Agjencia Shtetërore e Kadastrës zhvilloi për herë të parë në Tiranë konferencën rajonale me temë “Nga Prona drejt Progresit: Transformimi Digjital dhe Integrimi Evropian i Ballkanit Perëndimor”. Aktiviteti, i organizuar me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, mblodhi përfaqësues të institucioneve kadastrale nga vendet e Ballkanit Perëndimor, delegacionin e Bashkimit Europian dhe partnerë ndërkombëtarë. I pranishëm në konferencë ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në fjalën hapëse, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, vlerësoi transformimin digjital të kadastrës si një reformë thelbësore për sigurinë juridike, zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian të vendit.
“Transformimi digjital i kadastrës nuk është thjesht një proces teknologjik, por një reformë që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, rrit besimin te institucionet dhe krijon një klimë më të sigurt për investimet”, u shpreh Goxhobelli.
Ajo theksoi se Shqipëria ka shënuar progres të rëndësishëm në sektorin e pronës dhe të investimeve, duke evidentuar rritjen e interesit të jorezidentëve për tregun imobiliar shqiptar. Sipas saj, gjatë vitit 2025 investimet e huaja direkte në Shqipëri arritën në rreth 1.6 miliardë euro, ndërsa më shumë se një e treta e tyre u investuan në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Në fokus të konferencës ishte edhe avancimi i shërbimeve digjitale të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Aktualisht, të gjitha shërbimet kadastrale në Shqipëri ofrohen online, ndërsa një pjesë e tyre janë plotësisht të automatizuara.
“Rreth 15% e aplikimeve të përditshme përpunohen automatikisht dhe në kohë reale. Gjithashtu, jemi pranë përfundimit të digjitalizimit të plotë të arkivës së pronave brenda këtij viti”, deklaroi Goxhobelli.
Një tjetër objektiv madhor i ASHK-së mbetet përfundimi i regjistrimit fillestar të pronave në të gjithë territorin e Shqipërisë deri në vitin 2027, duke garantuar përfshirjen e plotë të pronave në sistemin zyrtar kadastral.
Gjatë konferencës, Goxhobelli ndau edhe vizionin për të ardhmen e sistemeve kadastrale, të cilat do të mbështeten gjithnjë e më shumë te inteligjenca artificiale, inteligjenca gjeohapësinore dhe shërbimet në kohë reale.
“Prioritetet tona mbeten të qarta: përfundimi i bazës digjitale, përmirësimi i cilësisë së të dhënave, automatizimi i proceseve dhe harmonizimi i plotë me standardet europiane. Qëllimi ynë është të ndërtojmë sisteme moderne dhe të besueshme për qytetarët dhe brezat e ardhshëm”, u shpreh ajo.
Konferenca u vlerësua si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave mes vendeve të rajonit dhe forcimin e bashkëpunimit drejt standardeve europiane në administrimin e pronës.

