Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin e radhës për kompensimin financiar të pronarëve, pasuritë e të cilëve janë zënë nga ndërtime të legalizuara.
Përmes këtij vendimi, do të trajtohen qindra qytetarë të prekur nga procesi i legalizimit, si nëpërmjet kompensimit financiar, ashtu edhe përmes mundësisë për t’u pajisur me parcelën ndërtimore sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
Konkretisht, vendimi parashikon:
- 870,762,086.47 lekë fond për kompensim financiar për ish-pronarët;
- 85,140.35 m² sipërfaqe truall që përfshihet në procesin e kompensimit;
- 422 prona që trajtohen për kompensim;
- 349 qytetarë që përfitojnë mundësinë për t’u pajisur me parcelën ndërtimore.
Ky vendim i shërben përmbylljes graduale të proceseve të legalizimit, duke krijuar balancën e nevojshme midis interesit publik, të drejtave të qytetarëve që kanë legalizuar objektet e tyre dhe të drejtave të pronarëve të pasurive të prekura nga këto ndërtime.
Për të rritur transparencën dhe për të lehtësuar aksesin e qytetarëve në informacion, pas publikimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, emrat e përfituesve do mund t’i gjeni lehtësisht edhe në platformën online “Përfituesit e parcelës ndërtimore & Subjektet që kompensohen”, të aksesueshme në faqen zyrtare të ASHK-së.
Nëpërmjet kësaj platforme, çdo qytetar do të ketë mundësi të verifikojë në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë, nga shtëpia apo përmes telefonit celular, nëse është përfitues i kompensimit financiar ose nëse përfiton të drejtën për t’u pajisur me parcelë ndërtimore. Publikimi online i të dhënave synon të garantojë transparencë të plotë dhe informim të menjëhershëm për të gjithë subjektet e përfshira në vendim.
ASHK mbetet e angazhuar për të çuar përpara procesin e legalizimit dhe kompensimit, duke ofruar shërbime sa më transparente, efikase dhe të aksesueshme për qytetarët.

