Agjencia Shtetërore e Kadastrës zhvilloi sot një aktivitet të dedikuar për vlerësimin e riskut të integritetit të institucionit, një proces thelbësor për forcimin e transparencës, rritjen e besueshmërisë dhe garantimin e shërbimeve më të sigurta për qytetarët. Në tryezën e hapur morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, noterë, organizata të shoqërisë civile, si dhe partnerë ndërkombëtarë. Aktiviteti u realizua me bashkwpunimin e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, si edhe me pjesmarrjen e përfaqësueses sw Delegacionit të Bashkimit Europian, Cinzia Tarletti, të cilat theksuan rëndësinë e forcimit të integritetit institucional dhe domosdoshmërinë e përputhjes së reformave me standardet europiane.
Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, nënvizoi se ndonëse përvoja e qytetarëve me kadastrën nuk është konsoliduar plotësisht, hapat që po ndërmerren sot janë të rëndësishëm për transformimin e institucionit: “Është e vërtetë që eksperienca e qytetarëve me kadastrën ende nuk është konsoliduar tërësisht. Perceptimi jo gjithmonë pozitiv që ekziston kërkon punë, përkushtim dhe transparencë nga ana jonë. Por jam e bindur kur them se hapat që po hedhim sot janë solidë dhe mbi të gjitha janë një garanci e padiskutueshme për transformimin e Kadastrës në një institucion që u shërben qytetarëve, me standarde moderne dhe me fokus tek interesi i tyre.”
Më tej, znj. Goxhobelli theksoi rëndësinë e Planit të Integritetit, duke u shprehur: “Sot bashkërisht do të diskutojmë Planin e Integritetit, një program konkret për identifikimin e riskut në çdo drejtori dhe sektor të institucionit që do të shoqërohet me një plan të qartë veprimi që synon të parandalojë çdo formë abuzimi apo padrejtësie.”
Aktiviteti vijoi me diskutime të hapura ndërmjet pjesëmarrësve, me qëllim përmirësimin e planit të vlerësimit të riskut të integritetit dhe forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe partnerëve, si një hap i rëndësishëm në konsolidimin e transparencës dhe besueshmërisë të institucionit.
ASHK e konsideron këtë proces jo vetëm një detyrim ligjor, por mbi të gjitha një angazhim moral dhe institucional, në funksion të ndërtimit të një administrate moderne, efikase dhe të besueshme, në përputhje me standardet europiane.





