Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka përfunduar me sukses procesin e Regjistrimit Fillestar në nëntë fshatra të Bashkisë Malësi e Madhe: Bzhetë, Bzhetë-Makaj, Kokpapaj, Kozhje, Lohë e Poshtme, Mëshqerrë, Repisht, Vajush dhe Vuc-Kurtaj.
Pas përfundimit të të gjitha fazave të procesit dhe përpunimit teknik të të dhënave të mbledhura në terren, regjistri kadastral i këtyre zonave është integruar në Regjistrin Kombëtar të Pasurive të Paluajtshme. Ky proces mundëson krijimin e një regjistri të plotë pronash me të dhëna zyrtare dhe juridikisht të vlefshme, duke garantuar siguri më të madhe juridike për pronarët.
Banorët e këtyre fshatrave mund të aplikojnë tashmë, në çdo kohë, për t’u pajisur me certifikatë pronësie, kartelë pasurie dhe hartë kadastrale – dokumente themelore që vërtetojnë dhe garantojnë të drejtat e tyre mbi pronën.
Regjistrimi fillestar përbën bazën e sistemit kadastral dhe një nga proceset më të rëndësishme për administrimin e pronës. Përmes tij identifikohen, verifikohen dhe regjistrohen të drejtat e pronësisë, duke i dhënë çdo pasurie status të qartë juridik dhe duke krijuar garanci ligjore për pronarët.
Përmbyllja e procesit në këto nëntë fshatra përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në realizimin e objektivit kombëtar të ASHK-së për përfundimin e regjistrimit fillestar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Post Views: 38

