rritjen e transparencës dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Gjatë takimit u diskutua gjerësisht progresi në komponentët kryesorë të projektit, ku Drejtoresha e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, theksoi se procesi i skanimit të dokumentacionit tekniko-ligjor ka përfunduar, ndërsa digjitalizimi i kartelave të pronësisë pritet të përmbyllet në muajin qershor. Ajo nënvizoi gjithashtu angazhimin maksimal të institucionit për përfundimin brenda afatit të procesit të digjitalizimit të hartave kadastrale, si dhe avancimin e mëtejshëm të regjistrimit fillestar në nivel kombëtar.
Përfaqësuesja e Bashkimit Europian, znj. Ritva Heikkinen, vlerësoi progresin e arritur në procesin e digjitalizimit, duke vënë theksin në forcimin e kontrollit të cilësisë, rritjen e transparencës me qytetarin në qendër të shërbimeve.
Në përfundim, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë për të garantuar vijimësinë e reformave dhe arritjen e rezultateve konkrete.
Projekti “EU 4 Property Rights” mbetet një nga nismat kyçe në mbështetje të reformës në fushën e pronësisë dhe digjitalizimit të shërbimeve kadastrale në vend.
Post Views: 554

